Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kurti ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hritijan Mickoski, ndërsa pas takimit ata janë prononcuar për mediat.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se në takim janë diskutuar disa tema me rëndësi për të dyja shtetet.
“Kishim një mori çështje e tema që diskutuam që janë për të mirën e dyanshme e të përbashkët. Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të mira bilaterale, bazuar në vlera të përbashkëta me synim të qartë për integrim evropian. Urojmë që sa më shpejtë t’i fillojmë negociatat për në BE”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë së Prishtinës tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim biletaral në të gjitha fushat, duke shtuar se janë rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. “Shkëmbimi tregtar është rritur në gjysmë miliardi euro, dhe në këtë bashkëpunim ka investime reciproke në të dyja vendet”, tha ai.
Gjithashtu, Kurti tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kurti ka folur edhe për incidentin që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit në Aeroportin e Shkupit. Ai tha se ajo që ka përjetuar Osmani ka qenë përvojë e rëndë.
“Pa dyshim ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani, me dy gusht në aeroportin e Shkupit, ka qenë me familje dhe me dy vajza të vogla. Autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, theksoi ai. Kurti tha se në lidhje me këtë rast janë duke u marrë masa.