Lajmi i ditës sot ishte fakti se SPAK dhe BKH zbarkuan në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
5 oficerë të BKH-së, me mandate kontrolli, kanë shkuar rreth orës 8 të mëngjesit në banesën e Veliajt, por janë përballur me një situatë të pazakontë, pasi kryebashkiaku apo familjarë të tij, nuk kanë pranuar t'u hapin derën për kontroll.
Vetëm pas mbi 1 orë pritje, oficerët e BKH janë futur për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku ndodhen edhe aktualisht.
Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, aferën 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.
Pamjet mbërritën në redaksitë e çdo mediaje në kryeqytet.
Por pikërisht ato që njihen si ‘mediat e SPAK’, vendosën të heshtin.
Top Channel, Shqiptarja, Report dhe të gjithë portalet që kontrollohen nga Endri Fuga, heshtën për kontrollin e BKH-së.
Ndërkohë që SPAK ka zgjedhur qëllimisht ditën kur Veliaj ishte jashtë vendit për të ushtruar kontrollin.
Të gjitha këto media japin çdo lajm për lëvizjet e SPAK, jo vetëm kur ka hetime dhe arrestime, por edhe çdo vizitë të Dumanit.
Ironia është se edhe Nikoll Lesi, që dekoroi Altin Dumanin dhe publikon çdo lajm për vizitat e Veliajt jashtë vendit, ka heshtur.
Ai publikoi edhe lajmin për vizitën e Veliajt në Hamburg, por jo për kontrollin në banesën e tij.
Burime thonë se Lesi mund të kërkojë t’i tërheqë dekoratën e nderit Dumanit pas këtij veprimi.
Sado absurde mund të duket kjo situatë, ajo tregon kontrollin e fuqishëm të Veliajt në shumicën e medieve shqiptare.