Presidenti Bajram Begaj akuzohet për plagjiaturë/ BIRN: E kopjoi 100% nga një shoqatë amerikane

Hënë, 26 August 2024 20:02
 

Presidenti i Republikës Bajram Begaj mbajti të hënën një ceremoni dekretimi për rektorët e rinj të universiteteve publike në vend duke anashkaluar akuzat për plagjiaturë ndaj rektorit të rizgjedhur të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.

Ndërkohë që kërkonte nga rektorët e rinj “përmirësim të kërkimit shkencor”, Begaj, një mjek me profesion që mban titullin shkencor “Profesor i Asociuar” u përball vetë me akuza për plagjiaturë për një artikull shkencor të publikuar në vitin 2014.

Akuzat erdhën nga studiuesi Taulant Muka, i cili pretendoi se artikulli me bashkautor Begajn është kopjuar në masën 100 për qind nga materialet e leksioneve të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut.

Sipas Mukës, përveç tekstit presidenti vendos edhe të dhënat për SHBA si të dhëna për vendin tonë.

“Tashmë presidenti i shtohet listës së gjatë të shumë figurave politike që kanë ndërtuar karrierën akademike mbi vjedhjen e pronës intelektuale”, shkruan ai në rrjetin social ‘Facebook'.

Të dy materialet online të publikuara nga studiuesi janë dukshëm të njëjta, por në një përgjigje për BIRN, zëdhënëse e presidentit Arta Sakja pretendoi se “çdo e dhënë është e referuar sipas kritereve të caktuara nga metodologjia e punimeve akademike”.

Sipas presidencës,  revista ku ishte publikuar artikulli ishte “revistë me standarde të larta” dhe se ishte botuar “pas kalimit nëpër filtra të fortë dhe një komisioni të posaçëm vlerësimi”.

Por Muka e quan edhe vetë qëndrimin e presidencës një plagjiaturë duke theksuar se nuk është revista që e përcakton nëse është plagjiaturë ose jo.

“Ky argument është përdorur dhe nga ish-ministrja e arsimit duke treguar një inferioritet ndaj ndërkombëtarizmit në vend që të rëndësisë për vlerat e vërteta shkencore”, i tha ai BIRN.

Për rastin reagoi dhe “Qëndresa Qytetare”, një organizatë civile që merret me problematikat në arsim sipas së cilës, arsimi cilësor nuk mund të arrihet me drejtues “plagjiatorë”.

Drejtori ekzekutiv Rigels Xhemollari i tha BIRN-it se argumenti i presidencës nuk qëndron dhe se rasti i denoncuar nga Muka nuk lë vend për të diskutuar nëse janë cituar referencat apo jo.

“Kjo është 100 për qind plagjiaturë”, tha ai.  “Duket qartë në artikull që presidenti ka marrë të dhëna të 2004 dhe i ka publikuar 10 vite më pas, ka marrë të dhëna të SHBA duke ia veshur si të dhëna të Shqipërisë”, shtoi Xhemollari.

Artikulli shkencor me titullin “Vlerësimi dhe menaxhimi i çrregullimeve gastrointestinale gjatë shtatzënisë” me bashkautor Bajram Begaj dhe Rustem Celami u publikua në vitin 2014 në revistën “Advances in Life Science and Technology”, një revistë që nuk renditet në platformat e impaktit shkencor, ‘Thomson Reuters' dhe ‘Scopus'.

Renditja në këto platforma kërkohet nga ligji shqiptar i Arsimit të Lartë si kusht për të fituar një titull akademik.

Çdo studiues mund të publikojë artikuj në këtë revistë kundrejt një pagese që luhatet nga 160 USD deri në 325 USD.

Rektori i ri i Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Dracini i cili u dekretua dje nga Begaj nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi nëse artikulli në fjalë u përdor në dosjen për të fituar titullin shkencor nga ana e Begajt.

Gjatë zgjedhjeve në universitete në muajin qershor Universiteti i Tiranës dhe Ministria e Arsimit heshtën pas publikimit nga Muka të dy kallëzimeve sipas të cilave rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha kishin bërë plagjiaturë në tezat e doktoraturës.

Verifikimi i punimeve shkencore të stafit akademik në Universitetin e Tiranës ishte një nga kërkesat kryesore të studentëve në protestat masive të vitit 2018. Qeveria u premtoi atyre se ky verifikim do të kryhej.

Më pas Ministria e Arsimit lidhi marrëveshje me një platformë elektronike që do të mundësonte këtë verifikim, por procesi nuk u ndoq dhe nuk dha rezultate. Në viti 2020, ministria ia kaloi detyrimet për verifikim vetë universitetit, por prej vitit kur u ndërmor kjo nismë, nuk ka asnjë rast të kapur në plagjiaturë prej institucioneve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...