Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha e vuri theksin sërish tek krijimi i Komisionit të të Vërtetës, që të zbardhë rolet e qeveritarëve, Edi Ramës, ministrave dhe lidhjet e tyre me krimin, role të zbuluara nga përgjimet e SKY-t.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Një hordhi e tërë zyrtarësh, komisarësh, skrapistësh, po përdor çdo mekanizëm në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila dje në një verdikt historik, do ta quaja në raport me betejën me krimin, i shpalli prova të vlefshme të gjithë gjetjet në serverat e telefonave të koduar, SKY EÇ.
Ju kujtohet qytetarëve se e dashura e McGonigal deklaroi se McGonigal fliste me SKY EÇ me Edi Ramën.
Prapa kësaj përpjekje të jashtëzakonshme qëndron pjesëmarrja direkte në krime e qeveritarëve nga Edi Rama, Taulant Balla, Agaç e kompani.
Dokumente të shumta faktojnë se këta janë emrat më të qarkulluar dhe se komisarët e policisë që përdoren rëndom, servilen si mish në karrem, janë thjesht ushtarë krahasuar me lejtnantët ministra dhe qeveritarë.
PD, duke pasur luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar si një shtyllë kryesore të programit, garanton shqiptarët se Komisioni i të Vërtetës, i përbërë nga qytetarë, nga zyrtarë, anëtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, do të jetë përpjekja e saj më madhore dhe programi i saj.
Në rast se ne nuk zbardhim, nuk bëjmë publike lidhjet e krimit nga bodrumet gjer tek zyra e kryeministrit, Shqipëria do të mbetet skllave dhe krimi do mbetet vendimmarrësi në këtë vend pa një të ardhme.