Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin me drejtuesit e qarqeve në Partinë Demokratike kritikoi ashpër qeverinë dhe deputetët e mazhorancës për sjelljen e tyre në parlament, duke i akuzuar për shmangie nga përgjegjësitë dhe sabotim të punës së opozitës.
Ai theksoi rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët, duke e cilësuar si një mjet të pazëvendësueshëm për komunikimin dhe shpalosjen e programit të PD-së. Berisha premtoi një program të realizueshëm dhe të qartë që adreson jo vetëm problemet aktuale, por edhe perspektivën e zhvillimit të vendit. Takimet intensive me qytetarët, sipas tij, do të jenë çelësi për të ndërtuar një alternativë solide dhe për t’i dhënë fund qeverisjes aktuale.
FJALA E BERISHËS:
Shkon sot deputetët në parlament, prishin seancën se nuk mund të japë shpjegim para qytetarëve për vrasjen në gjirin e shkollës të 14-vjeçarit dhe agresojnë, me program, me projekt, agresojnë deputeten tonë, në mënyrë se si e si, të sabotojnë, braktisin parlamentin, luftë se kush duhet të jetë kryetare parlamenti, do të jetë Lubia aty, apo Pëllumbesha Spirogjoka.
Pra janë në një panik dhe e vërteta është, që edhe më shumë do jetë.
Çdo ditë, shqiptarët do të mësojnë shumë e shumë për krimet ku këta janë të përfshirë. Çdo ditë.
Pra në këtë aspekt një punë intensive kërkohet nga ne, duke mos harruar kurrë se ngroftësinë e takimit dhe bisedës dhe të baltës në këpucë duke trokitur tek dera e tjetrit, nuk e zëvendëson kurrë akulli i ekranit.
Prandaj dhe ne duhet të ndërmarrim atë që kemi kërkuar dhe kemi thënë në mënyrë të përsëritur, miriadën e takimeve me qytetarët.
Miriadë takimesh me qytetarët, ku ti qartësojmë, ti saktësojmë, në radhë të parë programin tonë, programin e emergjencës, i cili ju garantoj se është 100% i realizueshëm dhe pastaj ne do të shpalosim dora dorës, programin për sektorët, programin në tërësi.
Do të jetë një program që do të ju japë përgjigje më të vendosur jo vetëm problemeve të akumuluara, por problemeve të perspektivës se ne qëndrojmë për zhvillimin, qëndrojmë për të ardhmen.
Pra, është i një rëndësie të pazëvendësueshme takimi me qytetarët.