Lideri i opozitës, Sali Berisha kujtoi 80 vjetorin e hyrjes në Tiranë, të bandës terroriste të Enver Hoxhës, ku vendosi në kryeqytet dhe mbarë Shqipërinë, diktaturën më të egër që shqiptarët kishin njohur në historinë e tyre.
‘Enver Hoxha me masakrën në Tiranë, kreu aktin e parë makabër të dekapitimit të elitës kombëtare’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e ‘Rrugës së Shpresës’.
Berisha: Të dashur miq!
Sot është një ditë jo e mirë, një ditë e zezë për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Si sot 80 vite më parë, pushtimi i huaj u zëvendësua në këtë kryeqytet me pushtimin e bandës terroriste të Enver Hoxhës, që vendosi në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, diktaturën më të egër që shqiptarët kishin njohur në historinë e tyre.
Enver Hoxha, vrasësit e tij serialë, terroristët pasi shndërruan luftën çlirimtare të shqiptarëve në luftë vëllavrasëse dhe luftë civile, erdhën në Tiranë me listat e vdekjes dhe ekzekutuan gjatë muajit tetor dhe nëndor, dhjetëra e dhjetëra, edhe mbi 100 atdhetarë të vërtetë, intelektual të shquar, pasardhës të familjeve që shpallën pavarësinë e vendit, kontributor të rëndësishëm të ndërtimit të shtetit të parë shqiptarë, të ushtrisë, arsimit, punëve publike dhe të gjithë sektorëve.
Enver Hoxha kreu në këtë masakër, aktin e parë makabër të dekapitimit të elitës kombëtare.
Intelektualë të shquar, të shkolluar në shkolla më të mira të perëndimit, nuk u larguan nga vendi, nuk kishin asnjë implikim me pushtuesit, përkundrazi disa prej tyre luftuan me pushkë në dorë, ose mësues me kryekriminelin e kombit, Enver Hoxha dhe për këtë ata, duke e ditur mirë se cili ishte, duhet ti zhdukte dhe i zhduku.