Grupi Parlamentar i PD-së ka paditur në Prokurorinë e Posaçme, deputetin socialist Plarent Ndrecajn, pasi mori drejtimin e Komisionit Hetimor në Shëndetësi dhe nuk lejoi opozitën të merrte pjesë në mbledhje.
Gjithashtu Grupi i PD-së ka kallëzuar edhe sekretarin e Kuvendit, Genc Gjonçaj dhe punonjës të Gardës.
Ata u kallëzuan në SPAK për akuzën “shpërdorim i detyrës”.
Bëhet fjalë për Komisionin Hetimor për Check Up dhe Sterilizimin të datës 8 Tetor, ku drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetari Ndreca, ndërsa kryetarja Albana Vokshi nuk ishte e pranishme në sallë.
I thirrur për t’u marrë në pyetje në seancën dëgjimore ishte Arben Gjata. Kujtojmë që Plarent Ndreca ka qenë avokat i dëshmitarit Arben Gjata për çështjen e “Sterilizimit”.