Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i ka dërguar fletëthirrje Plarent Ndrecës dhe pritet që t’i komunikojë akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Burime bëjnë me dije se SPAK ka mbyllur hetimet lidhur me tenderin për rikonstruksionin e komisariateve.
Dyshohet se Ndreca e ka kryer veprën penale në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ndreca do të përfaqësohet nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj.
Plarent Ndreca akuzohet lidhur me rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në 4 Komisariate.
Nga procesi i auditimit rezultoi mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje depozitoi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.