Deri më tani vetëm një përfaqësues i drejtësisë e ka kaluar me sukses Vettingun. Ajo është anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që i janë nënshtruar procesit të Vettingut deri më tani, kanë mbetur në “rrjetën” e tij.
Pasuria ka qënë elementi bazë mbi të cilin është mbështetur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit teksa ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë. Asnjë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar Vettingut deri më tani nuk e ka kaluar “provën” e pasurisë. Përpos gjyqtares së Kushtetueses Tusha.
Që këtu kanë ngecur, pa kaluar pastaj në verfikimin e aftësive profesionale. Pasi mosjustifikimi i pasurisë do të thotë se është shkelur dhe ana profesionale, është marrë ryshfet dhe abuzuar me “petkun” e gjyqtarit apo prokurorit. S’ka justifikime më.
Kështu që po rritet në mënyrë të frikshme përqindja e gjyqtarëve dhe prokurorëve që po largohen nga sistemi i drejtësisë për shkak të Vettingut. Sot e kishte radhën një prokurore.
Ndërkohë që javë më parë kanë dhënë dorëheqjen për t’iu shmangur procesit të Vettingut 17 prokurorë dhe gjyqtarë.
Mes atyre që iu shmangen Vettingut janë dhe ish kryeprokurori Adriatik Llalla që gjithsesi është nën procedim penal në gjykatën e Durrësit për pasurinë. Dorëheqjen e kanë dhënë për t’iu shmangur Vettingut dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të larta.
Një shifër me të vërtetë e frikshme kjo e “viktimave” të Vettingut, çka rrezikon që nëse vijon me këto ritme, deri në fund të vitit, pra në dhjetor, vetëm 5 përqind e prokurorëve dhe gjyqtarëve mbeten në sistemin e drejtësisë.
Të paktën raporti deri më tani i tillë është. Pa llogaritur dorëheqjet nga Vettingu.
Ekzistonte mundësia që të kërkohen prokurorë dhe gjyqtarë nga jashtë, kryesisht SHBA dhe vendet e BE. Vendet anëtare të BE, Rumania dhe Bullgaria e kanë aplikuar marrjen e juristëve të huaj nga SHBA dhe partnerët anëtarë të BE dhe ka rezultuar një sukses.
Por teksa shihen shifrat e frikshme të largimeve nga sistemi i drejtësisë për shkak të Vettingut, procedura e marrjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve nga jashtë tashmë është urgjente.
Deri në fund të vitit Shqipëria rrezikon të mbetet pa prokurorë dhe gjyqtarë, pasi të gjithë e kanë ngjyer nga pak “gishtin” dhe kanë vënë pasuri në mënyrë të paligjshme.
Mësohet se po përgatitet dhe kuadri ligjor që të kërkohen gjyqtarë dhe prokurorë nga vendet partnere për një afat të caktuar, derisa të përgatiten ata shqiptarë. Është një situatë emergjente e ngjashme me atë të pasluftës së dytë botërore, pasi pas rrëzimit të komunizmit ishim vetë ne që e shembëm sistemin e drejtësisë duke u dhënë përparësi juristëve të “plepave”. Që degradoi në këtë farë faje drejtësinë shqiptare. Ndaj është e udhës që të merren masa urgjente për të gjetur juristë nga jashtë, pasi dhe me këtë kontigjent, çështjet në shqyrtim janë bërë stok.
Nëse politika është e interesuar partnerët tanë ndërkombëtarë janë dakord, pasi po na mbeten jashtë dhe “peshqit” e mëdhenj. Por dhe politika është frikësuar, prokurorët dhe gjyqtarët e huaj s’të falin, nuk të shohin nivelin e postit as mbështetjen politike. Ndaj rrezikojmë që sistemi i drejtësisë të shkojë në kolaps.