Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar mbështetësit e tij për qëndresën e pashembullt të tyre gjatë këtyre viteve të vështira për demokratët, pas sulmeve të paprecedenta që vinin edhe nga ish-ambasadorja e ShBA në Tiranë, Juri Kim.
‘Ju i mbrojtët të vërtetat e mëdha edhe në kohën kur nga vendi i madh i lirisë frynin erërat e ekstremit të majtë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar, të kauzës së lirisë, kauzës së dinjitetit, kauzës së votës së lirë, kauzës të të vërtetave kryesore të njeriut.
Të dashur miq, dhe njëherë përulem me nderim të madh para jush, para oratorëve të kësaj platforme që përcjellin të vërtetat e mëdha tek qytetarët shqiptarë.
Ju guximtare e guximtarë çdo natë dhe në çdo kohë mbrojtët në Rrugën e Shpresës ato të vërteta të mëdha, mbi të cilat bazohet individi i lirë, shoqëria e lirë, familja, kombi dhe e ardhmja.
Ju i mbrojtët ato në kushtet e një diktature të egër, e një diktature të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Por ju i mbrojtët ato edhe në një kohë kur nga vendi i madh i lirisë frynin erërat e ekstremit të majtë.
Mbështetej në mënyrën më absurde narkodiktatura e Tiranës, doktrina e monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros zëvendësoi në narkodiktaturën e Edi Ramës, doktrinën marksisto leniniste të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.
Ndaj miqtë e mi, meritat tuaja janë të jashtëzakonshme.
I keni bërë vendit dhe i bëni një shërbim të paçmuar.