Qindra qytetarë protestuan sot para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe siguri për jetën e fëmijëve të tyre në shkolla.
Protesta, e cila mori përmasa të mëdha, u shoqërua me thirrje për dorëheqjen e ministres së Arsimit, ndërsa familjarët e viktimës përcollën mesazhe prekëse. Në mesin e protestës, tezja e Martin Canit, e mbingarkuar emocionalisht, humbi ndjenjat.
Ndërsa qytetarët kërkonin përgjegjësi institucionale, një gjest cinik nga dritarja e Ministrisë së Arsimit shkaktoi zemërim të mëtejshëm. Një punonjëse e ministrisë u pa duke u bërë me shenjë qytetarëve të ndalin protestën dhe të largohen.
Sipas ndjekësve të gazetarit Olti Curri, punonjësja në fjalë dyshohet të jetë Elvira Baze, motra e bashkëshortes së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Baze, e cila mban aktualisht rolin e Shefes së Hartimit dhe Projekteve të Fizibilitetit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, jo vetëm që mbron shefen e saj në mënyrë të pakushtëzuar, por tregon një indiferencë të thellë ndaj një tragjedie që ka tronditur vendin.
Pesha e këtij akti është edhe më e rëndë duke pasur parasysh lidhjen e saj familjare me Presidentin e Republikës, figura që duhet të mishërojë integritetin dhe përgjegjshmërinë morale.
Qytetarët e pranishëm në protestë shprehën indinjatën e tyre për këtë sjellje cinike dhe për mungesën e reagimit të qeverisë dhe institucioneve kryesore. Në vend që të shohim reflektim apo përgjegjësi, shohim një përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve.
Thirrjet për dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe për reagim të fortë nga institucionet mbeten të larta. Shoqëria civile e sheh këtë situatë jo thjesht si një tragjedi individuale, por si një reflektim të dështimit të plotë institucional dhe mungesës së ndërgjegjes në nivelet më të larta të pushtetit.