Shumica e anëtarëve të Këshillit të Emërimit në Drejtësi (KED) mbajtën institucionin në binarët kushtetues dhe refuzuan miratimin e një “Opinioni” ekstra-ligjor që ishte parashikuar t’i drejtohej Parlamentit për procedurat që duhet të ndjekë institucioni ligjvënës në procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi njoftoi në përfundim të mbledhjes së zhvilluar këtë të premte se “…anëtarët diskutuan dhe ndanë mendimet e tyre, ku në shumicë konkluduan se nuk e çmojnë të përshtatshme t’i drejtohen me një opinion organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Diskutimi mbi këtë çështje dhe sidomos një hartimi i një “opinion” drejtuar ishte tërësisht jashtë tagrave dhe kompetencave të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
KED-i ka për kompetencë verifikimin e pasurisë, integritetit personal dhe aftësive profesionale të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese që i përcillen nga organet e emërtesës, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
Në asnjë pikë dhe nen të kuadrit ligjor kushtetues, KED nuk ka kompetencë që të vlerësojë procedurat e këtyre tre institucioneve për thirrjen dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Por, pavarësisht se KED nuk e ka tagrin për t’i dhënë “opinion” Parlamentit, një çështje e tillë u vendos në rendin e ditës së mbledhjes së sotme.
Kjo pikë është nxitur nga vendimmarrja e Parlamentit, i cili tashmë ka mbyllur fazën e pranimit të kandidaturave për plotësimin e vakancës së plotë të krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.
Megjithatë, pjesë më e madhe e trupës 9-anëtarëshe të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk ka pranuar të bëhet pjesë e anti-kushtetutshmërisë, duke refuzuar hartimin dhe dërgimin e një “Opinioni” në adresë të Parlamentit, pasi nuk është kompetencë e KED-it
Ndërkohë, KED ka caktuar anëtaren Irena Brahimi, gjyqtare në Apel, si relatore për verifikimin e dhjetë kandidatëve, nga të cilët njëri prej tyre do të marrë mandatin e Toskës, i cili përfundon në nëntor të vitit 2028