SPAK-u zbuloi këtë të mërkurë detaje nga hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, teksa bëri të ditur se ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Afera në të cilën akuzohet se është përfshirë deputeti socialist është ajo e komisariateve, e cila njihet si kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit.
Tenderi kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) dhe parashikonte rikonstruktimin e katër komisariateve, atyre të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe Nr. 4 të Tiranës, gjë që nuk ndodhi kështu.
Sipas SPAK-ut, tenderi përfundoi me rikonstruktimin e vetëm dy komisariateve të Mirditës dhe të atij Nr. 4 në Tiranë. Rikonstruktimi i tyre u krye me vlerën prej 34,248,000 lekësh.
Prokuroria e Posaçme thekson se reduktimi nuk u bë për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin që lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.
Gjatë kësaj kohe, Ndreca ka ndërhyrë për shpalljen e fituesit të tenderit qenë si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Titullar i Autoritetit Kontraktor.
Në njoftim theksohet se Ndreca udhëhoqi një grup zyrtarësh dhe shpalli fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht se nuk i përmbushte kriteret ligjore.
“Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qenë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Kujtojmë se shkeljet në Ndrecës dhe të zyrtarëve për këtë tender u konstatuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili bëri kallëzim në Prokurorinë e Posaçme.
KLSH evidentoi se ishin kryer devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, sipas KLSH-së, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
Kështu, hetimet nxjerrin se Plarent Ndreca ka ndërhyrë në përzgjedhjen e fituesit të tenderit të komisariateve.