Gjyqi ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha, nis me shkelje.
Dy ditë më parë u hodh shorti dhe u përzgjodh që gjyqtarja paraprake do ishte Flojera Davidhi. Kjo e fundit do të përcaktojë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.
Por edhe pse pala e paditur ka 10 ditë në dispozicion për t’u përgatitur, Davidhi e ka nisur procesin me shkelje. Ajo ka dërguar një fletë-thirrje për avokatin e kreut të opozitës, Genc Gjokutaj, ku e njofton që të paraqitet me datë 24 tetor për t’u paraqitur në gjykatë për t’u dëgjuar si mbrojtës i Sali Berishës. Në fletë-thirrje theksohet se mosardhja pa shkaqe të arsyeshme shkakton pasoja sipas ligjit.
Kujtojmë se pasi Davidhi u përzgjodh si gjyqtare paraprake, mediat pranë Ramës publikuan një portret të gjyqtares që do ketë në dorë këtë dosje. Davidhi kaloi vetingun edhe pse pati shpallur të pafajshme një zyrtare, e cila ishte filmuar nga një emision investigativ duke marrë ryshfet. Vetë e pandehura kishte kërkuar të dënohej, por gjyqtarja vendosi për jo.
Gjyqtarja Davidhi është bërë pjesë e sistemit të drejtësisë në vitin 2014 me përfundimin e Shkollës së Magjistraturës. Pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në tetor të vitit 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor të drejtuar nga Artur Metani.
Pas kalimit të procesit të vetingut, në maj të vitit 2021, Davidhi katapultohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ndër vendimet e rëndësishme që Davidhi ka marrë gjatë detyrës si gjyqtare, dhe që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të sensibilitetit, kanë qenë lirimi nga qelia i Vangjush Dakos, pas përfundimit të afateve të paraburgimit dhe refuzimi i kërkesës së Fredi Belerit për t'u betuar dhe për të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës.
Ndërkohë në tjetër vendim, i marrë nga kjo gjyqtare fill pas emërimit në GJKKO, ka qenë ai ku detyron SPAK që të hetojë kallëzimin e bërë nga Idajet Beqiri, për hetimin e ish-presidentit Ilir Meta dhe liderit të opozitës Sali Berisha si grup të strukturuar kriminal, si frymëzues dhe përfitues të vjedhjes së arit në tunelet e Kërrabës.
Edhe pse SPAK vendosi mosfillimin e hetimit, duke e hedhur posht këtë pretendim të Idajet Beqirit, gjyqtarja Davidhi kërkoi nga prokurorja e çështjes që të kryejë hetime mbi pasurinë e Metës dhe Berishës.