Kryedemokrati Berisha, në aktivitetin e organizuar nga Partia Demokratike me të rinjtë e Brain Gain në Vlorë shprehu mirënjohjen për ata që mbajtën vlerat e kombit dhe që qëndruan kundër çdo përpjekjeje për të devijuar drejtësinë dhe lirinë.
Berisha kritikoi ndërhyrjen e dyshimtë të forcave të huaja në Shqipëri, duke theksuar se PD mbetet një forcë e frymëzuar nga vlerat e lirisë.
FJALA E BERISHËS:
Pra, në këto momente kritike për vendin, qytetarët më pro amerikanë u ndodhën para një të papriture që nuk e kishin menduar ndonjëherë, por zgjodhën të vërtetën, zgjodhën vlerat, zgjodhën traditën, zgjodhën atdhetarinë.
Kaluan dy tre vite, por sot u pa. Pas 5 nëntorit doli me gjithë madhështinë e saj, Amerika e vlerave se ju qëndruat kundër një Amerike tjetër, një Amerike që merrte përsipër të kryente grusht shteti në një vend partner.
Që merrte përsipër të krijonte një drejtësi krejtësisht në funksion të diktarotit.
Që merrte përsipër të sillte praktikat e shpërbërjes së familjes.
Dua të ndiheni të lehtësuar, se qëndruat për ato vlera të cilat i rikthej në piedestal, kombi i madh, kombi i lirisë. Dhe sot, dhe asnjëherë, ju nuk u bëtë, nuk u shndërruat në anti amerikan, përkundrazi për sa kohë Amerika do të udhëheqë botën e lirë dhe do të shkëlqejë me shembullin e lirisë, PD do të mbetet një forcë e frymëzuar prej saj.