Një ditë pas reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë në qytetin e Vlorës, situata vijon të jetë problematike kryesisht në biznese dhe banesa, por edhe në rrugët që janë nën ujë ende. Me dhjetëra biznese dhe familje janë përballur me hyrjen e ujit, duke shkaktuar dëme në orenditë familjare dhe në bizneset, ku dëmet arrijnë deri në 100 mijë euro.
33 familje dhe 55 persona janë evakuar mbrëmjen e djeshme për t'u strehuar në konviktet e shkollës Industriale.
Pronaret e bizneseve tregojnë momentet e hyrjes së ujit në dyqane, duke dëmtuar çdo gjë.
Fotaq Veneti, pronari i një farmacie, tregon momentet kur uji hynte në dyqan dhe ata qëndronin brenda për t'u mbrojtur sa më shumë ilaçet, por ishte e pamundur pasi uji arriti nivelin maksimal. Ai njoftoi zjarrfikësin që të hapte qepenin për të dalë nga dyqani.
Po ashtu, edhe bizneset e tjera tregojnë për situatën që shpesh herë ndodh në këtë zonë, por kjo ishte më e vështira. Ndërkohë, për ndihmën e Bashkisë së Vlorës kanë mbërritur edhe Forcat e Armatosura.
Nga reshjet ka pasur dhe shkarje dherash, ku në bypass-in e Kaninës, rruga është e bllokuar për automjetet.