Kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar se fondet e buxhetit janë të mjaftueshme për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Këtë e bëri publike në konferencën me gazetarët, teksa tha se kjo nuk mundësohet nga Rama për shkak se fajëson bizneset për këtë, si e vetmja formë që sipas Berishës, do t’i mundësonte atij vjedhjen.
Sipas liderit të opozitës, Rama u përpoq të paraqesë para pensionistë si mburojë për talljen e tij, murin e informalitetit.
Informaliteti, thekson Berisha ekziston dhe duhet luftuar, por çdo qeveri, rritjen e rrogave dhe pensioneve e bazon në të ardhurat që mbledh për buxhetin.
Ku ishte ligësia dhe pashpirtësia ekstreme e Edi Ramës?
Ishte mashtrimi i dytë i tij. Ai kishte marrë biznesmenë në sallë dhe vetëm sa nuk u thoshte se keni kryer krime kundër njerëzimit, pensionistëve, se ju mbani punëtorë informalë apo deklaroni rroga të ulëta.
Ju lutem shumë çdo pensionisti dhe pensionisteje, çdo qytetari dhe qytetareje të më ndjekë në këto moment.
Edi Rama ka dërguar në parlament buxhetin prej 8 miliardë euro dhe me krenarinë se është buxheti më i madh i kohërave.
Ky buxhet 8 miliardë euro, të dashur pensionistë, asnjë qindarkë nuk vjen nga qeveria dhe administrata, i tëri vjen nga bizneset.
Por unë po ndalem përsëri, fondet e nevojshme për të rritur, për të vendosur minimumin jetik 200 euro dhe për të pasur për çdo shqiptar një pension 200 euro dhe për të rritur çdo pension tjetër mbi 20 përqind, ekzistojnë pa asnjë lloj shtrëngimi në 8 miliardëshin që paguajnë biznesmenët shqiptarë, taksa, tatime, etj.
Pra, Edi Rama u përpoq të paraqesë para jush të dashur pensionistë si mburojë për talljen e tij me pensionet tuaja, murin e informalitetit.
Ai nuk e shpiku, informaliteti ekziston dhe duhet luftuar,por çdo qeveritar dhe çdo qeveri, rrogat dhe pensionet, rritjen e tyre e bazon në të ardhurat që mbledh për buxhetin, dhe këto të ardhura sipas tij do jenë 8 miliardë euro.
Doja t’u shpjegoja me të gjitha mundësitë e mia se sa i pashpirt është ky njeri.
Mos harroni se rrogat e shqiptarëve janë në total rreth 800 milionë euro, pra 7.2 miliardë euro teprojnë në buxhet.
U garantoj ju edhe për të rritur 100 përqind rrogat dhe pensionet.
Por si ka mundësi që këta shpifarakë dalin para jush e u thonë se fajin e kanë këta që nuk regjistrojnë punëtorin, në një kohë kur unë kam këtu para 8 miliardë?
Por këta nuk i japin se i vjedhin dhe vetëm i vjedhin.
Ua përsëris, për zgjerimin të rrugës 34 km Tiranë-Durrës, e cila ju garantoj me përgjegjësi absolute se nuk mund të shkojë kurrë më shumë se 50 milionë euro, këta pasi përcaktuan 150 milionë, Lubi Balluku me Edi Ramën kalojnë në 300 milionë euro brenda një harku kohor njëmujor. Jo, thanë, dy korsitë që do shtohen në autostradë do kushtojnë 300 milionë euro.
Apo rruga Tiranë-Ndroq, një rrugë 37 km, e cila nuk mund të kushtojë më shumë se 35 milionë euro, në terren fushor, të butë kudo që kalon, nga 40 e ca milionë që ishte parashikuar, u dyfishua, kaloi në 90 milionë.