Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka konfirmuar pranimin e padisë së bërë nga ai në Gjykatën e Strasburgut.
Sipas tij, gjykata i ka kaluar hallkat normale që ndiqen në këto raste dhe e ka trajtuar çështjen ‘Berisha’ si të rëndësishme, duke i dhënë edhe përparësi.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Dua të informoj se sapo më njoftojnë se Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka klasifikuar rastin ‘Berisha’ si leading, pra të rëndësishëm, dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të mjeteve të brendshme, për çka unë u jam shumë mirënjohes kësaj gjykate që është edhe garante kryesore e të drejtave të njeriut.
Besoj se avoketërit e mi do paraqesin aty të gjithë vërtetat e sistemit politik, e shndërrimit të drejtësisë në një armë politike në Shqipëri.
Shpreh besimin tim të plotë në vlerësimet dhe gjykimet e kësaj organizate, garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konventë që i bën qytetarët europianë më të lirë se kurrë në historinë e tyre.
Duke përfunduar, ftoj qytetarët shqiptarë edhe njëherë, nesër në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve.
Nga të katër anët sirenat e ndryshimit, sirenat e fitores së opozitës po ushtojnë.
Këto sirena kërkojnë nga ne, qytetarët opozitarë, të meritojnë plotësisht këtë fitore me aksionin tonë, me veprimin tonë, me mosbindje civile.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Fitore!