Më 13 dhjetor 2023 SPAK u vërsul të merrte ç’të mundej nga gazetari Elton Qyno. Letra, kompjutera, telefona, disqe, usb, lojërat e fëmijëve, antena interneti, çelës makine, etj.… ç’të gjenin. Gjyqtarja që firmosi urdhërat, veproi menjëherë, për pak minuta, aq sa ta bën atë batutën e Altin Dumanit në Kuvend “afërmendsh që gjykata vendos atë që duam ne” shumë të besueshme.
Po pse Elton Qyno, gazetar i Ora News, u shënjestrua kaq fort? Për ta sqaruar këtë ka nevojë për pak histori.
Një nga hetimet e SPAK, që ka numrin 75/2022, po bëhet për një grup kriminal që akuzohet për shumë vepra penale të rënda. Ndërmjet anëtarëve të grupit është edhe Nuredin Dumani, i cili tashmë është bërë i njohur në media si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Në Qershor 2022 rrodhën në media disa deklarata të bëra nga ky bashkëpunëtor drejtësie. Sigurisht që nuk ka si të kenë dalë nga dosja këto deklarata pa dijeninë apo edhe bashkëpunimin e atyre prokurorëve apo oficerëve të policisë gjyqësore që punojnë me këtë dosje. Më 14 qershor 2022 të tre prokurorët e dosjes, Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelli nënshkruan një urdhër për mediat që të mos publikoheshin deklaratat e dhëna nga bashkëpunëtorët e drejtësisë për dosjen nr. 75/2022. Ky urdhër nuk u vu në diskutim nga media, e cila u soll korrekte.
Mirëpo më vonë, prej autoriteteve hetuese Belge e Holandeze, u përcollën në Shqipëri mijëra biseda të bëra në rrjetin e enkriptuar SkyEcc, ku mes bisedave kishte edhe prej atyre qe lidheshin me dosjen 75/2022.
Në datat 10 dhe 11 dhjetor 2023, Elton Qyno publikoi disa biseda të bëra nga Nuredin Dumani dhe të nesërmen, në datë 12 dhjetor 2023, SPAK kuptoi që bisedat përputheshin me ato që dispononte SPAK, pra dyshohej që edhe këto materiale kishin dalë nga dosja 75/2022. Kështu, SPAK nisi procedimin nr. 245/2023, me qëllim hetimin e rrjedhjes së informacionit.
Një ditë më vonë, më 13 dhjetor, një prej prokurorëve të dosjes nr. 75/2022, Behar Dibra, udhëhoqi aksionin kundër Elton Qynos, duke e plaçkitur në shtëpi, automjet dhe vendin e punës te Ora News.
Ditët në vijim, avokatët e Elton Qynos morën vesh edhe një paradoks të madh, një veprim haptazi të paligjshëm nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
Paradoksi qëndron në faktin që kreu i SPAK vendosi që hetimin nr. 245/2023, i cili synonte të zbardhte se kush e nxori informacionin nga dosja nr. 75/2022, ta bashkonte në një hetim të vetëm me dosjen 75/2022. Për pasojë, ata që hetonin Nuredin Dumanin, etj., tashmë do hetonin edhe kush nxori informacionet nga kjo dosje.
Mirëpo pikërisht këtu nis problemi. Hetimi se kush e nxori informacionin nga dosja, sipas dokumenteve zyrtare të Gjykatës së Posaçme, bazohet në nenin 295/a, paragrafi i tretë, i Kodit Penal. Ky paragraf i posaçëm i dedikohet veprës penale të nxjerrjes së sekretit nga prokurorët e dosjes. Cilët janë prokurorët e dosjes? Janë pikërisht ata që urdhëruan gazetarët në 14 qershor 2022, Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelli.
Atëherë, nëse këta janë ata që potencialisht dyshohen si nxjerrës të informacionit, si është e mundur që po këta duhet të hetojnë edhe nxjerrjen e informacionit?
Në këtë mënyrë, Altin Dumani, me fjalë të thjeshta, vendosi që hetimin ndaj vetes dhe dy kolegëve të tij ta bëjë ai vetë me këta dy kolegë. Ndërkohë Elton Qyno është viktima në këtë rast sepse nuk bashkëpunoi për të treguar burimin e informacionit. Pra, kemi një lojë të tre prokurorëve, që njëri prej tyre mund të jetë «i kompromentuari» dhe të tre do hetojnë njëri-tjetrin me ndihmën e Qynos, me hir apo me pahir.
Këtu pra nis paradoksi i cili ka implikime të shumta, si:
Së pari, cenohen standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së burimeve të gazetarëve;
Së dyti, nuk ka asnjë informacion nëse të tre këta prokurorë të jenë hetuar, duke iu marrë atyre kompjuterat e telefonat për ekzaminim;
Së treti, nuk përjashtohet mundësia që ata ti fshijnë gjurmët nga kompjuterat dhe telefonat e Elton Qynos, që të mos dalë se cili prej të treve, apo të tre së bashku, është «i kompromentuari» dhe mbase mund të ketë bashkëpunim mes tyre.
Së katërti, nuk përjashtohet mundësia që ata duan të zbulojnë se sa të tjerë disponojnë gjurmë të «kompromentimit» dhe këtë mund ta zbulojnë përmes komunikimeve që ka bërë Elton Qyno me kolegë apo bashkëpunëtorë të tij.
Të gjitha këto pasoja janë të rënda dhe në shpërdorim të pastër të detyrës. Në një shtet normal, me një prokurori normale, drejtuesi i prokurorisë do linte që hetimi për nxjerrjen e informacionit ta bënte një prokuror tjetër, i ndarë më vete, për shmangur konfliktin e interesit dhe pasojat negative të shkeljes së ligjit për interesa kundër atyre të drejtësisë.
Tashmë, ky paradoks, thënë ndryshe, ky konflikt interesi, thënë akoma më ndryshe, kjo shkelje e ligjit deri në kufitjë e veprës penale, është i dokumentuar. Gjykatat kanë bërë sikur nuk e kanë parë deri tani, por dosja pritet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese ku Elton Qyno ka paraqitur ankesën e tij. Më tej do jetë rradha e Gjykatës së Strasburgut.
Tashmë, ky paradoks është konstatuar edhe nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB, i cili kur urdhëroi që SPAK të mos prekte materialet e Elton Qynos, u informua në detaje për rastin në fjalë dhe më pas rrëzoi kërkesën e Altin Dumanit që të hiqej masa pezulluese e urdhëruar nga kjo trupë gjyqësore ndërkombëtare.
Tashmë, me këtë paçavure ligjore që e gatoi vetë Altin Dumani me kolegët e tij, dikush do e paguajë para ligjit dhe kjo është vetëm çështje kohe.
Pyetjet e munguara ndaj Dumanit
Gjurma e shpërdorimit të detyrës që kanë lënë tre prokurorët e SPAK-ut dhe ky agresion i tyre ndaj medias merr shtysë dhe nga dy faktorë tejet të rëndësishëm :
1. Përçarja e medias dhe inatet mes kolegëve
2. Miti fiktiv i SPAK-ut
Për të ilustruar mënyrën se si shfrytëzohet përçarja mes gazetarëve do japim dy shembuj, që lidhen me hetimin e inceneratorëve.
Shembulli i parë është rasti flagrant kur SPAK terrorizoi në vitin 2021 redaksinë e Lapsi.al, pasi këta të fundit nxorën listën e patronazhistëve, një patate e nxehtë që vërtetonte sistemin e grabitjes së votës në nivel industrial.
Në vend që SPAK të hetonte industrinë kriminale të blerjes së votës, shkoi për të terrorizuar Lapsi.al për t’i intimiduar dhe mbajtur nën terror. Sikur të mos ishte një ndërjyrje urgjente e Gjykatës së Strasburgut, terrori do kishte vazhduar ndoshta dhe sot e kësaj dite.
Mirëpo çfarë ndodhi në kuptimin mediatik. Një pjesë e kolegëve refuzuan ta publikonin atë që po ndodhte me Lapsi.al, apo të mbanin qëndrime publike lidhur me terrorin që po ushtrohej ndaj kësaj redaksie. Televizionet e mëdha e injoruan sepse dihet janë në ujdi për punë të mëdha me qeverinë. Por as portalet dhe as gazetarë me peshë në treg nuk synuan që të flisnin për këtë terror.
Një pjesë e portaleve kishin qëndrim dhe shtysa të ndryshme sa i takon hetimit të inceneratorëve, ata mendonin se Lapsi.al ishte i njëanshëm në raportimin e kësaj çështje, ndiqte narrativën e Ahmetajt, e sipas tyre bënte pjesë te ato media që po përkeqësonin pa të drejtë pozitën e klanit Mërtiri-Zoto apo dhe vet qeverisë.
Por nuk vonoi shumë dhe radha u erdhi atyre vet.
Në vitin 2022, Adriatik Doçi shkoi para derës së SPAK dhe denoncoi një ndër skandalet ndoshta më të mëdha të kësaj strukture. Ai dorëzoi një paketë dokumentesh që vërtetonin udhëtimet e klanit Mërtiri-Zoto me Arben Ahmetajn, por akoma më i rëndë ishte fakti se Doçi bëri të ditur që këto e-mail-e posedoheshin nga SPAK-u pasi gjendeshin në kompjuterin e sekuestruar të Klodian Zotos.
Ishte indicio arbitrare se dikush atje brenda SPAK-ut mund të ishte në ujdi me Ahmetajn për të qepur letrat.
Më pas, ashtu siç godiste me deklarata publike Edi Rama kolegët e Lapsi.al për listën e patronazhistëve, ashtu godiste dhe Arben Ahmetaj me deklarata kolegun Adriatik Doçi për dorëzimin e kësaj dosje. Identik e njëjta skemë.
Thelbi i të dyja skemave ishte se gazetarët janë jo vetëm të përçarë, por janë të ndarë në kampe dhe shpesh këto ndasi janë avantazhi më i mirë për krijimin e situatave të terrorit ndaj tyre.
Por të dy këta precedent kanë dhe një anë tjetër medalje, pasi janë dy ilustrime që tregojnë se SPAK-u në të paktën dy raste ka qenë i investuar dhe i kapur gafil në zhdukjen ose asgjesimin e provave që implikojnë zyrtarë të lartë, Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn.
E duke i mbajtur parasysh këto dy raste, na lind natyrshëm e drejta të bëjmë disa pyetje që lidhen me rastin e terrorit të ushtruar ndaj gazetarit Elton Qyno:
A kemi të drejtë ne tani të besojmë se SPAK-u mund të jetë duke u investuar në asgjesimin e provave të bisedave të enkriptuara SKY të Kryeministrit ose ministrave?
A kemi të drejtë ne të mendojmë tani se SPAK-u mund të jetë duke fshehur ose asgjesuar biseda enkriptimi SKY që mund të përfshijnë dhe vet prokurorë të kësaj strukture ?
Po pse s’duhet të mendojmë ne se në ato biseda mund të jetë dhe ndonjë zyrtar i ambasadës amerikane apo i OPDAT-it, para të cilëve drejtuesi Altin Dumani sillet si pioner i bindur dhe i lumtur?
Për të gjitha këto arsye të parashtruara më lart, rasti i terrorit ndaj Elton Qynos përbën një moment tepër të rëndësishëm, injorimi i të cilit nga vet kolegët do ishte jo vetëm i padrejtë dhe skuthëri, por do ishte në kufijtë e kriminales.
Për të vijuar me pikën (b) ose fenomenin miti i SPAK-ut, vlen të theksohet se kjo strukturë sidomos vitin e fundit ka marrë shumë përgëzime dhe ka shkaktuar besim për ndëshkueshmëri, këtë e vërtetojnë sondazhet dhe do ishte budallëk të përpiqeshe ta mohoje.
Siç e kanë treguar disa dosje hetimore dhe sidomos ajo e inceneratorëve dhe dosja 5D, arroganca e pushtetit kishte arritur kulmin, nuk kuptohej më se kush ishte zyrtar i shtetit dhe kush ishte biznesmeni, sepse njëherë biznesmeni kishte gjithë shtetin në dispozicion si zyrë personale juridike që i qepte letrat, pastaj dilte zyrtari i Bashkisë që ishte shndërruar në biznesmen dhe e kishte marrë buxhetin e investimeve dhe e kishte çuar në shtëpi.
Sikundër e kam tepër të vështirë të besoj, se zoti Dumani beson vërtetë se koka e skemës së inceneratorëve ishin Ahmetaj-Mërtiri ndërsa koka e skemës në Bashki ishte Qato-Tusha. Se po dolën këta koka, na përmbyset krejt tablloja dhe na dalin brinjë apo plënc Rama, Agaçi e Veliaj.
E megjithatë e gjykoj punë të çmuar të SPAK-ut hetimin profesional në këtë drejtim, madje kam patur rastin të vërej personalisht se si arroganca e shumë zyrtarëve është strepsur, zyrtarët kanë filluar të kenë frikë nga ligji dhe kjo është gjë shumë e mirë.
Mirëpo dhe Altin Dumani, zyrtar i këtij shteti është. E ashtu si drejtuesit e tjerë të lartë të këtij shteti, është e pamundur që valenca e tij si drejtues të tejkalojë mesataren e moralit të përgjithshëm shoqëror.
Shndërrimi i tij apo i strukturës që ai drejton në « mit » është lojë shumë e rrezikshme, sidomos në kushtet kur struktura që ai drejton shfaq probleme në tabanin e vet ose simptoma të shpërdorimit të detyrës.
Fjala vjen, zoti Dumani e shfaq hapur adhurimin me sens inferior që ka ndaj shtetit amerikan. Them me sens inferior sepse dhe Giovanni Falcone apo dhe Paolo Borsellino në Itali, ishin në harmoni me strukturat amerikane, por nuk i kemi parë ndonjëherë të eksitoheshin e të gëzonin si çiliminj para ndonjë zyrtari amerikan (të nivelit 11) , njësoj siç mund të gëzojë ndonjë adoleshente në peripeci ekonomike, ndërsa dashnori i saj i martuar i dhuron ndonjë Iphone 15 Pro Max.
E kam të vështirë të besoj se formimi kulturor i Dumanit mund të jetë qoftë dhe i përafërt me atë të Falcones dhe Borsellinos
Këtu do ofroj një ilustrim që tregon se sa paradoksale dhe sa i turpshëm është modeli i prokurorit « më stil amerikon » që gjasme promovon Altin Dumani.
Nëse Altin Dumani do të ishte prokuror në SHBA dhe do vepronte njësoj siç vepron këtu, do e kishin flakur në birucë. Ja pse.
Në SHBA ekziston akti dhe ligji FARA, i cili detyron çdo subjekt privat që të deklarojë nëse merr fonde nga shtete të huaja apo nëse zbaton ose përhap politika të një shteti të huaj. Çdo subjekt privat ka detyrimin të deklarojë këto lidhje nëse i ka dhe pasi i deklaron shpallet në një listë të caktuar dhe trajtohet ndryshe në SHBA.
Kujdes, thashë privat, se me zyrtarë shtetërorë, e aq më tepër me prokurorë, është rreptësisht e ndaluar të kenë të tilla lidhje, nëse kapen në të tilla ndikime shkojnë pako-postal në burg.
Paradoksi është se ndërsa Dumani promovon veten me modelin « amerikon » të prokurorit, ai ka lënë gjurmë ngado të udhëtimeve, trajnimeve me të cilat i janë paguar nga një shtet i huaj, të kontakteve dhe varësisë absolute në orientim nga një shtet i huaj.
Dumani madje ka dy deklarata spektakolare, ai ka pohuar në disa raste se përfaqësues të ambasadave dhe shteteve të huaja kanë zyra te institucioni i tij.
Por ai ka pohuar dhe se «afërmendsh» që gjykatat do miratojnë kërkesat që ai u çon.
Në këtë pikë kam ca pyetje:
Në cilën gërmë të Kushtetutës apo Kod, e ka lexuar Dumani që afërmendsh gjykatësit janë yzmetqarë të tij?
Ku e mësoi ai këtë gjë?
A kam të drejtë unë tani të mendoj që ai këtë gjë e ka mësuar ndërsa bisedon me ata të huajt që ka te zyra, apo në trajnime me ta, sepse janë ata që i kanë thënë « Lëri gjykatat se na ke neve. » ?
Me standardin amerikan Dumani do shpallej agjent i huaj dhe person me rrezik për sistemin juridik amerikan, do ndëshkohej.
E duke vijuar logjikën, kam plotësisht të drejtë të mendoj se ky « agjent i huaj » bazuar në ligjin amerikan, është duke shkaktuar dhe terror të programuar në radhët e gazetarëve shoqëruar me kurdisje dhe skenar manipulative te dera e SPAK-ut.
Prej disa muajsh burokratë të shtetit apo zyrtarë të zgjedhur me votë në këtë vend, kur dalin nga dera e SPAK-ut rrethohen nga gazetarë dhe duken të zënë në çark. Pastaj ata japin shpjegime të tipit, “erdha këtu si person që kam dijeni”, “nuk flas dot” etj etj.
Çfarë interesi publik ka që dikush, cilido qoftë ai, u thirr si person në dijeni të diçkaje? Kujt i intereson kjo përveçse degjenerimit me regji të personit?
Po kur viziton zoti Dumani ambasadën amerikane pse nuk ka kamera te dera?
Me çfarë cilësie e thërrasin zotin Dumani ambasadat?
Si person në dijeni, apo si person të kompromentuar bazuar në ligjet e SHBA-ve?
Në këtë vend ka patur plot raste kur prokurorët kanë shkëlqyer në media dhe pse më pas rezultonin dështim.
Duhet të kesh memorie peshku që të harrosh se 10 vite të shkuara superstari në ngjitje i medias ishte një prokuror i quajtur Ramadan Troci, ai hetoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, por më pas u streps u harrua fare dhe doli me probleme në vetting.
Jam personalisht dëshmitar i komunikimeve kur ndonjë nga kolegët e sotshëm aty në SPAK të zotit Dumani, dikur i shkonte pas avazit Ramadan Trocit dhe me takt e pyeste nëse në takimin e radhës me Ilir Metën mund ta merrte dhe atë me vete se kishte dëshirë që t’i jepte pak dorën Ilirit.
Nuk ka asnjë çudi që ndodh dhe kështu sepse dhe Troci dhe ai ish-kolegu i Trocit dhe Dumani vet, nuk mund të jenë jashtë mesatares së moralit të përgjithshëm shoqëror, po ashtu dhe ne gazetarët brenda këtij morali jemi, ama gazetarët nuk mund t’i ndash disa për të degjeneruar ca politikanë te dera e SPAK dhe disa të tjerë si Elton Qyno apo Lapsi.al për t’i terrorizuar në favor të disa politikanëve të tjerë.
Sado abuzues dhe maskara të jetë një gazetar, nuk e ka asnjëherë mundësinë për të kufizuar lirinë e një personi, për të firmosur fonde miliardëshe apo për të orientuar politika.
Një gazetar ka detyrë të informojë, nëse abuzon me këtë gjë e ndëshkon tregu në radhë të parë në prestigjin e vet, por dhe ligji. Ama hetimi duhet të jetë konform ligjit, pasi në të kundërt nuk je duke e hetuar por duke e terrorizuar.
Dikur (me drejtësinë jo’amerikone) dhe Artan Hoxhës ashtu si Qynos ju sekuestruan telefonat e punës, Lapsi.al u shantazhua si redaksi.
Ky precedent duhet të marrë fund, pasi burimet janë të shenjta. Madje dhe kontaktet me personazhe të malavitës po të doni, janë krejt ndryshe në perspektivë kur i mban një gazetar dhe krejt ndryshe kur i mban një prokuror.
Personalisht kam kontakte me njerëz të kësaj bote. Dhe bëj shumë mirë që i kam dhe i mbaj këto kontakte, për sa kohë kam përcaktuar me bisturi vijat e kuqe të bashkëpunimit me ta.
Po ju jap një ilustrim.
Që prej muajit shkurt më dilte një zonjë anonime në letra të një pune publike jo pak të rëndësishme. Zonja ishte askushi. Zero takate, komplet anonime. Por kishte fituar goxha kontratë.
U përpoqa të mësoj diçka nga prokurorët që po e verifikonin, por nuk më dhanë asnjë xhevap. Trokita te malavita. I pyeta dhe më dhanë direkt xhevap të detajuar se kush qëndronte pas saj dhe si lidheshin personazhet. Madje pjesë e paketës së interesave në përfitim më dilnin dhe dy gjyqtarë.
Po si mund të mos e shfrytëzoj një gazetar këtë potencial informimi që e çon disa hapa para prokurorëve?
Një gazetar është i lirë të kontaktojë këdo për sa kohë nuk krijon detyrime që cënojnë rolin e tij, ose dhe nëse janë krijuar detyrime të natyrës së lidhjes emocionale, prapë gazetari ka në dorë që të shpallë botërisht konfliktin e interesit dhe të jetë në rregull me punën dhe ndërgjegjen e tij.
Dikur në një kurs gazetarie në një universitet amerikan, pedagogu pyeti studentët në klasë se cilin nga personazhet do zgjidhte të intervistonte të parin.
Një vashëz e re studente, u përgjigj se do dëshironte të intervistonte Osama Bin Ladenin.
-Cili është kurioziteti më i madh që ke ndaj tij?, – e pyeti pedagogu.
-Do e pyesja «off record» me taktin dhe në kontekstin e duhur psikik se sa kohë pas aktit të 11 Shtatorit, Osama bëri dashuri me gruan e vet, – u përgjigj studentja duke shkaktuar gallatë dhe të qeshura pa fund në sallë.
Por pedagogu nuk dukej dhe aq i qeshur dhe i bëri pyetjen më normale në këtë rast: pse e ke këtë kuriozitet?
Studentja u përgjigj se ndryshe nga sa tingëllon, pyetja e saj nuk është kuriozitet intim, por teknikë.
Së pari kjo pyetje personale do e sugjestiononte dhe do i ofronte konfidencë në bisedë, ai mund të ulte muret e diskrecionit.
Së dyti, ky detaj që do i kërkonte studentja, mund të ishte tregues se si Bin Laden kishte përballuar në nivel personal presionin e jashtëzakonshëm duke u shpallur terroristi dhe armiku publik nr.1 i njerëzimit.
«Ku i dihet, – u shpreh studentja, mund të kisha mësuar që gruaja e tij tentoi të priste damarët, apo mund të kisha mësuar diçka tjetër se si atë e shoqëroi deri te shtëpia e së shoqes, ndonjë agjent i CIA-s, Mossadit apo i shërbimeve të Pakistanit.»
Për pasojë, ndryshe nga organet ligjzbatuese, mënyra si i qas media personazhet problematikë, ka krejt tjetër perspektivë dhe tjetër vlerë, asnjë gazetar nuk mund të paragjykohet për llojin e burimit apo stekën e kontakteve për sa kohë ujdia mes tyre është në favor të informimit, personal ose publik.
Bazuar mbi këtë arsyetim kam bindjen se çdo tentativë e prokurorisë për të shtrënguar gazetarët me qëllim shitjen e burimit është kriminal dhe sekuestrimi i telefonit ose mjeteve të punës së gazetarit për këtë qëllim është akt i pastwr terrorist.
Thënë këto, më duhet të jap dhe një ilustrim të fundit tani, për të treguar se si ndonjëherë shmangia nga ato rregullat e manualit gazetaresk me “stil amerikon“, është më mirë për gazetarin.
Fjala vjen, unë kam bindjen e plotë se Altin Dumani me kolegët e tij kanë ushtruar terror dhe kanë shpërdoruar ligjin me rastin e Elton Qynos. Por kjo është bindja ime personale.
Përpara se të publikoja këtë shkrim, unë do duhej që pyetjet t’ja kisha nisur SPAK-ut dhe të prisja përgjigjen e tyre, e cila mund të ishte injorim, përggjigje pa sens, përgjigje shteruese etj.
Por nuk më leverdis kjo metodë, pasi duke i bërë botërisht këto pyetje, i jap ndoshta mundësinë dhe kolegëve të interesuar (apo kujtdo tjetër) që ndërsa bombardojnë me pyetje te dera e SPAK-ut zyrtarët nën hetim apo verifikim, nëse ata dëshirojnë mund t’i drejtojnë pyetje dhe prokurorëve sa i takon terrorit që ka ndodhur me kolegun e tyre Qyno:
Pyetje për Altin Dumanin dhe SPAK:
- A është e vërtetë që hetimi nr. 245/2023 po heton veprën penale të parashikuar nga neni 295/a, paragrafi i tretë, i Kodit Penal? A janë prokurorët dhe opgj-të e hetimit nr. 75/2022 subjektet e vetëm të kësaj vepre penale të dyshuar?
- A janë hetuar prokurorët që kanë akses në dosjen 75/2022? A janë aksesuar komunikimet e tyre për të parë me cilët person kanë komunikuar ata? A është analizuar lëvizja e tyre? A janë përdor përgjime, apo metoda të tjera speciale të hetimit?
- Duke bashkuar dosjen nr. 75/2022 me dosjen 245/2023, a janë të njëjtët prokurorë që hetojnë edhe veten?
- Nëse si pasojë e bashkimit të dosjeve ka konflikt interesi, cili është argumenti ligjor që është lejuar të ndodhë ky konflikt interesi?
- A ka pasur kërkesë nga Elton Qyno që dosjet të ndahen, pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi? Nëse po, a është marrë parasysh? Nëse jo, pse?