Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar për çështjen e rënies së euros, e cila sipas saj ka ardhur si pasojë e parave të pista që vijnë nga trafiku i drogës.
Ajo është shprehur se përmirësimet ekonomike janë aq të vogla sa nuk kanë fuqi të zhvlerësojnë monedhën e euros.
“Niveli më i ulët historik i euros nuk vjen si pasojë e ekonomisë në rritje por si pasojë e parave të pista që vijne nga trafiku i drogës. Janë këto para që i bëjnë dëm biznesit të ndershëm, zhvlerësojnë euron në mënyrë fiktive dhe njëkohësisht rreshtojnë Shqipërinë mes vendeve me njollë në raportet e DASH dhe Europol”-ka thënë deputetja.
Sipas saj i gjithë ky cikël kryhet me bekimin e qeverisë pasi qeveria është e angazhuar në këtë biznes të pisët.
“Sot ndertimi dhe turizmi jane fatkeqësisht sektori ku paratë e droges po investohen. Bankat kanë ulur kreditimin ndonëse ndërtime po shtohen dhe janë paratë e drogës që pastrohen përmes betonimit të qyteteve që po zhvlerësojnë dhe euron. Janë pikërisht keto ndërtime që përfitojnë nga taksat që qeveria ul dhe nga lejet që ajo jep”, është shprehur Tabaku.
“Një qeveri e tërë vendosur nën urdhërat e të inkriminuarve. Një popull i tërë i burgosur nga diktatura e narkoshtetit. Kështu Europa është fatkeqësisht larg!”, ka përfunduar ajo.