Arta Marku e shkarkoi/ Reagon prokurorja: Vijon hakmarrja primitive

E Enjte, 31 May 2018 15:28

Prokurorja Rovena Gashi e cila u pezullua nga detyra së bashku me bashkëshortin e saj, gjithashtu prokuror, në një deklaratë për mediat e ka cilësuar këtë hakmarrje primitive të Kryeprokurores Arta Marku. “Të gjitha këto veprime në kaq pak kohë dhe të qënurit “e përkohshme” tregojnë qartë se zonja Marku është shumë e ngarkuar me hakmarrjen primitive dhe e orkestruar nga urdhëruesit e saj për të larguar nga prokuroria çdo person që nuk ka lidhje me ata që e emëruan në atë detyrë”, shkruan Gashi.

Por Gashi thotë se të drejtat e saj dhe të bashkëshortit po shkelen fatkeqësiht edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Ajo argumenton se KPA ka hedhur shortin për caktimin e trupës që do të shqyrtojë ankimin, duke zgjedhur edhe relatorin, por për shkak të një situate të parashikuar ligjore, relatori ka dhënë dorëheqjen dhe këtu sipas Gashit ka filluar dhe situate absurde.

Deklarata e plotë:

Të nderuar përfaqësues të medias! Unë, Rovena Gashi, prokurore (e pezulluar) në Prokurorinë e Përgjithshme, Ju informoj se: Në datë 14.05.2018, ashtu si edhe Ju, jam njoftuar për pezullimin nga detyra, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Si arsye për këtë urdhër ka shërbyer një hetim i zhvilluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës  ndaj personit tim dhe bashkëshortit tim, Dritan Gina, gjithashtu prokuror.

Në fakt, bëhet fjalë për një hetim, për të cilin unë as jam njoftuar zyrtarisht kur ka filluar dhe as nuk jam njoftuar ende edhe sot që të ketë përfunduar.  Këto veprime përbëjnë shkelje proceduriale të cilat, ashtu si edhe akuzat ndaj nesh do të diskutohen para gjykatës, ku edhe do të provojmë se gjithçka lidhet me një proces të parafabrikuar dhe në mungesë totale të provave.

Edhe më parë media është njohur me vendimet që Arta Marku ka marë në kundërshtim me ligjin ndaj meje dhe bashkëshortit tim. Veprime që nisën me largimin tim nga detyra e Drejtorit për Marrëdhëniet Juriksionale me Jashtë dhe Dekriminalizimit, nisjen e procedimit penal për hetimin e pasurisë dhe aktin e radhës, pezullimin nga detyra.

Të gjitha këto veprime në kaq pak kohë dhe të qënurit “e përkohshme” tregojnë qartë se zonja Marku është shumë e ngarkuar me hakmarrjen primitive dhe e orkestruar nga urdhëruesit e saj për të larguar nga prokuroria çdo person që nuk ka lidhje me ata që e emëruan në atë detyrë. Në zbatim të të drejtave tona kushtetuese e ligjore, ne, prokurorët e pezulluar, Rovena Gashi dhe Dritan Gina, në dt. 17.05.2018 kemi ankimuar vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Por, për fat të keq, po konstatojmë se edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) po kryen shkelje flagrante të ligjit, duke cenuar rëndë të drejtat tona.

KPA ka hedhur shortin për caktimin e trupës që do të shqyrtojë ankimin tonë, duke zgjedhur edhe relatorin. Për shkak të një situate të parashikuar ligjore, relatori ka dhënë dorëheqjen. Por, këtu regjistrohet edhe situata më absurde. Pas kërkesës sonë për informacion, Kryetarja e Kolegjit të Apelimit na njofton se do të ri-hidhet shorti për caktimin e trupës gjykuese dhe relatorit. Por, procedura e ri-caktimit të trupës gjyqësore do të shtyhet për një periudhë të pacaktuar, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ka një Rregullore të posaçme për të përcaktuar modalitetet e ndryshimit të relatorit të çështjes dhe do kohen e tij për te miratuar një rregullore të tillë.

Kjo zvarritje e pajustifikuar dhe e lejuar nga ana e Kryetares së KPA, duke mos regjistruar ende ankimin tonë për gjykim, duke penguar krijimin e një trupe gjykuese për marrjen në shqyrtim të çështjes sonë, ndërkohë që interesat e cenuara nga akti i ankimuar janë jetike e, për më tepër, është kërkuar marrja e masës së pezullimit, përbëjnë jo vetëm shkelje të së drejtës për proces të rregullt, por edhe paragjykim në themel të saj.

Ne baze te nenit 179 te Kushtetutes se Republikes se Shqiperise, Kolegji i Apelimit, ne rastin e juridiksionit disiplinor eshte nje gjykate e shkalles se pare qe shqyrton ligjshmerine e masave administrative te marra nga organet publike ndaj gjyqtareve, prokuroreve dhe inspektoreve te tjere.

Ne baze te nenit 4 te Ligjit Nr.84/2016 dhe nenit 5 te  Rregullores “Per veprimtarine e Kolegjit te Apelimit”, ky kolegj, gjate shqyrtimit te ceshtjeve qe i paraqiten, do te zbatoje rregullat procedurale te parashikuara ne Kodin e Procedurave Administrative dhe ne Ligjin per Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative. Ne kete kuader, KRYETARI I Kolegjit duhet te kishte shqyrtuar kerkesen per heqje dore te relatorit ne perputhje me percaktimet e nenit 1 pika 2 te Ligjit per Gjykaten Administrative dhe ne baze te neneve 72 , 73 te Kodit te Procedures Civile. Vendimi i dhënë nga një trupë gjyqësore, brenda një afati të arsyeshëm, përbën objekt ankimi në gjykatën më të lartë. Zvarritja e pajustifikuar dhe për një afat të pacaktuar për regjistrimin, caktimin e trupës gjykuese dhe shqyrtimin e çështjes, është përgjegjësi personale e Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në këtë kuadër, sot, kur kanë kaluar 14 dite nga depozitimi i ankimit tonë, kërkojmë zhbllokimin e kësaj procedure dhe mosmbajtjen peng të saj me justifikime rregulloreje. Është shumë e rëndësishme që Kryetarja e KPA të zbatojë Kushtetutën, ligjin për Vetingun, Kodin e Procedurave Administrative, ligjin për Gjykatën Administrative dhe Kodin e Procedurës Civile. Duke vlerësuar që aktet e mësipërme që ligji i ka lejuar të zbatohen nga KPA janë të mjaftueshme, jemi në pritje të marrjes sa më të shpejtë të masave nga ana e drejtuesit së këtij institucioni, për ankimin tonë.

PROKURORI

Rovena Gashi

Login to post comments