Një grup të rinjsh sot u shfaqën te Maratona e Tiranës duke mbajtur të veshur bluzën me fytyrën e Ardit Gjoklajt, adoleshentit që humbi jetën në landfillin e Sharrës.
Një event botëror e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, maratonën e sotme dhe pikërisht Ardit Gjoklaj duhet të ishte në këtë event botëror për të mos u harruar kurrë, jo vetëm nga shqiptarët, por nga e gjithë bota se si një ri i varfër punonte në një landfill, atje ku u gjet edhe i vdekur.
Dikush luan me tezën se e hodhën nga jashtë, dikush se e vrau eskavatori, por këto nuk kanë asnjë pikë rëndësie. Thelbi është se një i ri 17 vjeç punonte në një zonë ku hidheshin male me plehra, një zonë e cila mori jetën e tij, gjakun e tij.
Historia është një plagë e madhe, pasi të gjithë duan të luajnë me përgjegjësinë, kur në fakt në landfill e kishte përgjegjësinë një kompani private në varësi të Bashkisë së Tiranës, është thjesht dhe vetëm Bashkia e Tiranës.
Mbi gjakun e Ardit Gjoklajt më vonë, po në atë vend, u dha një kontratë koncesionare rreth një miliard euro korrupsion, aferë, skandal, media të kapura që i shërbyen ndoshta me qëllim edhe humbjes së jetës së Ardit Gjoklajt, për ta maskuar atë, u shërbyen edhe inceneratorëve, aferës njëmiliardëshe.
Ndaj dhe Ardit Gjoklaj nuk duhet të harrohet, ndaj dhe sot duhet të ishte në një event botëror siç i pëlqen kryebashkiakut të Tiranës, i cili veten herë e quan zdroms e herë klient, por në fakt ka një detyrë që e ngarkon me përgjegjësi ligjore, ndërsa vrasja e Ardit Gjoklajt shkon përtej saj, është përgjegjësia morale për një krim që ndodhi në Sharrë dhe mbi gjakun e tij më pas u vulos një koncesion korruptiv qindra miliona euro.