Bota bimore surprizon ende. Vjen rikonfirmimi i komunikimit mes tyre nga një studim i përbashkët amerikano-japonez i publikuar në revistën më prestigjioze shkencore Science. Kështu, së fundmi, është vërtetuar se bimët janë në gjendje të lëshojnë sinjale alarmi kur janë të ekspozuara ndaj një rreziku. Behët fjalë për sinjale kimike që lëvizin përgjatë gjetheve dhe kërcellit. Kërkuesit gjatë eksperimentit, kanë arritur të fotografojnë këtë sinjal ‘SOS’, pasi kanë injektuar substance fluoreshente tek bimët.
Është marrë në shqyrtim një Arabidopsis Thaliana, dhe teksa një krimb ishte gati të kafshonte një gjethe të saj, bima ka nisur të lëshojë një sinjal që nisi të shpërndahej me shpejtësi 1 mm në sekondë derisa mbërriti në të gjitha gjethet dhe kërcell.
Sipas studiuesve, kjo gjë konfirmon se behët fjalë për një sistem efikas komunikimi, i padukshëm për sytë tanë, dhe mjaft i ngjashëm me sistemin nervor të kafshëve. Mbeten ende të paqartë për autorët e eksperimentit, mekanizmat molekularë që shërbejnë si rregullatorë të transmetimit të sinjalit të alarmit në distancë dhe si lindin ato.