Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka dalë në terren ditën e sotme, duke zhvilluar disa takime me qytetarë dhe biznese.
Përmes një statusi në profilin e saj në Facebook, Tabaku shprehet se qytetarët i janë ankuar për vështirësitë ekonomike, ndërsa janë shprehur të gatshëm për të dalë në protestë ditën e nesërme.
“Sot u takova me bizneset dhe qytetarët që banojnë në zemër të Tiranës. I ftova të bashkoheshin me protestën e opozitës dhe ishin ata që më treguan se përse do te vinin nesër në protestë.
Të gjendur përballë trefishimit të taksës së pronës, rritjes së taksave, futjes së biznesit të tyre në zinxhirin e TVSH ua ka bërë më të vështirë biznesin. Tatimorët të cilët trokasin përditë në dyert e tyre dhe kërkojnë ryshfetin janë një taksë ekstra e qeverisë.
Biznese që mbyllen, familje që nxjerrin më pak të ardhura dhe shpenzojnë më shumë. Kjo ishte gjendja që përshkruan vetë bizneset ndërsa i ftoja të bashkoheshin me ne ditën e nesërme. Ndërkohë që qytetarët apo klientët e pakët ankoheshin se kishin gjithnjë e me pak të ardhura. Rrogat e ulëta, papunësia e madhe është ajo që po vret ekonominë e gjithsecilit prej nesh”, shkruan Tabaku. /55News.al/