Demokratët kanë kërkuar sërish dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në komisionin parlamentar të ekonomisë, deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se, qeveria duhet të rishikojë dorëheqjen e Xhafajt dhe plotësimin e prioriteteve për çeljen e negociatave e të mos merret me propagandë.
Tabaku i quajti ‘turpi i Shqipërisë’ Fatmir Xhafajn dhe Saimir Tahirin, që sipas saj, po pengojnë integrimin e vendit.
“Më vjen keq të them që më 28 qershor Shqipëria do të ketë vështirësi për hapjen e negociatave, ashtu siç thonë vendet anëtare. Sepse shërbimet e vendeve anëtare janë duke raportuar që Shqipëria po kthehet në një problem serioz për krimin, për ndëshkimin e korrupsionit në nivelet më të larta, dhe nivele më të larta i referohem kryeministrit dhe ministrave dhe Shqipëria po kthehet në një problem serioz për drogën në rajon.
Zoti Majko ju duhet të jeni ministri më me shumë punë i kësaj qeverie. Jemi rasti unik në botë ku shqiptarët po ikin jashtë më shumë se sa ata që po rrinë brenda kështu që puna juaj do ishte voluminoze. Arsyeja pse po largohen është krimi i lidhur me qeverinë. Shqiptarët sot nuk shohin të ardhme këtu ndaj kërkojnë ta gjejnë atë jashtë. Dy ministra të brendshëm të lidhur me trafikun e drogës.
Dy ministra të brendshëm që sot janë turpi i Shqipërisë të cilët sot po pengojnë integrimin e Shqipërisë. Faktet e paraqitura për hetimin për vëllain e ministrit të Brendshëm në një vend normal do kishin rrëzuar qeverinë e jo një ministri të Brendshme”,- deklaroi Tabaku.
Ajo deklaroi se ‘qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë nga ne, meritojnë më shumë nga politika dhe ne duhet ta ofrojmë këtë’.
“Për këtë arsye i kërkojmë qeverisë ta shikojë edhe njëherë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, të shikojë edhe njëherë seriozisht plotësimin e prioriteteve dhe të mos merret me propagandë, të mos merret me batuta bajate, të mos merret me humor me tallje por të mendojë njëherë të vetme në këto 5 vite për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e të rinjve shqiptarë”,- deklaroi Tabaku.