Nga inceneratori te Coldea dhe Berisha/ Dumani përgjigjet në Kuvend: S’kam kompetencë!

Hënë, 15 July 2024 18:11

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka raportuar sot në Kuvend raportin vjetor të institucionit që ai drejton, teksa iu është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve.

Dumani i është përgjigjur një sërë pyetjesh nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ku një prej tyre ka qenë edhe në lidhje me skandalin e mikro-kredive, ku kreu i SPAK theksoi se nuk ka patur pushim të çështjes. 

Ndërkohë, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, i pyetur se pse nuk ka ende një përfundim të hetimeve, Dumani tha se nuk ka kompetencë në raport me hetimin e çështjeve penale konkrete, teksa sipas tij, ai mund të ndërhyjë vetëm me udhëzim dhe këtë gjë e ka bërë. Ai e konsideroi këtë dosje si shumë komplekse dhe hetim të vështirë.

Ndërkohë, kreu i SPAK nuk pranoi të prononcohej nëse ka nisje hetimi në lidhje për punësimin e ish-agjentit rumun, Florian Coldea si këshilltar i jashtëm i kryeministrit Edi Rama, i cili është nën hetim nga drejtësia në vendin e tij.

Edhe për abuzimin me fondet IPARD për Bujqësinë, Altin Dumani nuk pranoi të jepte detaje, por tha vetëm se është nën hetim. 

Bardhi: Sipas raportimeve në media SPAK ka vendosur mosfillimin e hetimeve mbi një referim të prokurorisë së Tiranës lidhur me skandalin e mikrokredive. Pa cenuar sekretin hetimor çfarë ka kontestuar gjykata që nuk është bërë nga SPAK dhe çfarë është duke bërë aktualisht për një nga skandalet më të rënda të ndodhura në Shqipëri. Janë rreth 100 mijë familje që vuajnë pasojat e atij skandali.

Dumani: Ngaqë edhe GJKKO ka reaguar me një njoftim për mediat nuk ka një sekret. E para nuk është një çështje e mos filluar nga prokurori a e Posaçme. Edhe nga përmbajtja evidentohet qartësisht se cila është historie e këtij kallëzimi. E ka trajtuar prokuroria e Tiranës. I është drejtuar gjykatës së shkallës së parë Tiranë, ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar aktet GJKKO-së ku ne jemi thirrur si palë dhe prokurori i SPAK nuk ka shprehur qëndrim për lënien ne fuqi të vendimit të gjykatës. SPAK nuk është investuar me një kërkesë për pushim.

Bardhi: Hetimet për inceneratorin e Tiranës rezulton se kallëzimi jonë është dorëzuar në 2020 dhe jemi në gjysmën e e dytë të 2024 dhe ende nuk ka një përfundim qoftë të hetimeve paraprake. Në çfarë momenti janë hetimet? Ka pasur se dolën urdhër arreste u zhdukën u dekonspiruan dhe me radhë. A mund të na informoni se çfarë po bëhet me këtë hetim 4-vjeçar. Fakti është publik dhe e she çdo qytetar. Mjafton të shkoni në Sharrë dhe e sheh çdo kush. Kaq i vështirë është hetimi?

Dumani: Të shkruar e kam ndryshe, çfarë masash janë marrë për hetim brenda afateve se na rezulton që për kallëzime specifike dhe pse kanë kaluar 4 vite ende s’kanë përfunduar hetimet paraprake. Duhet të kuptojmë cili është roli i drejtuesit të SPAK. Nuk kam kompetencë në raport me hetimin e çështjeve penale konkrete. Patjetër drejtuesi mund të ndërhyjë vetëm më udhëzim jo detyrues, e kam bërë, të paktën në dy raste, kur kam patur një mendim ndryshe nga prokurorët e çështjes. Çështjet e mbartura është një problematikë, se kam fshehur asnjëherë, e kam prezantuar si problematikë. Si drejtues i SPAK, kam bërë përpjekjet për të nxitur prokuorët dhe hetuesit, për tu krijuar kushtet me qëllim evadimin sa më shpejt të çështjeve. Kam analizuar me prokurorët e SPAK, të gjitha çështjet që kanë, kryesisht çështjet e mbartura, dhe si drejtues u kam ofruar ndihmën time, duke shtuar një prokuror në grupin e hetimit, numrin e hetuesve për çështjen konkrete. Gjatë vitit 2023 ka pasur ecuri dhe çështjet kanë filluar të evadohen. Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna të çështje me natyrë korruptive, që kanë më të vështirë për tu hetuar. E njëjta logjikë vlen edhe për grupet e krimit të organizuar, kemi të bëjmë me grupet me të rrezikshme, hetimi paraqet rrezikshmëri. Shumicat i kemi të koordinuara me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Çështja konkrete është në hetim paraprak, e kemi bërë me dije publikun për zhvillimet e hetimit, sa herë ka patur rast për të vënë në dijeni publikun, ka pasur zhvillime të herëpashershme. Vazhdon të hetohet, çdo fakt dhe verifikohet pozicioni dhe përfshirja e çdo personi, është shumë kompleks.

Bardhi: Në media është referuar një skandal për një këshilltar agjent të shërbimeve sekrete romune, Florian Coldea i kryeministrit Rama, që dyshohet se është i përfshirë në një linjë trafik ndërkombëtarë drogë mes Shqipërisë, Meksikës dhe Rumanisë, a ka nisur hetim SPAK?

Dumani: Nuk kam ndonjë koment, nuk flas për çështje të kësaj natyre.

Bardhi: Ju keni marrë sipas raportimit të zyrës anti-korrupsion mbi abuzimet me fondet e bujqësisë. Për shkak të atyre abuzimeve fondet që duhet tu jepeshin qytetarëve shqiptarë janë pezulluar. A mund të na thoni ka nisur hetim prokuroria e Posaçme dhe a mund të kemi hetime të shpejta?

Dumani: Fondet IPARD janë një çështje në hetim nuk do të jap detaje. Kemi një Çështje në hetim Aa i takon menaxhimit të fondeve IPARD po hetohet çdo ditë.

Bardhi: Rezulton sipas informacioneve që disponon grupi parlamentar i PD-së se kryeministri Rama përmes një shtetasi një funksionar publik i ka përcjellë drejtuesit të SPAK juve duke kërkuar që çështja Xibraka të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur duke vlerësuar integritetin e drejtuesit të SPAK, duke mos ju kërkuar ta komentoni veprimin e kryeministrit dua ta dëgjoj prej jush përgjigjen që ju i keni përcjellë kryeministrit për këtë çështje. Pas kësaj ndërhyrje a jepni ju garanci që do kjo çështje do të hetohet në mënyrë të njëanshme.

Dumani:  Nuk mund të jap koment. Çështja është në hetim. Lidhur me marrëdhënien me kryeministrin apo çdo titullar institucioni qoftë edhe me Kuvendin, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe procedurale. Nuk marra dhe nuk përcjella asnjë lloj mesazhi ushtroj detyrën time në përputhej me dispozitat ligjore.

Gjithashtu, gjatë pyetjeve ndaj Dumanit, Bardhi e ka bërë si fakt të kryer se ky i fundit ka marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, përmes një funksionari publik, ku i ka kërkuar që të mbyllë sa më shpejt çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku dyshohet se është i implikuar dhe Olsi Rama, vëllai i kreut të Qeverisë.

Bardhi e pyeti Dumanin se çfarë përgjigje i ka kthyer kryeministrit dhe se sa do të ndikojë ky mesazh në hetimin e kësaj dosje. Kreu i SPAK deklaroi se nuk prononcohet për shkak se kjo çështje është nën hetim. Dumani theksoi se marrëdhëniet me Qeverinë dhe Kuvendin i ka vetëm institucionale dhe proceduriale, teksa sipas tij, nuk merr dhe përcjell asnjë lloj mesazhi.

Gazment Bardhi: Rezulton se Kryeministri Edi Rama, përmes një shtetasi funksionar publik, nuk dua t’i përmend emrin por e dimë unë dhe t’i se për kë bëhet fjalë, të ka përcjellë një mesazh duke kërkuar që ‘Çështja Xibraka’, të ‘mbyllet pak shpejt’. Duke vlerësuar integritetin e Drejtuesit të SPAK, dhe duke shmangur komentet tuaja për veprimet e kryeministrit, duhet që të informoni Kuvendin e Shqipërisë, mbi përgjigjen që ju i keni dhënë kryeministrit dhe a jepni ju garanci si drejtues i Prokurorisë që ky mesazh privat i Kryeministrit nuk do të ndikoje në punën tuaj, ashtu siç ligji e kërkon?

Altin Dumani: Nuk mund të jap asnjë koment se është në hetim. Lidhur me marrëdhënien e kryeministrit apo çdo titullari tjetër marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Institucionale kur institucionet kanë nevojë të bashkëpunojmë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre ka nevojë të thirret në cilësinë e deklaruarit, personit që po bëhen hetime, apo në cilësinë e të pandehurit. Nuk marr dhe përcjell asnjë lloj mesazhi. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me kushtetutën dhe dispozitat ligjore. Kjo është marrëdhënia ime me të gjithë pa përjashtim.

Ndërkohë, Dumani u është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetes Albana Vokshi në lidhje me krimet zgjedhore, koncesioneve abuzive në shëndetësi apo çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, për të cilën kreu i SPAK tha se është ende në hetim paraprak dhe do të vendoset se kush do të thirret për të dëshmuar.

Dumani: Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor,. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025.

Dumani: E kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtoju SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas.

Vokshi: Cili është statusi i hetimit për 4 koncesionet në Shëndetësi?

Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër në hetim. Për informacionet drejtohu SPAK.

Vokshi: Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?

Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.

Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë. A keni pjesë të tyre që kanë zbardhur krimin elektoral, u kujtoj njërin prej episodeve për Metamorfozën ku Gjoka dhe Bajrat flasin për takime me Beqajn. A keni dijeni se ca ndodhi pastaj me Beqajn, a u vu në dispozicion të bandave kriminale?

Dumani: Është çështje në hetim, s’mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.

Vokshi: McGonigal, ka kallëzim nga Bardhi. Në çfarë faze janë hetimet, në 2 vite e gjysmë se keni parë të arsyeshme të thirret Rama?

Dumani: Është në hetim paraprak, është në vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë. E vlerëson ai kush është momenti më i përshtatshëm për të kryer veprimin e hetimor.

Vokshi: Pse nuk është bërë hetim për mënyrën e implementimin të koncesionit të sterilizimit? Në dijeni tonë është ndalur pjesa më e madhe tek pjesa e procedurës së dhënies së koncesionit.

Dumani: Depozitoni çdo gjetje që komisioni juaj parlamentar do vlerësojë se mund t’i shërbejë hetimit tonë, edhe në drejtim e të tjera. Çdo e dhënë është e mirëpritur sa kohë i shërben hetimit të gjithanshëm.

Gjithashtu, kreu i SPAK, Altin Dumani u vu dhe përballë pyetjeve të deputetit të PD-së, Saimir Korreshi, se pse janë ndjekur dy standarde të ndryshme për heqjen e imunitetit të kreut të PD-së, Sali Berisha dhe ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, si dhe pse nuk pati asnjë të ndaluar në urdhër-arrestet e fundit të lëshuara për aferën e inceneratorit të Tiranës. Për të dyja, Dumani nuk u përgjigj, duke thënë se janë nën hetim paraprak dhe nuk mund të bëj asnjë koment.

Saimir Korreshi: Pse nga ana e SPAK është mbajtur dy standarde në lidhje me dy rastet e fundit,  rasti i Ahmetajt dhe zotit Berisha. Për Ahmetajn janë dërguar dokumentacionet lidhur me provat, 1400 faqe janë vënë në dispozicion të Këshillit të Mandateve dhe pastaj i është hequr imuniteti dhe marrja e masës së sigurimit. Ndërsa për Berishën është marrë masa e sigurimit dhe në komision nuk ka ardhur asnjë dokumentacion. A nuk duhet të mbajë standartizim SPAK për cështjen në fjalë?

Altin Dumani: Lidhur me pyetjen e parë, janë çështje në hetim paraprak dhe nuk mund të bëj asnjë koment dhe skam gjë për të ndarë me ju i nderuar deputet.

Saimir Korreshi: Si ka mundësi që në rastin e fundit të urdhër ndalimeve për inceneratorët nuk kemi asnjë të ndaluar? A ka ndodnjë rrjedhje informacioni nga ana juaj dhe pse nuk mbahen në survejim?

Altin Dumani: Edhe pyetje e dytë, cështja është në hetim paraprak, është hetim kompleks dhe nuk mund të ndaj asgjë. Kur të jetë momenti i përshtatshëm do ketë komunikim me mediat dhe publikun.

Ndërkohë, Altin Dumani, pas pyetjes së deputetit të PS-së, Denis Deliu, ka konfirmuar se pas plotësimit të numrit të nevojshëm me prokurorë, do të procedohet më pas edhe me hapjen e zyrave të SPAK nëpër rrethet problematike.

Deliu: Prezenca e SPAK dhe hetuesve të BKH është e nevojshme për qytete problematike. Kur mendoni se mund të hapni zyra në qytete

Dumani: Për dikë 4 vjet mund të duken shumë për një institucion të ri është shumë pak është një periudhë e shkurtër. Institucioni ka nevojë të krijohet në organikë. Mund të themi se SPAK sot është funksional. Jemi përpjekur të ushtrojmë detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese, mund të vijë momenti dhe ligji e parashikon mund të hapen zyra edhe në rrethe. Besoj pasi të kalojë koha dhe të kemi numrin e nevojshëm, do të procedohet edhe me hapjen zyrave të SPAK në rrethe.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...