Të dhënat ishin alarmante, por pasojat e rënies së popullsisë po kalojnë në heshtje

Saturday, 10 August 2024 10:50
 

Censi, ose ndryshe numërimi i popullsisë, një nga ngjarjet më të mëdha për një vend, që zhvillohet një herë në dhjetë vjet, po kalon pothuajse në heshtje.

Të dhënat ishin alarmante, duke filluar nga pakësimi i popullsisë me 420 mijë persona në një dekadë, plakja graduale e popullsisë deri te ndryshimi tërësor i strukturës sipas grupmoshave, që pa një përgjysmim të të rinjve dhe rritje të të moshuarve.

Nuk pamë asnjë anëtar të qeverisë të merrej seriozisht me këtë çështje, të analizonte tendencat dhe pasojat e saj në të ardhmen.

Përkundrazi, qeveria është shumë e zënë duke numëruar turistët që hyjnë në vend, apo duke kërkuar grupet armiqësore që po na sabotojnë!

Edhe vetë INSTAT, pjesën më të madhe të statistikave nuk i publikoi të krahasueshme me Censin e 2011, duke e vështirësuar interpretimin e shifrave. Imagjinoni, që ende nuk dihet se sa është popullsia në qytet dhe sa ajo në zonat rurale! 

Ndërsa qeveria po hesht, apo bën sikur nuk ka ndodhur gjë, ka një grup tjetër që është shumë më i ndjeshëm për tendencën e popullsisë: sipërmarrjet.

Në fakt, ato prej vitesh po i vuanin pasojat dhe ishin të parat që sinjalizuan se përmasat e emigracionit, – për të cilin qeveria justifikohet se është diçka normale, që ndodh kudo – në fakt nuk ishin aspak të tilla. Ka të paktën që para pandemisë, që biznesi po ankohej se nuk po gjente forcë punëtore të kualifikuar.

Dy vitet e fundit, jo vetëm që po mungonin punonjësit, por po “fironin” edhe konsumatorët. Rënia e fuqisë blerëse u kthye në një problem madhor, që për fat të mirë u amortizua deri diku (jo plotësisht) nga turizmi, me hyrjet e të huajve që arritën rekord dhe shënuan rritje dyshifrore pas pandemisë.

Tashmë që realiteti u konfirmua nga të dhënat zyrtare, bizneset po stepen edhe më tej.

Shifra e popullsisë, përbërja sipas grupmoshave dhe tendenca e tyre në të ardhmen janë elementet kryesore që shikon çdo sipërmarrje e cila vepron në tregun vendas në planet e biznesit afatshkurtra, afatmesme e sidomos ato afatgjatë.

Të anketuar nga “Monitor”, përfaqësuesit e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, që janë të përqendruar në tregun e shumicës e pakicës, pohuan se ata për momentin do të ngrijnë planet për investime.

Fuqia punëtore, që do të jetë gjithnjë e më pak e disponueshme për shkak të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe konsumi i dobët, kanë shtuar pasiguritë për të ardhmen.

Frenimi i investimeve do të thotë më pak vende pune të hapura, më pak inovacion e produktivitet, më pak fitime, më pak rritje pagash dhe mbi të gjitha, më pak taksa në buxhet, me një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë, duke çuar në ngadalësimin e saj.

Një zgjidhje normale, për një treg të vogël, do të ishin eksportet. Për sipërmarrjet vendase, kjo është thuajse e pamundur. Vitet e fundit, për shkak të uljes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, ekonomia po bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga importet.

Pas një përmirësimi deri në 2020-n, bilanci tregtar që mat diferencën mes eksporteve dhe importeve, është përkeqësuar sërish vitet e fundit, përfshirë pjesën e parë të këtij viti.

Mungesa e ekonomisë së shkallës, barrierat e padukshme tregtare, subvencionet më të larta që qeveritë u japin vendeve fqinje, formulat e paqarta dhe të rënduara të taksimit ndaj industrisë përpunuese, si dhe mosinvestimet nga vetë vendasit për rritjen e produktivitetit i kanë bërë bizneset jokonkurruese.

Këtu përfshihen edhe subjektet e agroindustrisë, të cilat kanë potencial për shkak të peshës së lartë të bujqësisë në vend, që është më e larta në Europë dhe kërkesës së fortë nga turizmi.

Turistët, një pjesë të valutës siç e sjellin, e marrin sërish mbrapsht nëpërmjet blerjes së ushqimeve të importuara. Goditjen e fundit eksporteve ua ka dhënë zhvlerësimi i euros, që u mbylli dhe shtegun e fundit të mbijetesës eksportuesve.

“Parashikojmë furtunë, ditë të errëta, sepse një popullsi e pakësuar me 420 mijë banorë, dhe më e mplakur janë tregues se është larguar mosha më vitale e popullsisë, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë si me tregun e punës, edhe me konsumin”, është citimi i një prej sipërmarrësve të intervistuar nga “Monitor”.

Ata e kanë të qartë realitetin, sepse e ndiejnë direkt në aktivitetin e tyre. Është qeveria ajo që duhet të tregohet vizionare dhe të ulet me këmbë në tokë, duke parë përtej sukseseve të momentit, që mund të vijnë prej turizmit, apo flukseve të parave të përqendruara në ndërtim.

E ardhmja nuk pritet të jetë e lehtë, nëse nuk reflektohet tani.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...