Kush i sabotoi arrestimet për inceneratorin e Tiranës

E mërkurë, 17 July 2024 09:24

Tetë fletë-arresti, asnjë i arrestuar për inceneratorin e Tiranës.

Rekord i ri në listën e operacioneve të dekonspiruara të Prokurorisë së Posaçme, që në mënyrë të përsëritur ka provuar se peshqit i shpëtojnë rrjetës së çarë. Emrat e disa prej të arratisurve pëshpëriteshin prej kohësh në rrethet e gazetarëve. Disa të tjerë u mësuan deri në momentet e fundit, kur SPAK shpalli një njoftim për mediat.

Në fletë-arreste ishte emri i biznesmenit Ilir Dedja, drejtuesi i televizionit Top Neës Endrit Habilaj, apo të tjerë si biznesmeni Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi administratore e Integrated Technology Services, Renardo Nallbani biznesmen që dyshohet se ka vënë në zbatim një skemë me faturat fiktive dhe 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lappat dhe Michael Dryijts, administratorë të kompanisë “Geogenix BV”.

Prokurorët i akuzojnë se kanë marrë rreth 20 milion euro nga paratë që duhej të përdoreshin për ngritjen e një inceneratori për Tiranën. Akuza i konsideron grup i strukturuar kriminal që ka bërë pastrim parash.

Vonesa e Irena Gjokës për të firmosur fletë-arrestet

Në njoftimin e SPAK bien në sy disa saktësime datash, që në kontekstin e dështimit të operacionit, ngjajnë me një shfajësim të Prokurorisë së Posaçme.

Nga njoftimi mësohet se urdhër-arrestet u dorëzuan në Gjykatën e Posaçme që në datën 29 qershor. Por dosja qëndroi aty për thuajse dy javë.

Vetëm në datën 12 korrik gjykatësja (Irena Gjoka shën. i Lapsi.al) i hapi rrugë arrestimeve. Policia kreu kontrolle për 3 ditë, (nga data 12 korrik deri në datën 15 korrik) por atëherë ishte tepër vonë. Tetë të kërkuarit ishin arratisur.

Kuptohet se prokurorët rreken t’ia lënë fajin gjykatëses Irena Gjoka. Ishte ajo që e mbajti dosjen për 14 ditë me radhë në gjykatë, duke i dhënë kohë “grupit të strukturuar kriminal” të çante ferrën.

Por sa qëndron ky shfajësim i prokurorëve? A është faji vetëm i gjykatëses për arratisjen e të akuzuarve?

Refuzimi i SPAK për të identifikuar kokat e aferës së inceneratorëve

Pika e dobët e alibisë së SPAK për dekonspirimin gjendet në po të njëjtin njoftim që ata shpërndanë për mediat. Prokurorët e SPAK janë kujdesur që të shkruajnë aty se:

“Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Kjo fjali në njoftimin e SPAK përmbledh një qëndrim, për të cilën është debatuar shumë. Vërtet ishin “dy Klodët” pronarët realë të inceneratorit të Tiranës? A ishin këta të dy që ulën në gjunjë të gjitha ministritë dhe bashkinë e Tiranës për të siguruar financimin e inceneratorit?

Nëse “dy Klodët” ishin në krye të grupit të inceneratorëve si e bindën ata kryeministrin Edi Rama të firmosë bonus për kompaninë e Klodian Zotos para se ajo të krijohej? Si e bindën “dy Klodët” Erion Veliajn të firmoste financimin e inceneratorit të Tiranës, para se të mblidhte Këshillin Bashkiak?

Kush ka lexuar dosjet e SPAK e ka të qartë se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri nuk mund të ishin kokat e grupit të strukturuar kriminal që vodhi paratë e inceneratorëve. Shefat e mëdhënj janë në kryeminstri dhe në bashkinë e Tiranës, por SPAK refuzon ta pranojë këtë fakt. Prandaj e gjen fajin tek Irena Gjoka. E cila, njësoj si “Dy Klodët” ka shefat e saj./Lapsi.al

Nje polic duke hapur deren per korrierin qe transporton me karroce dosjet e padive ne Strukturen e Posacme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, SPAK. Nje sere ceshtjesh te rendesishme qe prekin edhe aktore te politikes jane kallezuar se fundmi ne SPAK. /r/n/r/nA police officer opens the door to a courier transporting by cart the files of lawsuits in the Special Structure Against Corruption and Organized Crime, SPAK. A series of important issues that also affect political actors have recently been reported to SPAK.

NJOFTIMI I PLOTE I SPAK PER FLETE-ARRESTET E HETIMIT TE INCENERATORIT TE TIRANES

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vijon hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 255, të vitit 2020, me objekt hetimi kontratën koncesionare nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitimi i Vend Depozitimeve Ekzistuese, Tiranë”, lidhur ndëmjet Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, kanë rezultuar fakte penale të tjera të evidentuara gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare, për të cilat është bërë regjistrimi i njoftimit të veprave penale në regjistrin penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej:

1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ;

9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro.

Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.

Pas kryerjes së hetimeve dhe analizimit të provave, në datën 29.06.2024,Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj 8 shtetasve (shqiptarë dhe të huaj), të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet D.Y., G. C., D. T., M. L., M. D., I. D., E. H. dhe R. N.

Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit K.Z. dhe M.M., ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Në datën 12.07.2024, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nënvizojmë se, Policia e Shtetit më datë 15.07.2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm.

Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...