Berisha: Të mos lemë fatin tonë në duart e krimit, të ecim drejt fitores së opozitës

Hënë, 22 July 2024 12:12
 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur te ngjarjet e fundit kriminale në Shqipëri, duke lënë 5 viktima si pasojë e atentateve dhe vetëvrasjeve në burgjet e vendit, duke akuzuar drejtpërdrejtë Edi Ramën si kokën e krimit. ‘Krimi mori tre jetë në Memaliaj dhe dy jetë në burgun e Fushë Krujë. Koka e krimit në Shqipëri është Edi Rama’, u shpreh Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri historik Berisha theksoi se motoja e qeverisjes së PD-së ka qenë zero lidhje me krimin, duke akuzuar Edi Ramën se në momentin që erdhi në pushtet në vitin 2013, mbushi vendin me kanabis. ‘Motoja e qeverisjes së PD ka qenë, zero tolerancë krimit. Edi Rama sapo erdhi në pushtet mbushi vendin me kanabis’, u shpreh Berisha. 

Kryedemokrati Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla se është një ushtar dhe anëtar i bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Sipas tij, ‘Taulant Balla që drejton rendin është kryekëput një ushtar i krimi, një anëtar i bandave të Elbasanit, të Krujës, dhe Shkodrës’.

Kryetari i PD-së, ka vijuar me akuzat në drejtim të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, duke theksuar se nuk guxon të thotë gjysmë fjale në kuvend për vrasësin serial Nuredin Dumanin. Sipas Berishës, kjo gjë ndodh, sepse mund ta ketë përdorur vetë si vrasës me porosi, Nuredin Dumanin.

Në tubimin maratonë në ‘Rrugën e Shpresës', lideri i Pd, Sali Berisha u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të mos e lëmë fatin tonë në duart e krimit, por të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira. ‘Të mos lemë fatin tonë në duart e krimit, të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës’, u shpreh z.Berisha.

FJALA E PLOTË:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të madhe për ju, luftëtarë, qëndrestarë dhe qëndrestare të kauzës së drejtë.

Miqtë e mi!

Shqipëria u shndërrua në këto vite në protektoratin e krimit. Në çdo qelizë të këtij shteti, të bazuar në drogën, krimin e vjedhjen, krimi godet, krimi vendos, krimi sundon.

Rendi, jeta, siguria e shqiptarëve është sot në duart e tij, sepse narkoshteti nuk mund të jetë kurrë ndryshe veç se shtet i krimit.

Në harkun kohor të 24 orëve, krimi mori tre jetë në Memaliaj, dhe plagosi një qytetar. Plagosi një tjetër në Tale, por miqtë e mi, mori dy jetë të rinjsh në burgun famëzi të Fushë Krujës, të cilët vdiqën, njëri ditën e premte dhe tjetri të shtunën. Sipas xhelatëve të tyre shtetëror, vdiqën nga shkaqe natyrale, paçka se ishin respektivisht 39-32 vjeç.

Kam ngushëllime të ndjera për familjet e viktimave, por denoncoj para shqiptarëve sot, se kreu i krimit në Shqipëri, është Edi Rama.

Miqtë e mi!

Nuk ka asgjë më jetike, parësore, asgjë më vendimtare për të garantuar jetën, sigurinë, veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë, sesa zero toleranca ndaj krimit të organizuar.

Zero toleranca ndaj krimit të organizuar, siç jeni dëshmitarë ishte motoja e qeverisë së PD-së në vitet 2005-2013, moto me të cilën në 18 muaj u arrestuan, u vendosën para ligjit, të gjithë bosët dhe anëtarët e 200 e ca bandave dhe grupeve kriminale.

Ju kujtohet mirë, se jo vetëm që bosët nuk iknin dot, por u kapën, u arrestuan kudo që ndodheshin, në SHBA, Turqi, Suedi, Gjermani, Francë, Maqedoni dhe u vendosën para ligjit.

Ju jeni dëshmitar se drejtësia, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe gjykata përkatëse, një duzine prej tyre u dha burgim të përjetshëm dhe nuk pati asnjë dosje të shitur, nuk pati, asnjë rrjedhje informacioni, por u vendos ligji, siguria për jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë.

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, betejën e parë nëse u kujtohet, e nisi Saimir Droga me Edi Ramën duke nxjerrë në liri 120 oficerë të Policisë Kriminale, që kishin arrestuar dhe zhdukur një e nga një bandat shqiptare në Shqipëri dhe kudo që ishin.

Pas largimit të tyre, vendin e mbuloi me një platformë zyrtare kanabisi.

180 oficerë madhorë dhe të dytë, të Policisë shqiptare u shndërruan në kriminelë. Ata u bënë taksidarët, rojet dhe taksidarë të parcelave të kanabisit nga Alpet gjer në Konispol, duke marrë për vete tarifën e tyre.

Krimi arriti të vendosë pushtetin e tij. Edi Rama liroi një e nga një nga burgjet të gjithë ata të dënuar për jetë nga drejtësia, duke përdorur Skapin e partisë dhe drejtësinë e re.

Edi Rama si kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, pasi u kap Saimir Tahiri me trafik droge, emëroi në krye të rendit, Fatzi Xhafën.

Fatzi Xhafa që sot kryesor komisionin e antiqeverisjes dhe mbrojtjes së korrupsionit, në çdo ligj të botës, për shkak të vëllait të tij, trafikant ndërkombëtar, është subjekt i ligjit antimafia.

Në çdo vend të botës, pasuritë e tij përrallore konfiskohen.

Pas largimit të tij me skandalin e Geron Xhafës, sot rendin e drejton politikani më i inkriminuar i Shqipërisë, Tualet Balla.

Miqtë e mi!

Taulant Balla ish-student në Rumani u denoncua nga konsulli shqiptar i asaj kohe, sepse nxirrte viza dhe bënte trafik prostitucioni nga Rumania në Shqipëri, për në Itali.

I bëj thirrje memories tuaj, kujtohuni pak kur unë denoncoja klubet socialiste që furnizoheshin nga Taulant Balla për lidershipin socialist me prostituta nga Moldavia në Tiranë.

Taulant Balla me pasaportën e deputetit, ndiqej sepse e përdorte atë për kalimin e ngarkesave të drogës në Qafë Thanë dhe pika të tjera.

Taulant Balla është personi që u bë de fakto, politikani i lidhur kokë e xhep me bandën e Elbasanit, me Çelët dhe bandat e tjera, me Rrajat e Fushë Krujës, me Bajrit e Dobraçit në Shkodër dhe banda të tjera.

Taulant Balla është krimineli me tre telefona të koduar.

I denoncuar në sallën e gjyqit se ka porositur vrasje, i denoncuar se ka futur duart e tij të zeza në tendera për bandat.

Sot ai që drejton rendin është kryekëput një ushtar i krimi, është de fakto një anëtar i bandave të Elbasanit, të Krujës, dhe Shkodrës.

A nuk është pra miqtë e mi sot jeta, veprimtaria e qytetarëve shqiptarë në duart e krimit.

Sot kriminelët godasin në parlament, qeveri, rrugë, në burgje dhe kudo.

Shprehja më flagrante është rasti i Dumanëve.

Një Duman rrëfen se ka kryer 13 vrasje, ka marrë 13 shpirtëra, ka hapur 13 varre. Të gjitha me pagesë, nga Suel Çela, të gjithë me radhë, bandat gjer në Shkodër.

Dhe një ditë dosja e këtij të penduari, shitet, del në pazar, në të cilën implikohen me dhjetëra persona dhe nis një zinxhir dhjetëra vrasjesh.

Por i penduari i drejtësisë, i Altin Dumanit nga qelia e burgut si i penduar, imagjinoni urdhëron dhe vendos mina për të zhdukur dy vajza të reja, për shkak të ndjenjave të tij shtazore, kafshërore si vrasës.

I penduari i drejtësisë ky, ëë. I penduari i Dumanit. Dhe kur Taulant Balla pyetet në parlament nuk guxon të shqipërojë gjysëm fjale sepse mund të jetë vetë porositës, mund të ketë përdorur vetë, Nuredin Dumanin si vrasës me porosi.

Të gjitha këto janë një thirrje për çdo shqiptar.

Të mos lemë fatin tonë në duart e bandave, vrasësve dhe krimit.

Të marrim fatin tonë në duart tona dhe unë garantoj çdo qytetar të këtij vendi, se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, vrasësve, plaçkitësve, përdhunuesve.

Ligji do të ketë një nga një, kudo që të ndodhen, në të katër anët e planetit Rrajat, Ndokat, Dervishët, Bajrët, Çelët, me radhë do të vijnë siç erdhën Aldo Baret dhe kriminelët e tjerë.

Do të përballen me drejtësinë, por jo të mercenarëve si Dumani, por me drejtësinë e vërtetë, me ligjin dhe Shqipëria do të shndërrohet përsëri në vendin më të sigurtë.

Jeta e qytetarëve shqiptarë, puna, prona e tyre do të kenë sigurinë e plotë.

Ndaj dhe ftoj çdo qytetare e qytetarë të këtij vendi, të bashkohet me ne në këtë betejë.

Të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, ndryshimit, fitores së opozitës, fitores së Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...