Berisha: Në tetor ne vramë frikën! Nëntori do i nxjerrë tymin narshkoshtetit të Edi Ramës

Saturday, 02 November 2024 21:32
 

Kryetari e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ foli mbi ngjarjen e 30 tetorit në Shkodër, ku akuzoi qeverinë dhe policinë shqiptare për përgjegjësi mbi masakrën e ndodhur. Berisha përshëndeti qytetarët dhe aktivistët që protestuan kundër këtij akti dhune, duke i quajtur “misionarë të kauzës së drejtë” për mbrojtjen e dinjitetit, lirisë dhe interesit kombëtar.

Berisha tha se, masakra është një “histori e licencuar” e dhunës shtetërore dhe bashkëpunimit të qeverisë me bandat kriminale. Kryetari i PD, Sali Berisha foli për viktimën Arlind Bushati, i cili kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj tij, por nuk mori asnjë mbrojtje nga policia. Berisha theksoi gjatë fjalës së tij të mbajtur te ‘Rruga e Shpresës’ se policia dhe shteti janë bashkëfajtorë në këtë ngjarje, duke i përshkruar ata si mbrojtës të bandave dhe jo të qytetarëve.

Me tone mbështetëse për të gjithë ata që protestuan në Shkodër, Lideri demokrat, Sali Berisha, e përshkroi marshin si një akt guximi dhe uniteti kundër “barbarisë” dhe krimin e organizuar shtetëror. Ai thekson se masakra e 30 tetorit nuk është një konflikt mes bandash, por një krim i orkestruar dhe i lejuar nga qeveria dhe policia për përfitime politike, duke akuzuar Edi Ramën për bashkëpunim me krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin.

Kryedemokrati, Sali Berisha e cilësoi marshin e Shkodrës si simbol të rezistencës së qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk do të dorëzohen para frikës apo korrupsionit. Berisha theksoi se opozita është e vendosur të triumfojë në emër të drejtësisë dhe qytetarisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha me një retorikë të fortë, i motivoi demokratët për të vazhduar luftën e tyre kundër “narkoshtetit të Edi Ramës.” Ai e quajti tetorin si muajin kur opozita dhe qytetarët e Shkodrës “vranë frikën,” ndërsa nëntorin si muajin kur opozita do të ndërmarrë një sulm të vendosur kundër qeverisë.

Duke përmendur protestat në Tiranë dhe marshin e Shkodrës, Berisha e përshkruan këtë lëvizje si një çlirim gradual të qytetarëve nga ndikimi i bandave dhe korrupsionit që ai i atribuon qeverisë. Për kryedemokratin, Shkodra përfaqëson një qytet të “pushtuar” nga qeveria dhe nga krimi i organizuar, me policinë dhe bandat që bashkëpunojnë për të shtypur vullnetin e popullit. Lideri historik i  PD, Sali Berisha shprehu optimizëm dhe bindje të thellë për fitore, duke iu drejtuar qytetarëve me një thirrje për vendosmëri dhe unitet në luftën e tyre.

Kryetari i PD, Sali Berisha foli rreth ngjarjes në emisionin televiziv ku një pensioniste, në një përballje publike me Edi Ramën, hodhi poshtë atë që ai e quan “propagandën mashtruese” të qeverisë lidhur me kushtet e pensionistëve në Shqipëri. Berisha e pa këtë si një moment simbolik, ku një grua e zakonshme, e krahasuar me Davidin biblik, shkatërroi imazhin që Rama përpiqet të krijojë për qeverinë e tij dhe e ekspozoi atë si të pashpirt dhe të papërgjegjshëm ndaj pensionistëve, ku ky i fundit i sheh si “qeniet më mjerane në planet.”

Duke theksuar vështirësitë që po përballen pensionistët, Berisha e akuzon qeverinë për dështim në përmirësimin e jetës së të moshuarve, duke thënë se Rama fajëson të tjerët për gjendjen aktuale dhe justifikon mungesën e ndihmës përmes premtimeve boshe dhe akuzave ndaj biznesmenëve ose figurave të opozitës. Kryedemokrati, Sali Berisha krahasoi rritjet e pensioneve që ndodhën nën drejtimin e tij, me gjendjen e sotme ku pensionet janë në rënie për sa i përket fuqisë blerëse. Për Berishën, ky moment është një provë e fuqisë së qytetarëve për të ekspozuar të vërtetën dhe një garanci për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

Lideri demokrat, Sali Berisha shprehu mbështetjen e tij për pensionistët dhe premtoi një përmirësim të kushteve të tyre financiare nëse opozita vjen në pushtet. Duke e përllogaritur minimumin jetik prej 200 eurosh si bazë të pensioneve, ai garantoi se çdo qytetar në Shqipëri do të ketë të paktën këtë shumë mujore për të siguruar një jetesë më të mirë. Berisha tha se, ky ndryshim do të financohet duke marrë fondet nga zyrtarët e korruptuar, duke përmendur emra si Edi Rama, Belinda Balluku dhe Erion Veliaj, të cilët i akuzoi për shpërdorim dhe korrupsion.

Berisha e ka përmbyllur fjalimin e tij me tone thirrjeje për fitore, duke përforcuar idenë se koha për ndryshim ka ardhur dhe se fitorja është e afërt.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore për ju misionare dhe misionarët e kauzës së drejtë të çdo shqiptari, kauzës së dinjitetit, të lirisë dhe interesit kombëtar.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë që përcjellin çdo natë te shqiptarët të vërtetat që mbulon me vellon e saj të zezë censura e narkoshtetit të Edi Ramës.

Por unë kam sonte përshëndetjen më të përzemërt për qytetarët e Shkodrës, për ata mijëra e mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra që sot me marshin e tyre u ngritën mbi terrorin.

U ngritën mbi dhunën shtetërore.

Mbi masakrat e organizuara nga shteti me bandat e tij dhe qëndruan në emër të jetës, të paqes së qytetit, të sigurisë dhe të ardhmes së tij.

Të dashur miq, masakra e Shkodrës e datës 30 tetor, para se të jetë një histori krimi, para se të jetë një histori mafioze,

është një histori krimi dhe mafie shtetërore, e para;ajmëruar por e licencuar nga shteti mafioz.

Kjo masakër ndodhi edhe pasi një nga viktimat e saj, i ndjeri Arlind Bushati, 32 vjeç, e kishte paralajmëruar se do të ndodhte.

19 ditë para atentatit, disa kriminelë me pistoleta u përpoqen të shtinë dhe t’i marrin jetën Arlindit tek pinte kafe me shokët e tij. Pistoletat për fat nuk shkrehën. Ky ishte paralajmërimi i masakrës makabre që tronditi Shkodrën dhe Shqipërinë.

Pas atentatit të dështuar, Arlindi denoncoi në narkopolici. Atje kishte dëshmitarë. Mediat e transmetuan ngjarjen.

Por çfarë bëri narkopolicia?

Asnjë masë! Asnjë mbrojtje për Arlindin. Asnjë ndalim për të dyshuarin! Asnjë marrje në pyetje. Sepse ajo ishte një me bandën e partisë.

Sepse ajo nuk është policia e qytetarëve të Shkodrës, por është policia e banditëve të Edi Ramës.

Prandaj masakra e 30 tetorit me tre të vdekur ishte edhe një histori e licencuar, e organizuar, e mbështetur nga banda e partisë dhe policia e saj.

Është historia e një policie po aq fajtore në krim sa ata që shkrehën plumbat mbi Arlind Bushatin, Hamza Licin, Flutura Bashën dhe bashkëshortin e saj.

Berisha: Marshi i Shkodrës ishte një mesazh se opozita do triumfojë. Fitorja na pret!

Prandaj cilido që përpiqet sot t’ua shesë masakrën e 30 tetorit si një larje hesapesh mes bandash, mashtron dhe vetëm mashtron.

E vërteta është se është një krim i paralajmëruar dhe një krim i licencuar nga narkopolicia që vepron në Shkodër.

Ishte një krim që duhej të ndodhte në mënyrë që Edi Rama të merrte mandatin mbi krimin, siç mori kreu i bashkisë së qytetit, Benet Beci.

Miqtë e mi, ndonëse Arlindi, Hamzai dhe Flutura sot prehen në dheun e ftohtë të varrezave të Shkodrës, sot në rrugët dhe sheshet e qytetit, kujtimi i tyre u përjetësua, në marshin fisnik të shkodranëve dhe shqiptarëve që shkuan në Shkodër n marshim.

Sepse ai marsh i tregoi bandave, ai marsh i tregoi narkopolicisë, ai marshim i tregoi shefit të bandave dhe narkopolicëve, Edi Ramës se shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë.

Se shqiptarët nuk do frikësohen kurrë.

Se shqiptarët nuk do ta falin kurrë mandatin e deputetit që Edi Rama tenton ta blejë me gjakun e qytetarëve të Shkodrës.

Marshi i Shkodrës ishte një dëshmi se qytetërimi do fitojë ndaj barbarisë.

Se guximi qytetar nuk mposhtet nga asgjë.

Marshi i Shkodrës ishte një mesazh se opozita do triumfojë.

Marshi i Shkodrës ishte marshi i shqiptarëve që sot janë bashkë kundra së keqes!

Për këtë, të gjithë ju që sot rrugëtuat në rrugët dhe sheshet e Shkodrës, në orët e saj më të vështira, keni falenderimin më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme.

Ne do fitojmë!

Miqtë e mi. Fitorja na pret.

Të nderuar demokratë e demokrate.

Ora jonë po vjen! Shenjat e para kanë nisur.

Në më pak se 30 ditë patëm mosbindjen eksplozive në Tiranë.

Paralizuam narkoshtetin 3 orë nga veriu në jug.

Ndërsa sot me marshin tonë, paralajmëruar çlirimin përfundimtar të Shkodrës nga mafia shtetërore.

Pasi siç e keni parë dhe ju, Shkodra është një qytet në pushtim që nga data 14 maj 2023.

Bandat me eskortë policie siç i patë, ndalonin nga një qendër votimi në tjetrën, për të shtrembëruar dhe shkelmuar vullnetin e shkodranëve dhe për t’u emëruar atyre në shtëpinë e parë të qytetit një kriminel, anëtar të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë.

Dhe sot vërtet ata vrasin e masakrojnë, me licencën për të vrarë, që Edi Rama u ka dhënë si shpërblim.

Por mosbindja ka nisur dhe nuk ka të ndalur.

Në tetor ne vramë frikën.

Marshi i sotëm në Shkodër provoi se qytetarët nuk do përkulen para bandave të qeverisë.

Prandaj nëntori do të jetë muaji i sulmit tonë.

Nëntori është muaji i vazhdimit dhe i përshkallëzimit.

Nëntori do i nxjerrë tymin narshkoshtetit të Edi Ramës.

Ne do fitojmë!

Të dashur miq, që nga fillimi i rrugëtimit tonë 3 vite më parë, unë çdo ditë kam besuar i palëkundur në fitoren tonë.

Në asnjë çast, sado vështirësi që kemi kaluar, sado sulme që na u bënë, kurrë nuk jam lëkundur, nuk kam humbur besimin në fitoren tonë.

Sepse ne kemi një kauzë të drejtë, ne luftojmë për demokracinë. Ne luftojmë për dinjitetin.

Ne luftojmë për votën e lirë.

Ne luftojmë për kombin shqiptar dhe intersat më jetike, që për hir të së vërtetës, Zoti e ka mbrojtur në shekuj e shekuj.

Por mbi të gjithë, ne jemi shpresa e fundit që u ka mbetur shqiptarëve.

Por ndonëse unë kam besuar gjithmonë në fitore, do ndaj me ju një histori sonte, e cila më konfirmoi edhe një herë se fitorja jonë në 2025 është e padiskutueshme.

Të dashur miq, ditën e enjte ne u bëmë dëshmitarë të një dueli në të cilin një nënë, një motër, një gjyshe, një grua në rolin e Davidit e dërrmoi, e sfazoi, e turpëroi Golian në studion e televizionit Klan.

Ajo ia plasi në surrat Edi Ramës, të vërtetën se si sot jetonte ajo dhe 700 mijë pensionistë në Shqipëri.

Me pak fjalë, ajo i shembi propagandën mashtruese të Edi Ramës të viteve e viteve, por edhe të një muaji rresht që kalon nga një takim në një tjetër për të mashtruar pensionistët që i ka katandisur në qeniet më mjeranë të planetit tonë.

Në një takim, ky mashtrues i pashpirt u nxjerr biznesmenët përpara se këta po kryejnë krime kundër njerëzimit, se po fshehin të ardhurat për pensionistët.

Në takimin tjetër u thotë se fajin e ka Saliun.

Kurse ajo nënë, ajo motër, ajo guximtare i tregoi Edi Ramës, ia përplasi në fytyrë dhe i tha: turp nuk ke, fytyrë nuk ke, i pacipë je, me na mashtrue, nuk na mashtron dot.

Ajo me logjikë të kristaltë rrëzoi të gjitha tabelat e mashtruesit ordiner, i cili i lë 700 mijë shqiptarë të numërojnë kafshatat, i lë pa ilaçe dhe u servir nga një sallë në tjetër mashtrimet.

Njëherë u thotë se fajin e kanë biznesmenët, por harron mashtruesi se ka shpallur një buxhet 8 miliardë euro, në të cilën ai nuk ka asnjë qindarkë, por të gjitha janë para që paguajnë qytetarët dhe bizneset.

Herën tjetër u thotë fajin e ka Saliu, paçka se në atë periudhë pensioni minimal nga 36 dollarë u rrit në 82 dollarë. Paçka se pensioni mesatar nga 96 euro u rrit në 146 mijë lekë.

Kurse në 11 vite, pensionet sot jo që nuk u indeksuan, jo që nuk u rritën, por në fuqi blerëse janë 40 përqind më të ulëta se sa ishin 11 vite më parë.

Ajo nënë, ajo motër u bë shembull guximi dhe frymëzimi për çdo shqiptar.

Të bashkohemi rreth këtyre të vërtetave.

Të bashkohemi siç u bashkuan qytetarët në Shkodër.

Të bashkohemi se kemi një të keqe.

T’u japim fund mashtrimeve.

Garantoj çdo pensioniste e pensionist se minimumi jetik prej 200 eurosh do të jetë baza mbi të cilën do llogariten pensionet.

Dhe se në Shqipëri nuk do ketë qytetar që nuk do marrë në muaj 200 euro, aq sa është llogaritur nga Avokati i Popullit me Organizatën Botërore të Punës.

Të gjitha paratë janë, do ua marrim hajdutëve qeveritarë.

Do ia marrim Edi Ramës, Belinda Ballukut, Erion Veliajt, ministrave të tjerë të krimit.

Prandaj miqtë e mi, demokrate e demokratë, opozitarë e opozitare, qytetare e qytetarë, sot më shumë nevojitet të ngremë gjithnjë më lart dallgën e mosbindjes civile.

Dallgën që do fshijë narkoshtetin nga Shqipëria.

Dallgën që do sjellë qeveri teknike.

Dallgën që do sjellë zgjedhje të lira, ndërrimin e pushtetit, fitoren e opozitës.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...