80% e fëmijëve në moshë çerdheje dhe kopshti në Bashkinë e Tiranës nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike. Prindërit rrëfejnë se pranimi i fëmijëve kryhet përmes procedurave diskriminuese. Në kushtet e mohimit të këtij shërbimi nga bashkia, INA Media dëshmon se një pjesë e madhe iu drejtohen kopshteve të palicencuara.
Elisabeta, një oficere policie në Tiranë, nuk shkoi në punë javën e parë të qershorit.
“Është java e regjistrimeve në çerdhe e në kopsht”, – shpjegon ajo, duke na rrëfyer se po lëviz të gjithë gurët, që të gjejë vend për dy fëmijët e saj në strukturat publike.
“Deri tani i kam mbajtur me dado, por kushton shumë dhe shoh që fëmijët e mi nuk kanë të njëjtin zhvillim si shokët e tyre, që shkojnë në kopsht apo çerdhe”, – rrëfehet policja, teksa mban një tufë me dokumente në dalje të çerdhes 42 në Kinostudio.
Ajo tregon se nuk i përballon dot kostot për të dy vogëlushët në sektorin privat dhe se e vetmja zgjidhje është që të pranohet në sistemin publik. Për këtë ka shumë pasiguri.
“Më kërkuan vërtetimin e pagës. Më thanë se, unë paguhem mirë dhe se prioritet do të jenë ata prindër, që kanë paga më të ulëta”, – thotë Elisabeta.
Ajo ikën me nxitim, duke pohuar se “këtë hall të madh” do të përpiqet që ta zgjidhë, “ose me ndonjë njohje nga lart, ose me ndonjë kafe”.
Numrat “zhveshin” bashkinë
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i tha INA Medias se në Bashkinë e Tiranës janë të regjistruar 61.610 fëmijë të moshës deri në 6 vjeç.
Ky është kufiri, pas të cilit vogëlushët dalin jashtë shërbimit çerdhe-kopsht.
Drejtoria e Çerdheve dhe e Kopshteve në Bashkinë e Tiranës, në përgjigje të një kërkese për informacion, pohoi se kishte gjithsej 12.700 vende për pranimin e vogëlushëve.
“Kapaciteti aktual në çerdhe është rreth 4.300 fëmijë/ditë. Kapaciteti aktual në kopshte është rreth 6.500 fëmijë/ditë në zonën urbane dhe rreth 1.900 fëmijë/ditë në zonën rurale”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të drejtorisë përgjegjëse, e cila saktëson së Bashkia e Tiranës ka në total 43 çerdhe publike dhe 132 kopshte, të ndara, 51 në zona urbane dhe 81 në zona rurale.
Shifrat tregojnë se sistemi publik mund të përballojë vetëm 20% të nevojave potenciale ose, e thënë ndryshe, nëse të gjithë fëmijët e kësaj moshe do të kërkonin strehim në njësitë publike, vetëm 1 në 5 vogëlushë do të pranohej.
Ermelinda Hoxhaj, një gazetare që mbulon prej më shumë se 15 vitesh çështjet arsimore në vend, i tha INA Medias se, çdo qershor në Bashkinë e Tiranës përsëritet e njëjta panoramë.
“Pakënaqësitë e prindërve janë të shumta. Nga ndjekja e këtij procesi ndër vite mund të them se numri i aplikimeve është gati 10-fish më i lartë se sa janë kapacitetet”, – tha gazetarja, e cila shton se mungesat janë të shumta, edhe pse janë ndërtuar kopshte dhe çerdhe të reja.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës në 9 kopshte nuk i hapi fare regjistrimet për pranime të reja, pasi vendet ishin automatikisht të zëna nga fëmijët ekzistues.
Nora Malaj, ish-zëvendësministre e Arsimit, vlerëson se gjendja e bashkisë përpara detyrimit për të përzgjedhur se kujt do t’i shërbejë, nuk përputhet me detyrimet kushtetuese.
“Në të drejtën kushtetuese pushteti lokal duhet t’i përgjigjet çdo qytetari për t’ia realizuar nevojat bazike të jetës, duke filluar nga puna, shkolla, strehimi dhe të gjitha nevojat për një jetë me standard dhe me cilësi. Kjo prodhon një situatë, që në fund nxit ryshfetin dhe krijon një rrugëtim shumë të padrejtë për nevojat bazike të qytetarëve, duke shkelur të drejtat e tyre, sidomos të çifteve të reja”, – tha Malaj.
Pranimet me kritere jo-transparente
Ema, një 30-vjeçare, që më herët ka punuar si shitëse, tregon se e pati të pamundur që të gjejë një vend për djalin e saj, të madh në kopshtin publik pranë zonës së njohur si Tregu Elektrik.
“Nuk u riktheva dot më në punë, pasi linda djalin, por nuk mund të vazhdoj dot më kështu. Fëmija ka nevojë për edukim dhe unë për punë”, – i tha Ema INA Medias, teksa dilte nga kopshti i lagjes së saj.
“Më thanë se nuk mund të ma pranojnë djalin, meqë unë nuk jam në punë. Si mund të nis unë punë, nëse nuk kam ku ta lë fëmijën?!”, – thotë nëna në largim e sipër.
INA Media pyeti Drejtorinë e Kopshteve dhe të Çerdheve pranë Bashkisë së Tiranës, se cilat ishin kriteret për pranimin e fëmijëve dhe kush vendos për refuzimin e të tjerëve.
Përgjigjja na referon te një vendim i Këshillit Bashkiak, Tiranë, i cili në fakt ka vetëm të bëjë me tarifat dhe jo me kriteret e përzgjedhjes.
INA Media trokiti pranë zyrave të këtij institucioni, por, pavarësisht insistimit tonë për të marrë një kopje të kritereve përzgjedhëse të fëmijëve, zyrtarët e Drejtorisë së Kopshteve dhe të Çerdheve nuk paraqitën dot një dokument zyrtar, mbi të cilin bëhet pranimi apo refuzimi.
“Kryesorja është që të dy prindërit të jenë në punë”, – tha njëra prej punonjëseve të sektorit të çerdheve në katin e tretë të Drejtorisë së Kopshteve dhe të Çerdheve.
I vetmi dokument i afishuar në dyert e drejtorisë e po ashtu edhe në faqen e saj, zyrtare është lista e dokumenteve që duhet të paraqesë secila kategori prindërish për të aplikuar.
Në të vihet re se një nga dokumentet e kërkuara është vërtetimi i pagës së prindërve.
Drejtoresha e një kopshti në zonën e Kombinatit, e cila kërkoi të ngelej anonime, i tha INA Medias se, pavarësisht se nuk ka një dokument fiks për kriteret, Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe e Kopshteve i ka orientuar prej vitesh kriteret e pranimeve, duke caktuar disa prioritete.
“Nuk mund të pranojmë fëmijët e prindërve të papunë ose kur njëri prej prindërve nuk rezulton në marrëdhënie pune”, – tha drejtoresha, e cila shpjegon se, logjika e kësaj përzgjedhjeje është se, prindërit, që nuk punojnë, mund të kujdesen vetë për fëmijët.
“Prioritet janë fëmijët me prindër që punojnë në shtet e pastaj ata të sektorit privat, por edhe për këta ne shohim nivelin e të ardhurave që kanë”, – sqaron drejtoresha e kopshtit në Kombinat, duke nënvizuar se, fëmijët me prindër që kanë paga të larta nuk do të pranohen në çerdhe apo në kopshte, përpara atyre që kanë të ardhura më të ulëta.
“Nuk janë prioritet po ashtu fëmijët e prindërve që kanë biznese, sepse në përgjithësi ne udhëhiqemi nga parimi i ndihmesës së atyre që kanë më shumë nevojë”, – përfundon drejtoresha, e cila thotë se java e parë e qershorit është periudha më e tensionuar e punës së saj, pasi regjistrimet shoqërohen me “tensione e pakënaqësi nga prindërit e po ashtu nga ndërhyrje të ndryshme për të gjetur një vend për fëmijët”.
Gazetarja Hoxhaj thotë se kriteret për seleksionimin e fëmijëve përcaktojnë se përparësi kanë fëmijët që i kanë të dy prindërit në punë ose janë pjesë e kategorive në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike, ata me paaftësi, prindër të divorcuar etj.
“Madje, përparësi më shumë kanë prindërit që janë të punësuar në institucionet publike, gjë që është diskriminuese për të gjithë ata prindër që janë në sektorin privat”, – shpjegon gazetarja.
Ajo vëren me shqetësim mungesën e transparencës në kriteret e përzgjedhjes dhe në procesin e pranimit të fëmijëve. “Kjo vihet në diskutim. Njohjet e duhura, por në shumë raste dhe paratë nën dorë të zgjidhin punë”, – tha gazetarja Ermelinda Hoxhaj, e cila për dy fëmijët e saj e ka gjetur zgjidhjen në sektorin privat.
Studiuesja sociale, Entela Hidri, i tha INA Medias se, “kriteret janë utopike” dhe theksoi se, të gjithë duhet t’i edukojmë fëmijët në mënyrë të barabartë.
“Nënat e papuna duhet të kenë të parat mundësinë që t`i regjistrojnë fëmijët. Mospranimi është diskriminues. Kjo ndikon te zhvillimi i nënave të reja, pasi lindin fëmijë. Ato duhet të kenë kohë, që të kërkojnë një punë dhe të punojnë pa pasur kufizime, se kanë sjellë në jetë një fëmijë”, – tha studiuesja, e cila i ka transferuar 3 fëmijët e saj nga sektori publik në atë privat.
“Në çdo vend të botës së zhvilluar që unë njoh, sistemi publik i arsimit është më cilësor dhe më i kërkuar, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Të gjithë janë njësoj taksapagues për këtë sistem publik, të ofruar nga pushteti lokal, ndaj edhe shërbimi duhet të ofrohet i njëjtë”, – tha ekspertja Hidri.
Rreziku i strehëzave “fantazmë”
INA Media mori rekomandime nga prindër të zonës së Astirit se ku mund të gjenim një kopsht “ekonomik”, në një zonë që nuk ka asnjë strukturë publike të kësaj natyre. Në numrin e telefonit të vënë në dispozicion kontaktuam Fatmirën, e cila përpiqet që të na orientojë për ta gjetur.
“Mbi restorantin e peshkut, futu në hyrjen ngjitur me materialet e ndërtimit”, – thotë ajo.
Në katin e 6 të pallatit nuk ka asnjë tabelë identifikuese për ekzistencën e një kopshti dhe dera që hapet për të na mirëpritur, është një apartament 2+1.
“I kam hequr tabelat, se na mbysin këta të shtetit”, – thotë si pa të keq Fatmira, e cila është njëkohësisht, edhe pronare, edhe edukatore, edhe kuzhiniere, edhe sanitare e apartamentit të përshtatur në kopsht.
Në dhomë numërohen 16 vogëlushë, ndërsa Fatmira, e bindur se po flet me një klient të mundshëm, shpjegon ofertën e saj.
“E kam bërë 130 mijë lekë tarifën. Për pastërti mos ki merak, se çarçafët këtu ndërrohen çdo dy javë”.
Për të qetësuar dy fëmijë, që po grinden, Fatmira hap dy karamele xhelatinoze dhe ua jep vogëlushëve. Ky veprim i diskutueshëm na bën menjëherë ta pyesim për menynë.
“Iu bëj përditë supë me lëng kockash dhe me perime. Kockat më vijnë nga Përmeti, m`i dërgojnë njerëzit e mi andej me fugonat e linjës. I marr të freskëta çdo muaj”, – sqaron pronarja e kopshtit të palicencuar.
Prindi, që na e sugjeroi, i ka besuar zonjës dy fëmijët e tij deri pak kohë më parë, kur ata mbushën moshën për të nisur shkollën.
“Çmimi është shumë më i lirë, më pak se gjysma e të tjerëve, që janë me leje shtetërore.
Ajo është grua e mirë dhe për mua ishte e rëndësishme që kundrejt një pagese modeste, shtesë Fatmira i mbante djemtë e mi edhe disa orë më shumë, në rastet kur unë kisha urgjenca në punë”, – përgjigjet ai, kur e pyesim se, si është e mundur që ia ka besuar fëmijët një njësie, që nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli shtetëror.
Shpesh opinioni publik është tronditur nga episode dhune dhe ngjarje të rënda, që kanë ndodhur pikërisht në këto ambiente pa licencë.
Ministria e Arsimit dhe e Sportit i tha INA Medias se, “ka vendosur masë administrative, kryesore – gjobë 1.000.000 lekë – dhe masë administrative, plotësuese – “Ndërprerje e menjëhershme e veprimtarisë” – për 36 kopshte pa licencë në Tiranë”.
“Veza e artë” për privatët
Në kushtet kur sistemi publik ka vende shumë të limituara për pranimin e vogëlushëve, 80% e prindërve në Tiranë bëjnë zgjedhje mes mbajtjes së fëmijëve në shtëpi nën kujdesin e tyre, të gjyshërve apo të dadove ose i drejtohen tregut privat.
Ministria e Arsimit ka licencuar në kryeqytet 144 kopshte private në Bashkinë e Tiranës.
Frekuentimi i sektorit privat iu kushton prindërve disa herë më shumë sesa edukimi i fëmijëve në strukturat publike.
Një vëzhgim i INA Medias llogarit se kostoja mesatare, mujore për një fëmijë në çerdhet dhe në kopshtet private, të licencuara është 25 mijë lekë në muaj, 5 herë më e shtrenjtë sesa kostoja për një fëmijë në strukturat publike.
Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak, Tiranë, “fëmijët, që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet në Bashkinë e Tiranës, paguajnë një tarifë ditore: 160 lekë për fëmijë në kopshte dhe 130 lekë për fëmijë në çerdhe”.
Nuk ka të dhëna zyrtare se sa fëmijë aktualisht po marrin përkujdesje dhe edukim në sektorin privat. Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje të drejtuar nga INA Media.
Nora Malaj, njëherësh pedagoge e psikologjisë, e sheh jo të shëndetshme për zhvillimin e fëmijëve mbajtjen e tyre nën kujdesin e gjyshërve dhe të dadove.
“Fëmijët, që rriten me gjyshërit, janë të bekuar, por ata nuk mund të jenë edukatorët e fëmijëve. Sa për dadot, ky është një shërbim që bëhet nga halli. Ky profesion nuk është i standardizuar, as i licencuar, as i kualifikuar”, – tha pedagogia, Nora Malaj.
E ardhmja, e pasigurt
Problemi i kapaciteteve të ulëta, që nuk i plotësojnë nevojat e prindërve të kryeqytetit, është njëra anë e medaljes.
Paralelisht në Tiranë, kryesisht në zonat e reja, urbane në zhvillim, ka njësi, që nuk kanë fare çerdhe apo kopshte publike.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe e Kopshteve i tha INA Medias se ka referuar pranë bashkisë nevojën “për hapjen e shërbimeve të reja te Lagjja 13 (çerdhe dhe kopshte), në Yzberisht (çerdhe) dhe te Don Bosko (çerdhe)”.
Në Strategjinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të hartuar nga Bashkia e Tiranës për vitet 2018-2022, parashikohej ndërtimi i disa objekteve arsimore. Kështu, deri në vitin 2022 bashkia parashikonte të kishte ndërtuar 14 kopshte të reja, publike, nga të cilat 10 do të ishin pjesë integrale e shkollave të reja, që do të ndërtohen nëpërmjet procedurës së koncesionit. Deri në vitin 2022 bashkia premtonte edhe ndërtimin e 8 çerdheve të reja, nevojë që, sipas bashkisë, ishte emergjente për Tiranën. Ky institucion nuk iu përgjigj kërkesës së INA Medias se në ç’masë është realizuar ky angazhim.
Bashkia e Tiranës, e pyetur se çfarë plani afatgjatë ka për t`i adresuar këto dy shqetësime, pra për të rritur kapacitetet për kujdesin e fëmijëve dhe për të mbuluar me kopshte e çerdhe zonat që nuk kanë fare një të tillë, nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.
Pavarësisht kësaj heshtjeje, nëse i referohemi projektbuxhetit afatmesëm 2024-2026, bashkia shfaqet mjaft ambicioze në këtë drejtim.
“Infrastrukturë e përmirësuar, arsimore dhe akomoduese përmes ndërtimit të 13 shkollave dhe 22 kopshteve e çerdheve të reja, si dhe ndërtimi i 3 godinave të konvikteve dhe rikonstruksioni i 19 godinave të tjera deri në fund të vitit 2027”, – thuhet në relacionin shoqërues të PBA.
Ambicien në këtë drejtim Bashkia e Tiranës e ka shfaqur që prej vitit 2016, kohë kur nisi aplikimin e taksës së përkohshme të ndikimit në infrastrukturë, që u vendos me qëllim ndërtimin e objekteve të reja, arsimore.
Mesatarisht çdo vit bashkia ka arkëtuar 700 milionë lekë të reja nga kjo taksë, ndërsa në vitin 2025, që është viti i fundit i aplikimit, parashikon të arkëtojë 970 milionë lekë të reja. Por, pavarësisht kësaj, emergjenca për shtimin e kapaciteteve të kopshteve dhe të çerdheve është ende shumë larg gjetjes së një zgjidhjeje.
Gazetarja Hoxhaj e vlerëson pozitiv faktin që bashkia pranon më së pari që kanë nevoja specifike, por këmbëngul në akses për të gjithë.
Çmimet e disa kopshteve private në zona të ndryshme të Tiranës
Bletëzat (Kashar) 28 000 lekë/muaj
Dritë Dielli (Pazari i Ri) 27 000 lekë/muaj
Winnie the Pooh (Yzberisht) 20 000 lekë/muaj
Buçko (Brryli) 28 000 lekë/muaj
Mickey Mouse (Stadiumi Air Albania) 30 000 lekë/muaj
“Arsimi është e mirë publike dhe të gjitha familjeve duhet t`iu jepet mundësia, që të kenë akses në institucionet, që menaxhohen nga Bashkia e Tiranës dhe veç kësaj duhet të kenë akses, sepse janë dhe taksapagues të këtij qyteti, ku përfshihet edhe tarifa e përkohshme e infrastrukturës arsimore”, – përfundon ajo.