CNA ekskluzivisht raportoi se, oficerët e BKH-së pas urdhrave të prokurorit të SPAK-ut kanë shkuar dhe kanë sekuestruar një mal me dosje dhe dokumente në Bashkinë e Tiranës.
Dokumentet që janë marrë nga oficerët e BKH-së kanë lidhje me disa çështje që janë në hetim në lidhje me Bashkinë e Tiranës.
CNA ka mësuar se dokumente janë tërhequr dhe për të tjera çështje siç janë shembja e Teatrit, ndërtimi te 5 Maj, kullat në Tiranë e kështu me radhë dhe mjaft dokumente të tjera të cilat i shërbejnë hetimeve në lidhje me shumë çështje që ka ndaj Bashkisë së Tiranës.
Pas raportimit nga CNA edhe drejtuesi politik i PD-së, Belind Këlliçi, gjatë një interviste për mediat është shprehur se SPAK ka vizituar Bashkinë e Tiranës dhe janë kryer një sërë sekuestrimesh të dosjeve që janë të përfshira në dy skandale, atë të inceneratorëve dhe aferës 5D.
“SPAK ka patur një vizitë në Bashkinë e Tiranës. Ka patur një sërë sekuestrimesh të dosjeve që janë të përfshira në këto dy skandale, atë të inceneratorëve dhe 5D”, tha Këlliçi.