Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, ka folur në lidhje me projektin e Ballkanit të Hapur.
Sipas tij, ky projekt ishte për të kapitulluar Kosovën dhe ndarjen e saj.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të thellë për ju qëndrestarë dhe qëndrestare të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Misionarë të kauzës së dinjitetit, të kauzës së atdhetarisë dhe interesit kombëtar.
Protestat tuaja janë protesta për çdo shqiptar.
Por janë protesta për çdo qytetar evropian, që beson tek liria, tek dinjiteti, vlerat dhe shteti ligjor.
Protesta juaj ka qenë dhe mbetet një protestë në mbrojtje madhore të interesit kombëtar të shqiptarëve.
Të dashur miq, dy vite më parë ju u ngritët në këmbë në prag të samitit të Ballkanit ruso-serb, Ballkanit të Hapur, në një protestë që u shënua në rajon dhe në Europë.
Argati i Aleksandër Vuçiçit, Edi Rama, ndërmori një nismë ruso-serbe, mbështeti një nismë, të cilën ne e denoncuam që në takimin e saj të parë.
Një nismë që mbështetej fuqishëm nga Sergei Lavrov dhe Aleksis Soros, dy armiq të kombit shqiptar.
Me Ballkanin e Hapur, Edi Rama shtriu hegjemoninë serbe në Shqipëri, Maqedoni.
Izoloi Kosovën dhe kjo ishte nisma, e cila pas ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, duhet të sillte kapitullimin përfundimtar të Kosovës, rënien e saj në prehrin e Serbisë, ndarjen e saj midis Vuçiçit dhe argatit të saj në Tiranë.
Por opozita shqiptare e denoncoi dhe nuk e pranoi kurrë.