Propaganda e kryeministrit Edi Rama nuk ka të ndaluar.
Kryeministri Edi Rama, disa javë para fushatës së zgjedhjeve të 2017 bëri me dije se do të hapte një televizion të vetin, ku edhe e pagëzoi me emrin ERTV.
E nisi me lidhje direkte, ku çdo takim elektoral i tij tashmë kalonte nga ERTV, duke detyruar edhe mediat që të merrnin sinjalin nga tv e kryeministrit Rama.
Nuk zgjati shumë dhe Rama filloi që programacionin e tv së tij ta mbushte me reportazhe, intervista, dhe së fundmi ditën e sotme, edhe me lajme.
Duke mos bërë asnjë lloj transparence se me çfarë lekësh Rama e mban strukturën e këtij Tv, vazhdon që përmes saj të thotë se Shqipëria po lulëzon, ka rritje ekonomike, shqiptarët po punësohen çdo ditë.
Kryeministrin e ka zënë paniku nga realiteti i hidhur që mediat po pasqyrojnë çdo ditë dhe për këtë ka vendosur që përmes zyrës së tij të propagandës të montojë kronika ku flitet për arritjet e qeverisë së tij, arritje këto që nuk janë asgjëkundi.
Nëse shikon edicionin e parë që ERTV transmetoi, nuk ka asgjë më pak, ndoshta më shumë sesa TV e vendeve që janë diktaturë, të cilat lavdërojnë diktatorin.
Dhe duke nisur që nga këtu, duket sesa e pavarur është prokuroria shqiptare, sepse nëse një gjë e tillë do të bëhej në vendet e tjera të botës, kryeministri do të ishte marrë si i pandehur të paktën për tallje me taksat e më pas patjetër për mashtrim të qytetarëve.
Deri në një përgjigje nga prokuroria, na lind e drejta të ngremë dy pyetje.
E para: Ku i ka studiot ERTV, në Kryeministri apo në selinë e PS?
E dyta: Me çfarë buxheti mbahet ky televizion, operatorët dhe gazetarët me çfarë lekësh paguhen?