Kryetari i opozitës, Sali Berisha, reagoi pasi KQZ shpalli fitoren e kandidatit Vangjel Tavo në zgjedhjet e Himarës.
Berisha shkruan se kjo ishte grabitja e radhës, ndërsa thekson se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
POSTIMI I PLOTË
Grabitja e radhës!
Të dashur miq, Edvin Gjipeja pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë, kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo.
Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, iu mohoi të drejtën kushtetuese të votës 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin.
Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipeja solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit.
Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qëndron mbi krimin monstruoz elektoral.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
O sot o kurrë!