Sëmundjet e rralla gjenetike dhe testet gjenetike

Saturday, 29 February 2020 10:27

PROF. DR. ANILA BABAMETO* 

Sëmundjet e rralla janë të rralla, por pacientët me sëmundje të rralla janë  të shumtë”. Është moto e Orphanet, portali i referencës për informacionin mbi sëmundjet e rralla dhe medikamentet për këto sëmundje. Sëmundjet e rralla paraqesin një problem global. Orphanet përmban numrin më të madh të të dhënave epidemiologjike për të rritur njohuritë mbi këto sëmundje, si dhe për të përmirësuar diagnozën, kujdesin dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të rralla

Në të vërtetë, sëmundjet e rralla janë individualisht të rralla, por ato janë aq të shumta, saqë incidenca e përgjithshme e tyre është e lartë.

Në Europë, një sëmundje quhet e rrallë kur prek 1 në 2000 persona, por përkufizimi ndryshon në vende të ndryshme.

Sot njihen rreth 7000 sëmundje të rralla, por sëmundje të tjera të rralla vazhdojnë të përshkruhen në literaturën mjekësore. Në Europë janë të prekur mbi 30 milionë, ndërsa në botë mbi 350 milionë persona të prekur. Shumë individë që jetojnë me një sëmundje të rrallë, shpesh keqdiagnostikohen ose nuk diagnostikohen.

Rreth 80% e sëmundjeve të rralla kanë origjinë gjenetike, pjesa tjetër kanë si shkak infeksione, alergji dhe shkaqe ambientale. Sëmundjet e rralla me origjinë gjenetike janë kryesisht si rezultat i mutacioneve gjenetike në qelizat e njeriut, por njihen dhe mbi 100 sindroma për shkak të ndryshimeve kromozomike.

Sëmundjet e rralla shpesh janë kronike dhe progresive. Karakterizohen nga një heterogjenitet i madh i shenjave dhe simptomave, që variojnë jo vetëm nga njëra patologji në tjetrën, por dhe ndërmjet pacientëve të prekur nga e njëjta sëmundje. 50%-70% e tyre shfaqen në lindje ose në fëmijërinë e hershme, si atrofia muskulore spinale, neurofibromatoza, osteogjeneza imperfekte, kondrodisplazite, sindroma Rett ose në moshën e adultit, si sëmundja Huntington, sëmundja Charcot-Marie-Tooth, skleroza amiotrofike laterale etj.

Pjesa më e madhe e sëmundjeve të rralla janë gjenetike dhe sot, si rezultat i aplikimit të teknikave të reja gjenomike, ka mundësi që në 60% të rasteve të arrihet një diagnozë e shpejtë, që klinikisht nuk mund të arrihet. Teknikat e reja gjenomike kanë bërë të mundur si mundësinë e vënies së diagnozës dhe mundësinë për të gjetur terapi të reja (fibroza kistike, talasemia, atrofia muskulore spinale).

Kjo, në sajë të “revolucionit gjenetik” në 20 vitet e fundit, përdorimit të teknikave të sekuencimit, “Next Generation Sequencing” (NGS). Vetëm 2% e gjenomës së një individi përmban sekuenca që kodojnë proteinat (ekzonet) dhe Whole Exome Sequencing (WES) është procedura e sekuencimit të këtyre zonave të kodimit të ADN-së për të kërkuar mutacionet gjenetike.

WES është më efikase kur merren për krahasim dhe kampionet e ADN-së nga anëtarët e familjes (kampione nga një fëmijë dhe të dy prindërit biologjikë). Ky ekzaminim quhet analiza e tri ekzomës. Megjithatë, diagnoza gjenetike nuk garantohet në të gjitha rastet me WES. Kufizimet përfshijnë patologji që shkaktohen nga mutacione, të cilat nuk ndodhin në zonat koduese, patologji që shkaktohen nga mikrodelecione ose mikrodyfishime kromozomike, që identifikohen me metodën Array CGH (hibridizimi gjenomik i krahasuar mbi array), patologji që shkaktohen nga gjene që nuk janë të dokumentuara në literaturë ose nga gjurma gjenomike.

Duke pasur parasysh se individët ndryshojnë nga njëri-tjetri në 4-5 milionë baza të ADN-së dhe miliona variacione postzigotike karakterizojnë secilin prej nesh, mund të themi që çdo person është unik dhe secili prej nesh është “një i sëmurë i rrallë”. Variacionet në ADNnë e individëve janë të zakonshme dhe laboratorët përballen me sfidën e filtrimit se cilat variacione janë të parëndësishme (jopatogjene) dhe cilat të rëndësishme (patogjene), që çojnë në vendosjen e diagnozës.

Përdorimi i teknikave të reja të gjenomikës është me të vërtetë një revolucion për diagnozën dhe trajtimin e sëmundjeve të rralla. Aktualisht, vetëm 5% e sëmundjeve të rralla kanë mjekim, por 70% e tyre ka trajtim me efikasitet të ndryshëm. Për trajtimin e sëmundjeve të rralla nuk ka vetëm medikamente specifike. Të gjithë pacientët me sëmundje të rralla përfitojnë nga një seri trajtimesh, që janë dhe për sëmundje të tjera, si mjekimet tradicionale, interventet kirurgjikale, terapitë qelizore, rehabilitimi. Në pediatri, sot sfida kryesore është në fushën e onkohematologjisë. Një risi shumë e rëndësishme është imunoterapia dhe protokollet e reja, me të cilat kurohen dhe trajtohen në mënyrë komplete disa tipa tumoresh. Sot, në patologjitë tumorale, në bazë të studimeve molekulare mund të stratifikojmë pacientët sipas defektit molekular dhe të përdoret terapi specifike.

Pacientët me sëmundje të rrallë dhe familja përfitojnë nga diagnoza gjenetike. Diagnoza gjenetike mund të mos shoqërohet drejtpërdrejt me ndonjë mundësi trajtimi dhe mjekët do të vazhdojnë të trajtojnë simptomat, por trajtimi bëhet në mënyrë më të informuar, bazuar në prognozën e mundshme të rastit. Gjithashtu, diagnoza gjenetike sjell dobi përtej menaxhimit të trajtimit, pasi ofron informacione për familjet. Një rrugë e zgjatur për diagnostikimin e sëmundjeve të rralla paraqet një barrë të jashtëzakonshme dhe shqetësime psikologjike për pacientët dhe familjen e tyre. Shumë prej tyre duan informacion për sëmundjen, prognozën, rrezikun e rishfaqjes, mundësinë e trajtimit e parandalimit. Kjo realizohet në këshillimin gjenetik të kryer në konsultën gjenetike nga mjeku gjenetist.

Konsulta gjenetike ka të bëjë me diagnozën e një sëmundjeje gjenetike dhe/ose përcaktimin e rrezikut klinik. Diagnoza mund të përcaktohet në bazë të anamnezës klinike, vizitës mjekësore, manifestimeve klinike të pacientit, konsultave me specialistë të sektorëve të ndryshëm sipas rastit dhe/ose nëpërmjet rekomandimit të një testi gjenetik e interpretimit të mëtejshëm të rezultatit. Gjatë konsultës gjenetike merren të gjitha informacionet e nevojshme për diagnostikimin e sëmundjes, vlerësimin e rrezikut, menaxhimit klinik të sëmundjes ose mënyrës së parandalimit.

Shërbimi Universitar i Laboratorit të Gjenetikës, themeluar në vitin 1984, funksionon si shërbim mjekësor pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe si njësi didaktike në nivel universitar e pasuniversitar pranë Fakultetit të Mjekësisë. Në të bëjnë pjesë Konsultorja Gjenetike, Laboratori i Citogjenetikës dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare.

Konsultorja Gjenetike është e vetmja strukturë në vendin tonë, ku konsultohen të gjitha rastet me sëmundje gjenetike, pacientët e shtruar në QSUT në të gjitha specialitetet klinike, pacientët e spitaleve të tjera universitare dhe pacientët ambulatorë. Në këtë sektor kryhen rreth 600 konsulta mjekësore në vit për vendosjen e diagnozës gjenetike, përcaktimit të rrezikut të rishfaqjes dhe mundësisë së trajtimit e parandalimit.

Diagnoza vihet nëpërmjet bashkëpunimit multidisiplinar me specialiste të sektorëve të ndryshëm dhe këshillimi gjenetik kryhet përpara dhe mbas kryerjes së testeve gjenetike.

Në Laboratorin e Citogjenetikës, nëpërmjet ekzaminimit të kariotipit, janë kryer studimet e para në Shqipëri për format citogjenetike të trizomisë 21, trizomisë 13, trizomisë 18; format citogjenetike të anomalive të kromozomeve seksuale (sindromi Turner, Klinefelter); janë diagnostikuar anomali kromozomike strukturore, si sindroma 4p- dhe sindroma 5p-, delecioni distal i krahut të gjatë të kromozomit 7, dyfishimi distal i krahut të gjatë të kromozomit 13, anomali kromozomike shumë të rralla, si kromozomi 18 unazor, trizomia 8 (forma mozaike) etj. Gjithashtu, janë diagnostikuar citogjenetikisht sëmundje të paqëndrueshmërisë kromozomike, si anemia Fanconi e sindroma Bloom

Në pjesën më të madhe të sëmundjeve gjenomike, defekti gjenetik nuk përcaktohet me ekzaminimin kromozomik dhe analiza laboratorike e indikuar për diagnozën e tyre është Array-CGH (hibridizimi gjenomik i krahasuar mbi array) ose ekzaminimi FISH (hibridizimi fluoreshent in situ mbi një preparat kromozomik), në rastet në të cilat klinikisht dyshohet për një mikrodelecion specifik. Në shërbimin tonë, në bashkëpunim me laboratorë të specializuar jashtë vendit, janë diagnostikuar me ekzaminimin laboratorik Array CGH 21 anomali kromozomike strukturore të rralla dhe shumë të rralla, ndër to dhe raste me sindromën DiGeorge (22q11.2), sindromën Angelman (15q11-q13), sindromën Williams (7q11.23), sindromën Opitz GBBB, tipi I (Xp22.2) etj.

Analizat e gjenetikes molekulare për diagnozën e sëmundjeve gjenetike janë të shumta dhe varen nga tipi i mutacionit që kërkohet dhe nga numri i gjeneve, që mund të shkaktojnë sëmundjen.

Në bashkëpunim me laboratorë të specializuar jashtë vendit, nëpërmjet analizës molekulare të ADN-se janë diagnostikuar sëmundje të rralla njëgjenike, si Displazia diafizare progressive, Hialinoza infantile sistemike, Ethe mesdhetare familjare, Mukopolisaharidoza tipi VI, Distrofi neuroaksonale infantile, Amauroza kongenitale Leber, Sindroma Saethre-Chotzen, Sindroma Waardenburg tipi IV, Akondroplazia, Pseudoakondroplazia, Sindroma i ekzostozave multiple, Distrofia muskulore limb-girdle, tip 2D (cituar në katalogun e gjeneve humane dhe sëmundjeve gjenetike, OMIM).

Gjithashtu, duke u bazuar në disa punime të mëparshme dhe nga studimet tona në bashkëpunim me një laborator të specializuar jashtë vendit janë identifikuar 13 mutacione përgjegjëse të â-talasemisë në popullatën shqiptare, nga të cilat mutacionet IVS I-110, kodon 39, IVS I-6, IVS I-1, kodon 44 përbëjnë 92% të aleleve të â-talasemisë.

Të gjitha rastet dhe studimet e mësipërme janë të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare, por në radhë të parë ato u kanë shërbyer pacientëve dhe familjeve të tyre në drejtim të diagnozës, prognozës, trajtimit apo mundësisë së parandalimit.

Në një të ardhme të afërt, testet gjenetike që bazohen në teknikat e reja (Next generation sequencing) do të konsiderohen si ekzaminime të nivelit të parë për diagnozën e sëmundjeve të rralla, por rezultatet e tyre duhet të interpretohen në kontekstin klinik. Në mënyrë që t’u shërbejnë pacientëve dhe familjarëve të tyre, ato duhet të integrohen në këshillimin gjenetik dhe jo të jenë thjesht teste laboratorike.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...