Media italiane “La Repubblica” ka publikuar një shkrim për kampin e emigrantëve në Gjadër. Sipas saj kampi në Gjadër pritet të hapet më 1 shtator.
"Testi i parë nga inxhinierët ushtarakë, për të hapur vetëm një pjesë të qendrës së paraburgimit në Gjadër është caktuar në 20 gusht, i dyti që duhet të japë dakordësinë për dorëzimin përfundimtar në Ministrinë e Brendshme për 1 shtator. Dhe nisja e kontingjentit të parë prej 500 personash, përfshirë policinë, karabinierët, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë, është planifikuar gjithashtu për 20 gusht. Më herët ishin dhënë dy data të tjera për hapjen, por tashmë konfirmohet se fillimi i javës së katërt të muajit starton edhe misionin e ri për qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës", shkruan “La Repubblica”.
Hapja e qendrës në Gjadër ishte parashikuar më 1 gusht, por u shty me disa javë, për shkak të të papriturave që shoqëruan ngritjen e saj në një territor të shkretë, ndërkohë që qendra në Portin e Shëngjinit, ku emigrantët do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi, është gati.
Marrëveshja, e cila parashikon të sjellë në Shqipëri emigrantët e kapur në det nga autoritetet italiane, është kritikuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.