Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar sot lidhur me akuzat dhe sulmin e Kryeministrit Edi Rama ndaj Zërit të Amerikës.
Përmes një postimi në “facebook” Vasili tha se përfundimisht kryeministri është çmendur pasi nuk mund të quhet zëri i Amerikës kënetë.
Postimi i plotë:
Kryeministri u çmend përfundimisht e quan Zërin e Amerikës kënetë.
Kryeministri i zhytur në kënetën e padijes dhe pisllëkut të konçesioneve lëshoi një thagmë tjetër dhe quajti kënetë Zërin e Amerikës.
Se ç'përfaqëson Zëri i Amerikës për shqiptarët është e tepërt që ta them unë.
Por që Zëri i Amerikës ka qenë vigjilent dhe shembull i ndjeshmërisë shembullore kritike kundër cënimit të demokracisë dhe korrupsionit ky është një realitet i padiskutueshëm dhe pikërisht për këtë Zëri i Amerikës vazhdon të mbetet shembulli i standartit më të lartë të integritetit dhe soliditetit profesional dhe parimor.
Kryeministri dëshmoi sërish e sërish një standart intelektual e politik mizerabel dhe të një profani, që nuk kupton asgjë dhe i duken armiq të gjithë sa herë që ja vënë në dukje këto.
Unë do të vazhdoj ta dëgjoj me besim e shpresë Zërin e Amerikës sic kam bërë për vite e vite të tera,por nuk kam ndërmend të humb kohën fare me injorancën shumëkatëshe të kryeministrit shkollëpakët.