Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kryesinë, ku ka folur për modelin ekonomik i cili ka nevojë për një transformim urgjent, duke u orientuar kryesisht nga eksportet, dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe jo vetëm nga sektori i ndërtimit dhe i konsumit.
Gjithashtu Meta u ndal edhe te ndërtimet pa kriter në Tiranë si dhe vjedhjet dhe korrupsionin e kryebashkiakut Veliaj, duke theksuar se është kthyer në simbolin më të urryer të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
‘Tirana është kthyer në simbolin më të urryer të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Dhe, po nuk veproi SPAK. do të veprojnë qytetarët’, theksoi Meta.
Fjala e Presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta në Kryesinë Politike të Partisë së Lirisë
Përshëndetje!
Modeli ekonomik shqiptar, pikërisht atë që ne kemi qartësuar në mënyrë të kristaltë në programin tonë në Konventën historike të 27 Prillit, se modeli ekonomik I vendi ka nevojë për një transformim urgjent, radikal, duke u orientuar kryesisht nga eksportet, dhe shfrytëzimi I burimeve natyrore, dhe jo vetëm nga sektori i ndërtimit dhe I konsumit.
Struktuar e ekonomisë duhet të zhvillohet me shpejtësi, drejt një ekonomie prodhuese dhe shërbimesh cilësore, që krijojnë vlerë më të lartë, dhe eksporte në rritje.
Sepse, ndërkohë që prodhimi dhe punësimi vijojnë pikiatën, bumi I ndërtimeve në mënyrë të çuditshme, vazhdon me ritme të larta.
A ka logjikë ekonomike që mund të shpjegojë faktin që kullat dhe pallatet shtohen çdo ditë, ndërkohë që fuqia blerëse bie ndjeshëm, aq sa sot një çifti të ri i duhen 60-70 vite pune për të blerë një apartament në periferi të Tiranës.
Për kë ndërtohen gjithë këto apartamente, kur nuk ka kush t’i blejë?
Këtë e provon më së miri fakti, se sot vetëm në Tiranë janë 52 mijë apartamente të pabanuara.
Por, edhe të dhënat e 3-mujorit të parë të sektorit të ndërtimit në vetvete, janë akoma më shqetësuese, sa i takon strukturës së ndërtimit.
Sepse, së pari, bumi i ndërtimeve vazhdon për ndërtesa rezidenciale, dhe ka rënie të ndjeshme të ndërtimeve të karakterit ekonomik prodhues.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit rezidenciale në 3-mujorin e parë të vitit 2024 është rritur me 7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti paraardhës.
Ndërkohë sipërfaqja e ndërtimeve industriale është ulur në mënyrë drastike me 40%, ndërsa sipërfaqja e ndërtimeve të sektorit ekonomik të shërbimeve dhe tregtisë është ulur në rreth 42%.
Intensiteti i rritjes së ndërtimeve, sidomos në Bashkinë e Tiranës mbetet shumë i lartë, gjë që vërteton edhe një herë jo vetëm betonizimin e tmerrshëm të kryeqytetit, kriminal, por dhe konstatimin e opozitës dhe të institucioneve partnere, për shndërrimin e Tiranës në lavatriçen gjigande të pastrimit të parave të pista.
Në tremujorin e parë të vitit 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës është sa 65% e totalit të gjithë sipërfaqes së ndërtimit të vendit.
Tirana është kthyer në simbolin më të urryer të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
Pastrimi i parave "ulëret" në çdo lagje të Tiranës, ku çdo ditë hapet një kantier i ri ndërtimi, duke shkatërruar një park, duke asgjësuar një lulishte, duke rrëmbyer dhe tjetërsuar prona e ligjshme të qytetarëve të Tiranës.
Këtë lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, nuk e sheh vetëm SPAK-u i Ramaformës, që ka frikë t'i përmendë emrin jo vetëm Edi Ramës, por edhe Erion Veliajt, që ka marrë peng Bashkinë e Tiranës dhe nuk do t'ia dijë për rritjen e kostove të jetesës së qytetarëve në mënyrë marrëmëndese , por vetëm si të vazhdojë të vjedhë me inceneratorin fantazmë dhe të shtojë i pashqetësuar milionat në llogaritë e veta bankare me kompanitë kriminale të tipit 5D.
Ndaj edhe rrethimi demokratik, i këtij kryehajduti, do të vazhdojë me vendosmëri, deri në largimin e tij me çdo çmim, nga bashkia e Tiranës, dhe rikthimin e këtij institucioni në duart e qytetarëve të Tiranës.
Deri në momentin kur nëna Liza do të ulet në karriken e tij. Dhe, po nuk veproi SPAK. do të veprojnë qytetarët.
Këtë model të narko-ekonomisë që e ndërtuan në Tiranë, Edi Rama me benjaminin e tij, pra Prindi 1dhe Prindi 2, po kërkojnë ta eksportojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Si në Shkodër, ku së fundmi është propaganduar si sukses ndërtimi I një monster gjigande betoni, që do të shkatërroj një nga qytetet më historike, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë këtij rajoni.