Skandali me ngjarjen në Pogradec/ Rrumbullaku mbron vartësit: Ishte konflikt çasti, e referuam si vrasje me dashje

E mërkurë, 14 August 2024 13:02
 

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mori në mbrojtje vartësit e tij në Pogradec pas akuzave se ata manipuluan ngjarjen e rëndë në Pogradec ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.

Edhe pse ngjarja u raportua fillimisht si aksident, Rrumbullaku tha se vartësit e tij nuk kanë bërë asnjë shkelje. 

Ai tha se nuk është fshehur ngjarja, madje kërcënoi se do ketë masa për të zbardhur këtë dezinformim.

Rrumbullaku tha se krimi nuk ka ndodhur për gjobëvënie, por tha se ai ka ardhur pas një konflikti të çastit.

Drejtori i Policisë së Shtetit hodhi indirekt topin edhe në anën e prokurorisë kur tha se ngjarja është referuar si vrasje me dashje, ndërkohë që akuza e ngritur ishte vrasje nga pakujdesia.

DEKLARATA E PLOTE

Nisur nga fakti se pavarësisht informacionit zyrtar të ndarë me publikun nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim i publikut përmes burimesh të ndryshme, lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e të ndjerit, ndjehem i detyruar të informoj opinionin publik, me përgjegjësi të plotë, si vijon:

Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. 

Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë. 
Kjo ngjarje është vlerësuar maksimalisht nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe ato të Komisariatit të Policisë Pogradec. 

Më konkretisht nga Policia:

1 - Është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes; 
2 – Është bërë njoftimi i spitalit;
3 - Është ngritur grupi hetimor; 
4 - Janë sekuestruar kamerat e lokalit; 
5 - Janë shoqëruar disa persona, që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes; 
6 -Janë kryer të gjitha veprimet e para në vendngjarje, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj të plotë. 

Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, të cilat janë të gjitha të dokumentuara dhe çdo i interesuar është i ftuar t’i shqyrtojë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes në kohë rekord. U identifikua dhe u arrestua autori, së bashku me tre shtetas të tjerë (këta të fundit për moskallëzim krimi) dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dha njoftimin e saj zyrtar, që për arsye të natyrave të ndryshme u anashkalua, deformua dhe madje u mohua. 

U ftuan mediat dhe kushdo që ishte i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohen Zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe jo t’u referohen burimeve jozyrtare. Nuk u paraqit askush, por u ngrit një tymnajë insinuatash, fabrikimesh dhe akuzash të neveritshme në adresë të Policisë së Shtetit. 

Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme. Por baltosja e saj si në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, po është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, sepse cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantit të rendit publik. Dua të bëj me dije se, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje. 

Ngjarja dhe roli i Policisë së Shtetit në lidhje me të janë të qarta si drita e diellit dhe po e ritregoj bazuar vetëm mbi provat e faktet. 

Në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Veprimet e kryera nga struktura policore të angazhuara për hetimin e zbardhjen e ngjarjes:

• Marrë njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09;
• Njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10;
• Shërbimi policor është paraqitur në vendngjarje për 3 minuta;
• Vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale;
• Ngritur grupi hetimor i specializuar, angazhuar drejtues të DVP Korçë, dhe struktura e posaçme për hetimin e vrasjeve;
• Këqyrur e sekuestruar pajisjet e kamerave të sigurisë që mbulonin fushëpamjen e vendit të ndodhjes së ngjarjes së rëndë kriminale, pajisje që administrohen nga institucioni i Prokurorisë për ekzaminim.

Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konfliktit është larguar nga vendi i ngjarjes, por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

E theksoj, “Vrasja me dashje”! 

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin, duke penguar zbardhjen e së vërtetës. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë. Por të pretendohet dhe të propagandohet se, Policia e Shtetit tentoi ta fshihte ngjarjen apo të zbuste rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë në kohë rekord dhe me motivin “Vrasja me dashje”, kjo është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme.

Ftoj publikun dhe median të kenë besim te Policia e Shtetit, te punonjësit në çdo skaj të vendit, për punën dhe sakrificën e tyre që bëjnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike për qytetarët vendas, vizitorët dhe turistët, si dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të marrë informacion zyrtar e të besueshëm.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...