SPAK ka venë në masë sigurisë dy denoncuesit për aferën e inceneratorëve, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ndërkohë që Erion Veliaj i akuzuar nga ata si përgjegjës i skandalit, vijon të paguajë miliona të tjerë koncesionarit të Sharrës. Dy ditë më parë, Bashkia Tiranë ka paguar faturën e radhës 750 mijë euro në llogaritë e kompanisë koncesionare të mbetjeve, për një shërbim që nuk ekziston. Pagesa është kryer për periudhën Korrik-Gusht 2024, pikërisht në kulmin e krizës mjedisore që përfshiu të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës, ku mbetjet nuk pastrohen për javë duke u përhapur rrugëve të kryeqytetit.
Ndërkohë që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, dy nga denoncuesit kryesorë të aferës së inceneratorëve po përballen me penalitete të rënda në një proces gjyqësor që e konsiderojnë mirëfillti politik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vijon të paguajë pa asnjë shqetësim faturat qindra mijëra euro për djegësin inegzistent të Sharrës.Të mërkurën e kësaj jave, Bashkia e kryeqytetit ka paguar faturën e radhës në vlerë 743 milionë lekë të vjetra ose rreth 750 mijë euro në llogaritë e kompanisë koncesionare të mbetjeve, “Integrated Energy bv”.Në përshkrimin e faturës thuhet se pagesa kryet për depozitimin e mbetjeve urbane për periudhën Korrik-Gusht 2024, pikërisht në kulmin e krizës mjedisore që përfshiu të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës.
“Syri Televizion” ka raportuar gjatë verës për situatën e rënduar të mbetjeve urbane në kryeqytet në kulmin e sezonit veror, ku, në çdo rrugë e rrugicë dalloheshin kazanë të mbushur plot, të papastruar për ditë të tëra. Dyshohet se kriza mjedisore e mbetjeve urbane, e cila dallohet edhe së fundmi, ka ardhur si shkak i ezaurimit të territorit të landfillit, pasi mbeturinat nuk përpunohen dhe nuk digjen për shkak të mungesës së impiantit të incenerimit. Koncesioni i landfillit të Sharrës përbën skandalin më të rëndë financiar të asaj që konsiderohet “afera e inceneratorëve”. Në fund të gushtit 2017, qeveria shqiptare miratoi kontratën me kompanive “fantazmë”, Integrated Energy bv, për një kosto koncesionare me vlerë 128 milionë euro, por me një kosto reale shumë herë më të lartë.Afera e inceneratorit të Tiranës është nën hetim prej të paktën 4 vitesh nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Deri më tani, në pranga për këtë aferë janë vendosur disa ish-zyrtarë, ku shumica absolute e tyre janë të dorës së dytë.Opozita, por jo vetëm, kanë denoncuar me fakte dhe dokumenta se pas aferës së inceneratorëve qëndrojnë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, ky i fundit për koncesionin e Sharrës.
Deputetja Monika Kryemadhi, e cila së fundmi është vendosur nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, deklaroi para mediave se hetim penal ndaj saj dhe ish-bashkëshortit, ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili u vendos në “arrest në burg”, është një proces hakmarrjeje ndaj denoncimeve që ata kanë bërë shpesh për aferën e inceneratorëve. Edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës për shumë vite në pushtet, drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek ish-shefi i tij, si edhe tek Veliaj i Bashkisë së kryeqytetit.SPAK-u, deri më tani, nuk ka dhënë asnjë sinjal se po kryen hetime ndaj Ramës dhe Veliajt, ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Tiranës vijon të paguajë qindra milionë lekë kompaninë koncesionare për një shërbim që nuk është kryer kurrë.