Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të mbrojë qytetarët

Hënë, 22 July 2024 16:57
 
Nga Bujar Leskaj:
 

Gjatë vitit të kaluar, megjithë përpjekjet e bëra, sikurse rezulton edhe nga Raporti Vjetor 2023 i institucionit, gjykoj se, për fat të keq, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij në mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet në treg dhe me tenderat publikë, kryesisht për katër arsyet e mëposhtme.

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të kufizojë marrëveshjet e ndaluara në ofertat për tenderat publikë, duke mos parandaluar dhjetëra miliona euro dëm

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë edhe gjatë vitit 2023 denoncime të shumta, për rastet kur kompanitë private pjesëmarrëse në tendera shtetërorë, bashkëpunojnë me vetëdije përpara tenderit në ofertat që japin, duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg. Ka bërë deri tani të dy sytë qorr dhe veshët shurdh!

Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të fshihet pas mungesave të sotme të përkufizimeve në ligjin e konkurrencës, të marrëveshjeve paraprake në oferta. Rastet janë të shumta dhe po bëhen dominuese në tenderat shtetërorë me vlera të mëdha, ku kompanitë private, gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për entet shtetërore, pasi situata kartel në këto raste është e qartë.

Autoriteti i Konkurrencës (AK) i njeh mirë format e marrëveshjes në oferta në tenderat shtetërorë, të cilat mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë, sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë, e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë, e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor. AK i njeh mirë edhe rastet e ofertave të përmbajtura, kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë, apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur, në mënyrë që oferta e paracaktuar fituese në marrëveshje, të pranohet si e tillë.

AK njeh edhe ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre, sipas një radhe të caktuar. Po ashtu, njeh edhe ndarjen e tregut në tenderat publikë, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë një pjesë të tregut dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike të vendit.

Edhe pse i njeh mirë parregullsitë e mësipërme të vërtetuara në pjesën dërrmuese të tenderave shteterorë me fond limit mbi 100 milionë lekë, Autoriteti i Konkurrencës ka zgjedhur të lërë të qetë me dhjetëra e qindra tendera të tillë, duke kontribuar në dëmin ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në nivel me dhjetëra miliona euro në oferta të rritura artificialisht dhe shmangien e konkurrencës, me frikën se hetimet e tij në marrëveshjet paraprake në oferta, do të shqetësojnë shumë drejtues publikë të lartë, deri kupolën e sektit Rama. 

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të rregullojë tregun duopol të telefonisë celulare

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në rregullimin e situatës duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare përgjatë vitit 2023 dhe këtij viti, megjithë denoncimet, shqetësimet dhe ankesat e pareshtura të qytetarëve, një pjesë të përcjella nga mediat e vendit.

Situata duopol verifikohet kur në një treg të caktuar operojnë vetëm 2 operatorë, të cilët e shtrembërojnë tregun, si në rastin e Shqipërisë me dy kompanitë celulare.

Në tregun duopol, kompanitë i vendosin çmimet e tyre në marrëveshje me njëra tjetrën, duke shmangur konkurrencën e lirë dhe rënduar konsumatorin final, që janë mbi një milionë e tetëqind mijë qytetarë që banojnë në Shqipëri.

Ankesat e qytetarëve dëshmojnë se si në një treg të tillë, dy operatorët ofrojnë shërbime nën kosto, fillimisht duke e bërë tepër të vështirë hyrjen në treg të operatorëve të tjerë.

Më pas, për të rikuperuar humbjet e shitjeve nën kosto, këto kompani rrisin artificialisht çmimet e paketave të tyre në shifra të larta, njëherë që kanë siguruar klientelën. Qytetarët konsumatorë, duke mos patur alternativa të tjera, detyrohen të paguajnë çmimet e vendosura me marrëveshje nga duopoli.

Asnjë marrëveshje të tillë AK nuk ka qenë i aftë të zbulojë dhe hetojë, edhe pse denoncimet e qytetarëve ishin të qarta.

Rritja artificiale e çmimeve sjell në këtë treg edhe mungesën e inovacionit dhe ofrimit të shërbimeve të reja e më të mira për abonentët, pasi duke mos patur konkurrencë, firmat në duopol nuk kanë asnjë interes të zhvillojnë më tej shërbimin.

Duopoli është rast thuajse unik për tregjet celulare, jo vetëm në Europën e Bashkuar, por edhe në rajonin tonë. Nëse analizojmë vendet e Ballkanit, shohim se Rumania dhe Sllovenia kanë 4 operatorë të telefonisë së lëvizshme. Bosnja  dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi , Serbia dhe së fundmi edhe Maqedonia e Veriut kanë secila nga 3 operatorë. Vetëm Shqipëria ka 2 operatorë!

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të rregullojë tregun bankar dhe jo bankar të kredive dhe mikrokredive

AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Institucioni duhet të kishte rrokur iniciativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arsyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor.

Autoriteti i Konkurrencës duhej të kishte mbikëqyrur më me kujdes dhe fokus tregun e kreditit bankar dhe  tregun e ndërmjetësve financiarë, të cilët mobilizojnë kursimet e shqiptarëve për një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit, pasi kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta.

AK duhej të kishte punuar që të reduktohet ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare, por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve. Në këto tregje shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës ka një përgjegjësi dhe mision të qartë, në mbrojtje të qytetarit-konsumator dhe klient.

AK në asnjë rast nuk zbatoi praktikën e njohur, të ndjekur rëndom nga shumë struktura simotra perëndimore të tij, të njoftimeve dhe të paralajmërimeve, të bëra publike, ndaj operatorëve abuzues në treg, për të rritur presionin dhe për t’i frenuar ata në vijimin e abuzimit,

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të parandalojë dhe të luftojë situatat kartel në shumë tregje kryesore

Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrencës e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese, gjatë vitit 2023, institucioni duhej të kishte provuar më fort dhe me efektivitet të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, bazuar edhe në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit

Këto situata, të tipit monopol dhe oligopol, janë lënë të zhvillohen nga Autoriteti i Konkurrencës si metastaza kanceri, duke kapur të gjithë ekonominë tonë.

AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2023, në mos edhe me një ritëm më të shtuar.

Këto marrëveshje, kanë arritur që të dëmtojnë mirëfunksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe rëndë konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel.

Hetimet e thelluara nga Autoriteti i Konkurrencës në disa tregje prodhimi dhe tregtimi duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. Mungesa e gjobave shembullore në këto hetime të thelluara është shenjë e dobësisë së punës së AK.

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria,  shumicën dërrmuese të tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Përmend sërish situatën kartel të provuar plotësisht në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht.

Në tërësi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e një grushti kompanish te përkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë.

xxx

Këto përbëjnë arsyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga sekti qeverisës në pushtet, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...