Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka denoncuar me foto plehrat të cilat ndodhen në rrugën “Karl Gega”, zonën ish-Stacioni i Trenit, Njësia 9 dhe që nuk janë pastruar nga bashkia për ditë me radhë.
Sipas Këlliçit, kjo është pamja e zakonshme e dhjetëra mijëra banorëve të kësaj njësie dhe jo vetëm.
Ai thekson se Tirana prej vitesh është e ndotur në çdo lagje e rrugicë të saj dhe kazanët e mbeturinave janë kthyer në një makth për çdo kryeqytetas.
"Përpos thithjes së ajrit më të ndotur në Europë, falë inceneratorit inekzistent, tashmë jetojmë edhe në kryeqytetin më të ndotur të Europës. Të gjitha këto “arritje” madhore na i ka mundësuar pronari faktik i inceneratorit Tiranë dhe kreu i '5D', Erion Veliaj!", shprehet Këlliçi.
Këlliçi nënvizoi më tej se qytetarët paguajnë 24 milionë euro në vit për pastrimin e Tiranës dhe kemi paguar deri tani 132 milionë euro, për inceneratorin që nuk ekziston.
Reagimi i plotë:
Një e dielë e zakonshme në “Kryeqytetin Europian të Pastërtisë”!
Kjo situatë katastrofike, me plehrat kapicë në 40 gradë, si një burim epidemie në mes të Tiranës, në rrugën “Karl Gega”, ish-Stacioni i Trenit, Njësia 9, është pamja e zakonshme e dhjetëra mijëra banorëve të kësaj njësie dhe jo vetëm. Tirana prej vitesh është e ndotur në çdo lagje e rrugicë të saj dhe kazanët e mbeturinave janë kthyer në një makth për çdo kryeqytetas!
Përpos thithjes së ajrit më të ndotur në Europë, falë inceneratorit inekzistent, tashmë jetojmë edhe në kryeqytetin më të ndotur të Europës. Të gjitha këto “arritje” madhore na i ka mundësuar pronari faktik i inceneratorit Tiranë dhe kreu i "5D", Erion Veliaj!
Tani mediat e paguara nga inceneratori dhe "5D", le të shfaqin kronikat e përditshme të pyllit orbital me 2 milionë pemë, shtimit të fushave të gjelbra në kryeqytet dhe transportit publik të mrekullueshëm, të cilin tani kreu i "5D" ka nisur ta premtojë falas!!!
Ndërkohë mos harroni se paguajmë 24 milionë euro në vit për pastrimin e Tiranës dhe kemi paguar deri tani 132 milionë euro, për inceneratorin që nuk ekziston!