Në një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Parlamentit Gjerman u debatua rreth hapjes së negociatave me Shqipërinë. Debati nxori në pah dallimet mes partive të koalicionit qeverisës.
Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin parlamentar CDU/CSU: Frei tha se rezultatet e Vettingut, që deri tani ka pasur vetëm pesë procese, nuk mund të shihen ende. Veç të tjerash Frei përmendi edhe tema të tjera, që ende nuk po zgjidhen, siç është reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit të organizuar: "Janë bërë përparime në luftimin e kultivimit të drogës, por jo në tregtinë me të,” vuri re ai. Grupi parlamentar i tij do ta caktojë së bashku me partinë tjetër të koalicionit, SPD, një pozicion deri në qershor, me të cilin do të prezantohet kancelarja gjermane në samitin e Brukselit, në fund të qershorit. Për Manuel Sarrazin-in, momenti i tanishëm është shumë i përshtatshëm: "Nëse nuk hapen tani, do të ketë një periudhë pauze të gjatë”, tha deputeti i të Gjelbërve, i cili ishte edhe njëri prej organizatorëve kryesorë të takimit. Sipas Sarrazinit mekanizmi i perspektivës europiane është i vetmi mekanizëm efektiv për reformat dhe ngritjen e institucioneve demokratike.