Duke komentuar edhe njëherë vendimin e Gjykatës së Strasburgut për pranimin si prova të përgjimeve të SKY, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, ky ishte një vendim historik.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Do të jetë një nga kërkesat që do paraqesim në Bruksel, në Strasburg, në Kongresin e SHBA dhe Senatin e këtij vendi pas zgjedhjeve, në të gjitha parlamentet e Europës.
Ne do bëjmë detyrën tonë, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk është vetëm një problem shqiptar.
Sepse telefonat e krimit, të përdorur nga bandat, nga 60 mijë në planet, 15 mijë ishin në duart e shqiptarëve, 8 mijë ishin brenda në Shqipëri, përqendrimin më të lartë në zyrën e Këshillit të Ministrave, 74 copë.
Pra, nuk është vetëm një problem shqiptar, ky është një problem ndërkombëtar.
Është çështje e vullnetit për t’u përballur dhëmb për dhëmb me mafien dhe për të triumfuar mbi të.
Kur të shihni ju se si përcaktoheshin në zyrat e Këshillit të Ministrave fituesit e tenderave dhe koncesioneve, do kuptoni se sa fiktive ishin garat.
Fatmirësisht këto 1 milion fletë janë të sigurta në duart e atyre agjencive që i bënë një shërbim të jashtëzakonshëm betejës kundër krimit dhe Gjykatës së Strasburgut, e cila në një vendim historik... Gjykata e Strasburgut është gjykata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ajo gjykatë i legjitimoi 100 përqind ato dje.
*
Edhe njëherë dua të garantoj qytetarët se beteja me krimin e organizuar është e një rëndësie vendimtare për të ardhmen tonë dhe se PD do të adaptojë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Dhe se kjo parti, në betejën e saj për votën e lirë, do të shtojë si objektiv madhor të programit të saj, krahas atij social, zbardhjen, transparencën me Komisionin e të Vërtetës, jo politik, nga qytetarë pa parti, anëtarë të shoqërisë civile, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të dekriminalizimit.
Për Shqipërinë është sot më aktuale se kurrë dekriminalizimi i shtetit.