Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e mbajtur me mediat, u shpreh se, ishin skapistët ata që i thanë Jurgis Çyrbjen që të dorëzojë mandatin dhe të mos e çonin dosjen e tij në parlament.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Të dashur miq, rasti Çyrbja, Çyrbja Jurgis ishte një emër më i panjohuri që mund të ishte, një ushtar i Avdylajve.
Por, mos harroni se dosja e tij ka filluar në vitin 2021 dhe gjer para një jave, ai po merrej për shpërdorim detyre, pavarësisht se regjistrimet në SKY EÇ e implikonin këtë kriminel në vepra shumë të rënda kriminale.
Por këtu gjithçka ishte porosia e Edi Ramës, gjersa dikush brenda Skapit guxoi të kërkojë përfshirjen në aktakuzë të krimeve më të shëmtuara, nga të cilat Dumani me bandën e tij kërkonte ta clironte Jurgis Çyrbjen me porosi të Edi Ramës.
E turpshme, kriminale, demaskuese, poshtëruese për Skapin është rruga që u ndoq.
Kolegët e Erion Veliajt harrojnë se mandati është nuk është i deputetit, mandati është i parlamentit, dhe parlamenti përfaqëson popullin shqiptar më shumë se çdo institucion tjetër.
Në mungesë totale respekti për qytetarët e këtij vendi, por edhe të Kushtetutës, ata thirrën kolegun e tyre Çyrbja, i thanë, interesi i partisë dhe Edi Ramës nuk është që ne të vijmë në parlament, dorëzoje atë mandat që të mos dalë para shqiptarëve dosja e tmerrshme e krimeve që ke kryer me Edi Ramën dhe banditë të tjerë.
Skapistët, kjo racë e shpifur mercenarësh, në vend se ta sillnin, të vinin në parlament me kërkesën për heqjen e imunitetit, të dilnin para shqiptarëve se pse kërkojnë heqjen e imunitetit të Jurgis Çyrbjes, të mësonin të gjithë qytetarët të vërtetën e asaj dosje të madhe krimi, në të cilën njeriu që hetohej, ishte dyshi pas Edi Ramës në listën e Durrësit, por jo, ata preferojnë të zbatojnë urdhrat e Edi Ramës, të sillen si një seksion i PS, i varur nga Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, etj.
Ky është një qëndrim i turpshëm, antikushtetues.