Nga Carloalberto Rossi
Në sallonet diplomatike në Tiranë, zakonisht krahas emrit të Kryebashkiakut Erion Veliaj shpesh shtohet cilësori “delfini i Ramës”—aludim i titullit fisnik me të cilin thirrej trashëgimtari i zgjedhur i fronit mbretëror të Francës—duke nënkuptuar se Veliaj është i vetmi personazh i skenës politike shqiptare që mund të zëvendësojë Ramën në drejtimin e vendit, natyrisht, kur ta lejojë ky i fundit.
Historia e tij politike dëshmon si ai, pa asnjë bazë politike dhe pa asnjë bazë elektorale, ngjiti shkallët e Partisë Socialiste falë mbështetjes së pakushtëzuar të Ramës. Veliaj e nisi me Lëvizjen Mjaft, të financuar bujarisht nga shumë ambasada për të kundërshtuar pushtetin e Fatos Nanos, duke vazhduar me Partinë G99 e cila arriti të marrë një numër qesharak votash, nga listat e të cilës vetë Erion Veliaj, i cili e vuri veten të parin në secilën prej 12 zonave elektorale në vend, nuk arriti të bëhej dot deputet. Pas kësaj humbjeje spektakolare, Edi Rama e kooptoi në PS dhe pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013 e emëroi atë Ministër të Punës e Çështjeve Sociale, dhe më pas e kandidoi dhe e mbështeti në fitoren si kryebashkiak i Tiranës, investim i vërtetë për pasardhës.
Në rolin e tij si Ministër, Erion Veliaj tregoi një aktivizëm të jashtëzakonshëm, i ndihmuar nga fakti se buxheti i tij ishte më i madhi nga të gjitha ministritë e tjera, por ishte emërimi në krye të Bashkisë Tiranë ajo çfarë e ktheu heroin tonë në Delfin të vërtet.
Dhe ai nisi menjëherë nga projektet me ndikim, pas një fushate zgjedhore shumë të kushtueshme të përshkruar nga temat ambientaliste dhe premtimi solemn: “zero ndërtime”.
Por në fakt goditja e parë e Veliajt ishte leja për një ndërtim gjigand në hyrje të Parkut të Liqenit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, për një nga oligarkët kryesorë të vendit. Pastaj vazhdoi me ndërtimin e një këndi lojrash brenda Parkut të Liqenit, i projektuar dhe i zbatuar jashtë çdo lloj procedure të ligjshme dhe, për këtë aryse e kundërshtuar nga shumë qytetarë. Qeveria e mbështeti dhe dërgoi policinë për të zbuar protestuesit, dhe ai u soll si viktimë.
Më pas shefi i jep një mundësi, konkursin e ideve për të ndërtuar në hyrje të Parkut të Liqenit, në krah të Korpusit të Universitetit, që u mbajt nga bashkia e tij. Projekte të pamundshme pallatesh të ngjashme me disqe fluturues u shfaqen për publikun, ndërsa qytetarët protestuan me forcë duke i kujtuar premtimin parazgjedhor. Ai e kuptoi që kjo gjellë ishte e helmuar, dhe me kujdes e anulloi konkursin.
Ditët kalojnë dhe ai, përherë si ambientalist i bindur, lëshon një sulm kundër gjyqësorit, duke bllokuar trafikun në një protestë të improvizionuar para Gjykatës Administrative të Tiranës kundër ndërtimit të një pallati nën digën e liqenit—duke zgjedhur edhe një herë të promovojë imazhin e një kryebashkiaku që respekton ligjet kaq shumë sa hidhet kundër gjykatës për të kushtëzuar vendimin e saj.
Pak më vonë zbulohet kufoma e një të riu të groposur mes mbetjeve të landfillit të tij, masakruar nga një ekskavator. I riu, Ardit Gjoklaj, punonte në të zezë natën për kompaninë koncesionare të bashkisë, për të paguar studimet e tij. Disa gazetarë provuan të bënin pbulike hetimet e tyre mbi vdekjen e të riut, por përfunduan të pushuar nga puna nga pronarët e televizioneve, të gjithë ndërtues të mëdhenj.
Prokuroria e heton çështjen me dorashka dhe ai shpërblen me tendera shumë milionëshe kompaninë e familjes së prokurorit të Tiranës: kështu është drejtësia në Shqipëri, pikërisht për këtë gjë socialistët thonë se duan ta reformojnë.
Më pas erdhi shfaqja e madhe e planit rregullues të Tiranës, katër dosje të sajuara keq, në shpejtësi dhe nxitim nga një prej arkitektëve të regjimit, i marrë hua nga Italia, për të predikuar me pomp0zitet slloganet të papajtueshme si “qyteti jo antropomorf” në dëgjesa të rreme me publikun, në të cilat publikut as nuk i tregohet projekti.
Por pavarësisht sjelljeve të tij në dukje alla amerikançe, modeli më tërheqës për Veliajn është modeli i krijuar nga Rama, ndaj kryebashkiaku flaku tutje mësimet e vjetra amerikane për të filluar të ndërtojë një mit personal, me një organizim agresiv dhe të kudoshtrirë të marrëdhënieve me publikun i cili bombardon redaksitë e mediave me kaseta të regjistruara më parë për aktivitete dhe inagurime dhe mediat shoqërore me forografi dhe filmime, që tregojnë një kryebashkiak të palodhur, i cili është gjithmonë i përgatitur për situatën, nëj herë i veshur si superman në mes të fmëijëve, ndonjëherë me çizme me baltë në mes të përmbytjeve, ndonjëherë i veshur sportiv me një grup gazetarësh në pelegrinazh në Milano për të parë pyllin vertikal të Boerit, përherë i veshur përsosur në ceremonitë pritesë të delegacioneve të huaja.
Por aktivizmi i tij nuk ndalet këtu, dizenjimet e pakuptueshme të Udhëheqësit i japin mundësinë e skena të tjera për të rritur imazhin e tij të realizuesit të madh, të një njeriu të ri, të një udhëheqësi të së ardhmes.
Fillon stina e realizimit të një Tiranë të re, një vendi të ndërruar dhe dhe projektuar prej shumë kohe nga Udhëheqësi, dhe pikësynimi është i qartë: fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Nga hiçi fillojnë e dalin projekte haluçinante, Sheshi Skenderbej përherë i debatuar dhe bulevardi i ri, dy projekte që gjejnë në master planin e Boerit teorinë që i legjitimon, dhe që për më tepërn janë dy fusha beteje me kundërshtarin e tij të natyrshëm në ndryshimin e brezave në politikën shqiptare, me Bashën të cilit si kryebashkiak qeveria Rama i bllokoi fondet për të nisur bulevardin e ri, ndërsa më parë kishte gjetur kurajon për të ndërprerë kantierin e ndërtimit në sheshin Skenderbe duke e futur në arkiv projektin faraonik të Ramës.
Veliaj e merr për vete projektin e Ramës, menaxhon tenderat, i shton parkimin nëntokësor vetëm pak ditë para se të fillojnë ndërtimet, merr pjesë vetë në liturgjinë kremuese të dy projekteve, dukshëm pa asnjë dobishmëri, por me vlerë të madhe propagandistike.
Dhe sheshi i shtruar me gurë nga e “gjithë” Shqipëria, i rrethuar me shkurre nga e gjithë Shqipëria, por që ndërpret të gjitha rrugët e Shqipërisë, inagurohet në pikun e fushatës zgjedhore me një javë festime dhe fishekzjarre, me popullin të sjellë në pelegrinazh për të parë zbrazëtinë e madhe në formë piramide.
Menjëherë më pas vjen rradha e inagurimit të bulevardit të ri, një rrugë e madhe, e rregulluar me kujdes, por që nuk çon asgjëkund—metaforë shumë e kushtueshme e politikës shqiptare—që do të ndërtohet përpara se të fillojë ndërtimi i kullave të mëdha të projektuara si dekor i bulevardit, që do të thotë se ai do të shkatërrohet nga mjetet e rënda të ndërtimit nëse do të ketë ndonjëherë vërtetë ndonjë ndërtim në atë zonë.
Pret shirita, kryebashkiaku ynë, dhe dërgon kaseta nëpër televizione, por ka filluar të ngrohet nga lavdi që nuk janë të tijat, sepse tashmë ai është thjesht vetëm zbatuesi, drejtuesi i kantierit, rapsodi popullor që u këndon fitoreve të padronit—ai po, regjisori i vërtet i spektaklit, si gjithmonë udhëheqësi absolut.
Një tjetër lojë e luajtur për gjysëm ëshët ajo e mbledhjes së mbetjeve. Rama vazhdon të takojë kryebashkiakun e Veronës Flavio Tosi dhe së bashku, pa u këshilluar me Veliajn, vendosin të bëjnë një kompani të përbashkët të quajtur EcoTirana, ndër të tjera me qëllimin për të krijuar shumë vende pune për të punësuar militantët e PS.
Veliajt nuk i mbetet gjë tjetër vecse të pranojë sfidën e EcoTiranës. Furnizimi me mjete dhe me kosha nga ana e italianëve, dhe Veliaj duhet të ecë me njëjtin hap. Më pas duhet të zvogëlojë zonat (dhe vlerën e kontratave) të kontraktorëve të tjerë që të bëje vend për EcoTiranën, sigurisht pa asnjë procedurë konkurimi, dhe në fund është i detyruar të heqë dorë nga mbledhja e diferencuar e mbetjeve, sepse koshat nuk janë të mjaftueshëm dhe nuk ja vlen harxhimi i parave për të ndërgjegjësuar publikun.
Veliaj kërkon të menaxhojë më së mirë, por për shumë arsye përfshi, mbajtjen nën trysni ndaj vartësve, Udhëheqësi fillon t’i japë kryebashkiakut detyra edhe më të vështira.
Dhe ai, më në fund i çliruar edhe nga konkurenti i tij më i fortë politik, Saimir Tahiri i rrëzuar nga kanabisi, i përgjigjet nxitjes nga shefi duke përplasur sërish takat në shenjë bindjeje: ai është shefi, dhe nuk atij nuk i pëlqejnë kundërshtitë.
Kështu ndaj tij ngrihen shumë pyetje për dhjetra kulla që shefi i tij do të ndërtojë në qendër të Tiranës dhe përreth Parkut të Liqenit: ndarja e detyrave është e pandershme—Rama merr vendimet për çdo gjë, së bashku me arkitektin belg, ndërsa atij i mbetet puna e ndyrë për të bindur protagonistët e uritur, duke dëshmaur një pushtet përherë e më pak të besueshëm, për të marrë ndonjë meritë në pritje të ndonjë dhurate gjithmonë të mirëpritur.
Por të jesh ndërmjetësues, pa ndonjë pushtet, në mes të spekullantëve të pangopur shqiptarë, për më shumë miq të shefit, në një botë të madhe sa një tigan, ku të gjithë shohin dhe të gjithë flasin për gjithçka me të gjithë, është një rol i mundimshëm dhe i lodhshëm—ti organizon dhe ai ndryshon idenë, ti zgjedh dhe ai nevrikoset, ti i propzon dhe ai bën ndryshe, ti bën dhe ai çbën, dhe pushteti yt dhe prestigji yt shkërmoqen ditë pas dite.
Njëri pas tjetrës vendosen piketat e ndërtimeve të mëdha në Tiranë, të paktën një për çdo oligark, por të gjitha janë projekte të shefit, të hedhura në letër nga arkitekti i tij belg, të negociuara drejtpërdrejt nga ata të dy. Atij i takojnë vetëm thërrimet dhe në ndonjë mundësi për të shkëmbyer pronën shtetërore me zyra të reja që as nuk i hyjnë në punë:
Lindin kështu projektet Downtown Tirana mbi këndin e lojrave 7 xhuxhat, projekti futurist i Kullës Ikonike mbi tokë publike, një tjetër projekt futuristik “Sytë e Tiranës” mbi tokë privare por në Sheshin Skënderbej, një tjetër projekt misterioz që përdor tokën në pronësi bashkiake pas Kullës së Sahatit, i njejti fat për vilat e Mak Albanias të blera së bashku me hotelin Sheraton nga një tregtar i njohur nafte, dhe krime të tjera urbanistike në të cilat kryebashkiaku ynë vë fytyrën, por dikush tjetër merr copën më të madhe të tortës.
Por histeria e kullave nuk mund të ndalet, dhe rrugicë pas rrugice, hapësirat e mbetura për operacione të majme fitimprurëse zvogëlohen për ditë e më shumë, dhe atëherë për ta zgjatur lojën, dhe për të marër një rol edhe më vendimtar, ai miraton në Këshillin Bashkiak uljen e taksës të infrastrukturës, taksë që i paguhet bashkisë për fillimin e ndërtimit, për zyrat përreth bulevardit, por vemtëm për ato me qëllim përdorimi për zyra dhe vetëm për 30 mijë metra katrorët e parë që do të miratohen. Duket si vendim i bërë enkas, një ligj pë rnjë person, do të thoshin në Itali.
Fillojnë diskutimet dhe ai shpjegon i palëkundur se ka nevojë për zyra, dhe se ato duhet të jenë në qendër të qytetit, por pas vetëm rreth një jave i drejtohet Prefektit të Tiranës për t’i kërkuar të anullojë vendimin e Këshillit Bashkiak. Një oligark konkurrent komentoi në mënyrë sarkastike se kjo do të thotë që përfituesi i uljes nuk ka paguar për shërbimin.
Në fund vjen dita e gjykimit. Ministrja e Kulturës pengohet nga një grupi i irrituar artistësh të Teatrit Kombëtar, të cilët nuk pranojnë të shpërngulen në një vend tjetër, dhe kështu shëprthen në publik çështja e ndërtesës së teatrit, që zbulohet se do të mbyllet jo për t’u rindërtuar, por për t’u shëmbur dhe për të ndërtuar në vend të sja një ndërtesë të re.
Replika e ngatërruar e ministres i irriton më shumë aktorët, tashmë të bashkuar në një asamble të përkohëshme dhe të gatshëm të “derdhin gjakun” për lavdinë e përjetshme të teatrit shqiptar. Dhe kështu Ministrja nuk arrin dot atë që i ishte ngarkuar, prandaj dërgohet ai në për të marër përsipër projektin: të shpjegojë, të marrë me të mirë, të magjepsë, të justifikojë, t’jua mbyllë gojën kundërshtarëve. Përfundimisht, ky është zanati i tij dhe ai gjithmonë ja ka dalë mbanë, prandaj nuk mund të thotë jo.
Por diçka nuk shkon siç duhet, edhe pse gazetarët dhe analistët përballë tij nuk ishin shumë agresivë, ai vihet, të paktën një herë, në pozicionin që duhet të bëjë rolin e të keqit, i nervozuar nga rikujtimet e vazhdueshme të deklaratave të tij zgjedhore, përpiqet ta justifikojë zgjedhjen për shembjen e teatrit, për të ndërtuar më shumë pallate, madje më saktë, kulla.
Pushteti, dihet që të godet në kokë, por ai të godet më shumë në kokë kur zbulon se nuk e ke, ndaj heroi ynë i hidhet në fyt gazetarëve si një padron kundër skllevërve rebelë, duke u kujtuar të gjithëve se pronarët e tyre janë të gjithë ndërtues dhe ai i mbron ata sepse ka dyfishuar taksat, dhe janë ata që po mbajnë në këmbë qytetin dhe shpenzimet e tij.
Të mjera aftësitë në matematikë, edhe më e mjeruar logjika politike, akoma më mjerane ajo urbanistike, e papranueshme gjuha, të pakuptimta mesazhet—në 20 minuta deklarata të hidhura si i xhindosur Erion Veliaj vuri në rrezik përpjekjen e një jete, duke u vetëvrarë politikisht, sikur të kishte kuptuar befas se është manipuluar nga shefi, dhe është hedhur si mish për qentë për ta mbajtur larg interesave të vërteta.
Delfini ngeci në bregun prej betoni, i paaftë për të argumentuar dhe për të prodhuar një vizion të tijin, vetëm sillet vërdallë duke konsumuar edhe energjitë e fundit. Një Delfin që nuk do të mundet të bëhet dot mbret.
Ditën tjetër, kur fëmija kthehet në shtëpi dhe të thotë në entuziazëm e sipër se në shkollë ka takuar kryebashkiakun, dhe të tregon dhuratën, një karficë me shkrimin “Takova Lali Erin” , pseudonimi që ai vetë ia ka vënë vetes për aktivitete e tij me fëmijët, të kap ndjesia se një maniak po kërkon të ngulisë tek fëmijët e tu imazhin e tij personal, për të qënë i adhurur sa Zoti. Dhe fillon të përzihet në stomak, në një vorbull imazhesh filmash të vjetër bardh e zi, me njerëz që marshojnë me hap të shtrirë ushtarak në grumbullime të mëdha njerëzish, dhe një tjetër që djeg librat në një turrë të madhe. Dhe të lind dëshira të vjellësh, të ndryshosh kanal, të ikësh si mijëra familje të tjera që kanë vendosur ta bëjnë.
Ai nuk ka asnjë lloj rëndësie, nuk ka bërë asgjë, nuk na ka dhënë asgjë. Dhe nuk do t’i japim asgjë. EXIT.AL