Disa muaj pa paga, punonjësit e aeroportit të Vlorës bllokojnë punimet në kantier!
Nisin hallet edhe për aeroportin e Vlorës. Ende pa u përfunduar mirë gjysma e punimeve, punonjësit kanë dalë në protestë. Ata kanë protestuar mëngjesin e kësaj të mërkure në hyrje të kantierit të ndërtimit për mosdhënien e pagave.
Punëtorët janë shprehur se ata nuk kanë marrë pagat prej disa muajsh.
Protesta e tyre ka zgjatur dy orë. Punonjësit u shprehën se nëse nuk ka një zgjidhje për situatën, do të bllokojnë punën derisa t'u jepen pagat e munguara.
Një pjesë e tyre janë larguar në shtëpi, një pjesë i janë rikthyer punës deri të premten. Nëse nuk kalohen pagat, të premten do të ketë pezullim të punimeve dhe protestë tjetër.
"Drejtuesit duhet të dinë gjendjen që po kalojmë dhe mos ta marrin me të tallur. Nuk shtyhet më me fjalë, hë se do e rregullojmë, hë se do e rregullojmë, punëtorët nuk vijnë më në punë. Unë nuk bëj shaka, ti je autoritari ku ne të kërkojmë llogari ty dhe ti i kërkon llogari atyre më lart, ne duam një gjë të saktë për punën e pagesave."- u shpreh një nga protestuesit.