Kryetari o Partisë Demokratike i ftuar në podkastin Inside Albania me Alice Taylor në Euronews ka komntuar edhe vendimin e dash per non gratën. “Mund t’ju them se ai është i bazuar në lobimin e korruptuar të Edi Ramës dhe George Soros”, tha lideri i opozitës shqiptare.
Dua të kalojmë në një tjetër temë. Kam shumë pyetje për çdo përgjigje tuajën, por na kufizon koha.
Berisha: Jam i hapur për çdo pyetje.
Ju ishit në arrest në shtëpi për thuajse një vit. Më kujtohet pandemia kur ndenja në “arrest shtëpie” për dy muaj gjatë mbylljes. Nuk po tallem me situatën, por le të largohemi pak nga politika. Si ishte për ju të ishit i mbyllur mes katër mureve? Si ndikoi kjo te familja juaj? Si bashkëjetuat me ta? Si e drejtpeshuat jetën tuaj familjare dhe punën? Si ishte ajo përvojë për ju, që të ishit i mbyllur në shtëpi aq gjatë? Përtej politikës.
Berisha: Politika nuk mund të lihet kurrë mënjanë.
Dua të di si jeni ndjerë ju.
Berisha: Unë dhe familja ime jemi të përkushtuar ndaj kauzës tonë. Kemi luftuar për kauzën tonë.
Jeni acaruar me njëri-tjetrin?
Berisha: Në politikë duhet të jesh i përgatitur. Edi Rama, pasi loboi me George Soros kundër meje, më shpalli non grata për korrupsion madhor, me një firmë nga Antony Blinken, që është personi që e ka përgëzuar më së shumti Sali Berishën për suksesin në luftën kundër korrupsionit. George Soros dhe Edi Rama më sanksionuan. Përse? Tetë vite pas largimit tim, unë nuk isha vendimmarrës, por ruaja interesin kombëtar dhe publik sipas mendimeve të mia. Ata kujtuan se me atë përcaktim, do më arkivonin në shtëpinë e harresës, por i bënë llogaritë gabim. Pse? Sepse unë po largohesha, por ky zotëria, Antony Blinken, më lëndoi dinjitetin duke më shpallur non grata. I shkrova një letër pasi lexova vendimin e tij. Z. Sekretar, keni marrë këtë vendim. Fillimisht, mund t’ju them se ai është i bazuar në lobimin e korruptuar të Edi Ramës dhe George Soros. Jua them sinqerisht, nuk dija asgjë për lidhjet familjare mes familjeve Blinken dhe Soros, por mendova se askush tjetër nuk mund ta bënte këtë lobim përveç tij. Së dyti, z. Sekretar, kur ju të paraqisni një provë të vetme për korrupsionin tim, atëherë unë do i them mirupafshim politikës përgjithnjë. Së treti z. Sekretar, nuk ju kërkoj të ndryshoni vendimin, por unë do ju padis në gjykatë dhe do ju jap mundësinë të paraqisni të gjitha faktet dhe dokumentet tuaja. Unë nuk po loboja. Vendosa të mbroja dinjitetin tim në gjykatë në Paris. Ky ishte vendimi im. I thashë kreut të partisë të mos përfshihej. Partia nuk duhej të përfshihej. Ne jemi një parti pro-perëndimore dhe pro-amerikane. Të tillë mbetemi. Unë do të luftoj vetë për veten, ndihem mjaftueshëm i fuqishëm për ta bërë. Punoja me gjykatën dhe median, kryesisht atë amerikane. Në 30 korrik, Philip Reeker, një person me të cilin kisha punuar shumë afër, erdhi në Shqipëri dhe i kërkoi kryeministrit dhe Lulzim Bashës, si kryetar partie, që Berisha të mos hynte në parlament. Kur kryetari ma tregoi këtë, i thashë se duhet të përcillte mesazhin pasues. Asnjë vend nuk ka bërë më shumë për lirinë e shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara, por ata kurrë nuk kanë hartuar listën e deputetëve. Nëse ata e bëjnë këtë, cenojnë sovranitetin e kombit. Këtë unë nuk e pranoja kurrë. Kryetari ishte një person i dobët. Një ditë para se të niste parlamenti, ai doli dhe ju tha shqiptarëve se për shkak të presionit të tmerrshëm nga ambasadorja amerikane, dhe për hir të Shqipërisë, PD-së, dhe Sali Berishës, ai kishte vendosur ta përjashtonte Berishën. E telefonova kryetarin dhe i thashë se ky vendim ishte tërësisht kundër ligjeve të partisë. Ai duhet të mblidhte grupin parlamentar, këshillin kombëtar të partisë, ose konventën, që të votonin largimin tim. Nëse do ishte votuar, unë do e kisha pranuar, por ai u përgjigj publikisht se nuk do bënte asnjë takim anti-amerikan. I thashë se këto janë takime shumë amerikane, për sundimin e ligjit. Ai refuzoi. Më pas, ndërmora iniciativën ligjore, mblodha 62% të firmave dhe mbajtëm konventën e partisë.
E kujtoj.
Berisha: Ambasadorja amerikane në Tiranë, që ishte drejtorja e kabinetit të Antony Blinken, luftoi shumë për shefin e saj. Ajo nisi të jepte deklarata të përditshme kundër njerëzve, që të mos ndiqnin Berishën. Shkoi aq larg saqë i tha demokratëve “të mos hanin bar” dhe të mbështesnin Berishën. Personi që për herë të parë në histori ju foli shqiptarëve për barin, ishte Enver Hoxha. A vinte edhe ajo nga grupe marksiste-leniniste? Nuk e njoh të shkuarën e saj, por ishte shumë fyese për shqiptarët. Iu përgjigja siç e meritonte. Ajo filloi të telefononte biznesmenët, duke menduar se ata po sponsorizonin lëvizjen time. Asgjë nuk ishte e vërtetë. Filloi t’i kërcënonte me vizat dhe e transformoi ambasadën në prokurori kundër njerëzve të ndershëm. Kjo është e vërteta. Erdhëm në zgjedhjet vendore. Ajo ndërhyri dhe këtë e ka pranuar. Partisë time iu hoq vula. Gjyqtarja që e vendosi këtë pati probleme me vetingun. Ajo dhe Gabriel Escobar, dhe ish-ambasadori britanik Alastair King-Smith, lobuan në SPAK që të hetohej dhe të arrestohej Sali Berisha. Këto janë të vërtetat. Pasi dështoi e gjithë kjo, demokratët protestuan dhe rikthimi im u bë i pandalshëm! Ju e dini se rikthimet janë shumë të veçanta në histori. Ato ndodhin jo sepse dikush ka dëshirën për t’u rikthyer, por sepse i gjithë universi kërkon dhe mundëson rikthimin e tij. Në mënyrë që të ndalonin betejën dhe rikthimin tim, ata zgjodhën të më arrestonin. E zgjodhën së bashku! Ata menduan se kjo ishte zgjidhja, por ata e transformuan dritaren në një portë ferri për Edi Ramën.
Ju e thatë vetë, ishit duke u larguar. E kishit vendosur pasardhësin tuaj në parti. Por nga ajo që përshkruat tani, duket se ai person ju tradhtoi së bashku me të tjerë. Nuk po them se jeni duke u larguar, por a e bën kjo përvojë më të vështirë të mendoni se kush do donit t’ju pasonte kur të vijë momenti i tërheqjes? Sepse në fjalët tuaja, ju jeni djegur nga kjo situatë.
Berisha: Ai më tradhtoi dhe tregoi sa i pabesë është. Në një mënyrë ose tjetrën, dënoi veten. Ajo që rivendosa unë është vota e lirë. Kush do ta pasojë Sali Berishën? Burri apo gruaja që do të fitojë zemrat dhe mendjet e demokratëve. Nuk mund ta di emrin, por do të jetë një garë e hapur. Për momentin, ndihem mirë. Shumë sinqerisht.
Ju pyes sërish. Padia ndaj Blinken në gjykatën franceze, në çfarë faze është?
Berisha: I kam kaluar të gjitha fazat, ata e pranuan. Por gjyqtari dështoi të bëhet një person i madh dhe i famshëm. Pse? Arsyet që ai paraqiti nuk m’u dukën të logjikshme. Ai shkroi se Berisha nuk është qytetar i një vendi të BE-së. Sekretari Blinken është person me imunitet. Vërtet unë nuk jam qytetar i BE-së dhe Blinken është person me imunitet, por parimi në vijim është po ashtu i vërtetë: Shpifja gjykohet dhe dënohet nga ku del. Së dyti, është e vërtetë që Blinken ka imunitet, por është po ashtu e vërtetë që shpifja nuk është funksion i një zyrtari.
Është shkelje e pozitës së tij.
Berisha: Po. Në Kushtetutën tonë dhe jo vetëm, nëse shpif për një person, nuk ke imunitet. Kjo është e shkruar në Kushtetutë. Kjo qëndron edhe në thelb të administratës se shpifja nuk është pjesë e detyrave të zyrtarëve. I dhashë mundësinë gjyqtarit francez të bëhej i famshëm botërisht, por ai dështoi. Nuk është problemi im.