Nëse një gazetar i huaj do vizitonte Shqipërinë dhe do mësonte se kryebashkiakut të kryeqytetit i janë kontrolluar banesa dhe bizneset e tij, dhe të familjarëve të tij, si dhe u janë sekuestruar telefonët, do e priste me shumë kërshëri reagimin e Erion Veliajt për të marrë ndonjë përgjigje për akuzat që i bëhen.
Por në dy reagimet e tij, të shkruara nga duart që lëshojnë helm, mllef e shpifje në mediat e pushtetit, Erion Veliaj nuk jep asnjë shpjegim apo përgjigje, por lëshon një lumë fyerjesh sipas stilit të vjetër tashmë socialist se fajin e ka Saliu.
Thonë se fyerjet janë tipar i frikacakëve dhe Erion Veliaj është i tillë.
Duke u mbrojtur me një vetëviktimizëm të ulët, dhe duke u fshehur pas gruas dhe familjarëve të tij, ai nuk ofroi qoftë një përgjigje të vetme.
Erion Veliaj nuk shpjegoi së pari se pse Ajola Xoxa duhej të hapte derën e banesës vetëm pasi të vinte aty Alban Dabulla me arsenalin e tij të dhënave shantazhuese për Olsi Ramën.
Erion Veliaj nuk shpjegoi se përse u gjetën në galerinë e të shoqes shuma të mëdha prej dhjetëra mijëra eurosh të pajustifikuara.
Erion Veliaj nuk sqaron se pse e shoqja nuk paguan qira për biznesin e saj në një zonë ku duhej të paguante të paktën 20 mijë euro.
Erion Veliaj nuk përgjigjet se pse Harabeli i Ajolës akuzohet për pastrim parash, madje duke përdor 'vepra arti' në vendin ku janë gjurmët e gjakut të Ardit Gjoklajt.
Erion Veliaj nuk jep asnjë përgjigjë për aferën e inceneratorit të Tiranës, më e rënda në historinë e shtetit shqiptar. Ai as guxon të tregojë se ku është inceneratori që u ka kushtuar shqiptarëve dhjetëra miliona euro dhe u gëlltit qindra milionë euro në pagesa.
Erion Veliaj nuk sqaron se pse banda e drejtorëve të tij kryesore është arrestuar pasi kishte ngritur një skemë vjedhjesh 100 përqind, e padëgjuar në historinë e shtetit shqiptar.
Erion Veliaj nuk thotë asgjë për skandalin 5D, ku pranohet me zë e figurë se ai është kreu i bandës, madje pronar i një hoteli luksoz me 5 yje.
Erion Veliaj nuk përgjigjet se pse vëllai i tij korr mbi 30 milionë euro me kompaninë e tij duke shantazhuar biznesmenët që kanë punë me bashkinë.
Erion Veliaj as nuk e përmend Goglën e vëllait, të cilit i është sekuestruar celulari sepse i vëllai po hetohet për korrupsion.
Erion Veliaj nuk përgjigjet se pse e ka kthyer kryeqytetin në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave të krimit dhe drogës në rajon e Europë.
Erion Veliaj nuk e hap gojën kur emri i tij i del i ndërlidhur me disa nga organizatat mafioze më të rrezikshme të Italisë.
Erion Veliaj nuk ka guximin të sqarojë asgjë për prishjen antiligjore të Teatrit Kombëtar për llogari të errëta kriminale.
Erion Veliaj nuk përgjigjet për qindra banesa të prishura përdhunshëm për të hapur rrugën për ndërtimet e oligarkëve.
Erion Veliaj pranon se po i hetohen prindërit Ajolës, por nuk tregon se përse bëhet fjalë në këtë rast.
Erion Veliaj e di se po i hetohet mamaja, por nuk tregon se a ka lidhje kjo gjë me dasmën e tij superluksoze te Kalaja e Gjirokastrës, e 'paguar me pensionin' e nënës.
E meqë jemi te dasma, Veliaj nuk sqaron se pse emri i tij del si protagonist kryesor te gjoba më e madhe në historinë e shtetit shqiptar, 130 milionë eurot që shqiptarët e drobitur duhet të paguajnë për biznesmenin italian Françesko Beketi.
Erion Veliaj nuk është përgjigjur edhe për dhjetëra skandale të tjera, që nisin që me ndotjen e ajrit që po vret mijëra njerëz e përfundojnë me skemën mafioze të depozitimit të dherave në Sharrë.
Duke kërkuar të dërgojë sinjale sa te Edi Rama dhe sa te kush të dëgjojë, ai i ngjan atij të mbyturit që teksa po fundoset, e lëshon gojën duke nxjerrë dufin e fundit.
Këto janë grahmat e fundit të jetës politike të dikujt që e nisi me akuzën mbi shpinë se ka vjedhur kompjuterat e shoqatës dhe po e mbyll duke treguar se ka plaçkitur familjarisht sa ka mundur.